Nuk kanë fund telashet për Luis Rubiales! Pas shkarkimit të përkohshëm nga kryesia e Federatës Spanjolle të Futbollit, 46-vjeçari tashmë përballet me probleme me drejtësinë.
Ministria publike ka nxjerrë një dekret të hënën, në të cilin nis procedimin për “kryerjen e hetimit të fakteve që janë objekt i ankesës”, pas puthjes në gojë që Luis Rubiales i dha në ceremoninë e medaljeve të Kupës së Botës në Sidnej.
Sipas raportimeve nga gadishulli iberik, Prokuroria e Spanjës ka hapur një dosje për një ndjekje penale për puthjen e Jenni Hermosos me akuzën e sulmit seksual!
Në të njëjtën kohë, nëna e Rubiales ka kaluar në kundërsulm, pasi u mbyll në një kishë dhe filloi një grevë urie, duke protestuar kundër “luftës çnjerëzore” që synonte djalin e saj.
Por, kjo tentativë e dëshpëruar për të… frenuar zhvillimet, me gjasë nuk ka patur ndikim, pasi Prokuroria Spanjole ka nisur procedurat ligjore dhe është kthyer kundër ish-presidentit të FSHZH- së, me akuzën e sulmit seksual./m.j