Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev bëri thirrje të mërkurën për “eliminimin fizik” të presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky pasi Moska akuzoi Kievin për një sulm me dron në Kremlin.
“Pas sulmit terrorist të sotëm, nuk ka asnjë alternativë tjetër veçse eliminimit fizik të Zelenskyt”, tha Medvedev, i cili ka qenë gjithnjë e më i ashpër që nga ofensiva e Moskës në Ukrainë.
Autoritetet ruse e akuzuan Ukrainën se kishte tentuar ta sulmonte Kremlinin me dy dronë gjatë natës në një përpjekje për ta vrarë presidentin e Rusisë, Vladimir Putinin.
Kremlini nuk paraqiti asnjë dëshmi për incidentin dhe në deklaratën e publikuar nuk u dhanë shumë detaje.
Ndërsa, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i mohoi pretendimet e Moskës duke thënë se Ukraina “nuk ka armë të mjaftueshme” për një sulm të tillë.
“Ne nuk e sulmuam Putinin… Ne luftojmë në territorin tonë, ne po mbrojmë fshatrat dhe qytetet tona,” u tha Zelensky gazetarëve në një konferencë shtypi me liderët në Helsinki.
Kremlini e cilësoi sulmin e pretenduar një “akt terrorist” dhe tha se forcat ushtarake dhe të sigurisë ruse i ndaluan dronët përpara se të kryhej sulmi./m.j