Gjykata Kushtetuese ka vendosur sot të lërë në fuqi pezullimin e të ashtuquajturit ligjit të supergjobave.
Gjatë seancës së ditës së sotme, GJykata Kushtetuese dëgjoi pretendimet e palëve të interesuara (Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe të Tregut, kërkues dhe Ministria e Financave, subjekt i interesuar), ndërsa vendimi përfundimtar do të jepet pas një muaji.
Në 23 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese urdhëroi pezullimin e zbatimit të ligjit nr.99/2015 “Për disa ndryshime në ligjin nr.9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar”, pas ankimit nga Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe të Tregut.
Ligji nr. 99/2015 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar” hyri në fuqi në 12 nëntor dhe u kundështua ashpër nga bizneset, për shkak të nivelit të lartë të ndëshkimeve të parashikuara në të. Ndër masat kryesore që u forcuan nga këto ndryshime, por që tashmë vijojnë të mbeten të pezulluara, janë:
-10 fishimi i gjobës për mosdeklarim punonjësish për biznesin e vogël, në 500 mijë lekë;
-gjobë 500 mijë lekë dhe kallëzim penal për mosdeklarim real të pagës;
-Gjobë 500 mijë lekë për mosdeklarim adrese;
-e drejta për të mos paguar nëse nuk merr faturën;
-Ndalimi i shumicës për të shitur mallra tek individët; konfiskim i deri në 50% të xhiros nëse ke detyrime
– Gjobë 10 milionë lekë për tregtuesit e shumicës, që tregtojnë mallin pa dokumente tatimore
-Moslëshimi i kuponit, gjoba për biznesin e vogël 10 fishohet nga 50 mijë në 500 mijë lekë.
Edhe ndryshimet penale në Kushtetuese
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Tiranës do të çojë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese ndryshimet në Kodin Penal të botuara tashmë në Fletoren Zyrtare dhe që pritet të hyjnë në fuqi në fund të muajit janar.
Ndryshimet parashikojnë masa drastike ndëshkuese që shkojnë deri në 10 vjet burg për kontrabandë, deri në një vit për moslëshim kuponi dhe deri në tre vjet nëse subjekti ushtron aktivitet pa kasë fiskale.
Sipas burimeve nga kjo dhomë tashmë është bërë gati i gjithë dokumentacioni që do t’i dorëzohet organit më të lartë të drejtësisë në Shqipëri.
MONITOR