Vëllai i ministrit të LSI-së Lefter Koka, Nard Koka, pas sulmit të ashpër dje ndaj ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, për emërimet klienteliste dhe korruptive në diplomaci thotë se do të publikojë të tjera fakte.
Pa e fshehur irritimin me ministrin e Jashtëm, Nard Koka tha se në ditët në vijim do të flasë për emërimet klienteliste të Bushatit në diplomaci, si rasti i konsullit të Barit në ambasadën tonë në Katar, por dhe konsullin shqiptar në Turqi, duke e emëruar në Romë, raporton “Panorama”.
Në mars të këtij viti, konsullja shqiptare në Milano është shkarkuar nga ministri Bushati pas zbulimit që një emision investigativ ka bërë duke e akuzuar atë se kishte marrë 1 mijë euro për të dhënë certifikatë martese për një shtetase shqiptare në Itali.
Luljeta Çobanaj, ishkonsullja e shkarkuar, ditën e shkarkimit ka akuzuar deputetin Eduard Ndocaj se, pasi mori mandatin, kërkonte privilegje dhe shërbime të paligjshme nga kjo konsullatë.
“Pas zgjedhjes deputet, kërkoi ta trajtonte konsullatën e Milanos si çiflig të vetin. Kërkonte makinat ose favore për persona të caktuar, të cilat unë nuk kam mundur t’ia plotësoj, kur kanë qenë në kundërshtim me ligjin, pasi konsullata nuk është shërbim taksish”, është shprehur Çobanaj.
Nard Koka publikoi SMS e bisedës me Bushatin dhe konfirmoi për gazetën “Panorama” se SMS-ja është nisur prej tij në telefonin e ministrit Bushati, nga i cili ka marrë reagimin që është i dukshëm në këtë mesazh.
Duke folur për gazetën “Panorama”, vëllai i ministrit të Mjedisit sqaroi se në një takim që Bushati ka bërë me stafin e konsullatës në Milano, ka akuzuar konsullen e parë të emëruar prej tij se ka dhënë katër herë certifikata martese për një prostitutë.
Si njohës i historisë, duket se Nard Koka nuk ka qenë dakord me këtë etiketim që ministri i ka bërë ish-konsulles. Madje, ai akuzon ministrin Bushati se i ka kërkuar para konsulles Luljeta Çobanaj nga shërbimet që ai siguronte në konsullatën tonë në Milano. “Shumë shpejt do të dalë e vërteta për Luljetën, së cilës i kërkonte para”- tha ai.
Panorama/d.i.