Të paktën dy persona humbën jetën dhe 14 të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi me raketa dhe dronë të kryer nga rebelët Huthi ndaj qytetit Marib, në qendër të Jemenit.
Lajmi u bë i ditur nga qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Jemenit, ndërsa ministri i Shëndetësisë, Qasim Buhaibeh, sqaroi se bilanci i viktimave është ende paraprak.
Sipas autoriteteve, sulmi goditi lagje të banuara dhe kampe ku strehohen persona të zhvendosur brenda vendit. Pas ngjarjes, institucionet shëndetësore janë vendosur në gatishmëri të shtuar për përballimin e situatës.
Më herët gjatë ditës, Ministria e Mbrojtjes e Jemenit deklaroi se forcat e saj kishin rrëzuar disa dronë të lëshuar nga rebelët Huthi mbi Marib. Deri më tani, grupi Huthi nuk ka reaguar lidhur me akuzat e qeverisë.
Sulmi vjen në një periudhë të rikthimit të përplasjeve në disa zona të frontit që nga fillimi i korrikut, ku janë regjistruar dhjetëra viktima nga të dyja palët.
Jemeni ka përjetuar një qetësi relative në luftime që prej armëpushimit të arritur në prill të vitit 2022. Konflikti, që ka nisur më shumë se 11 vjet më parë, zhvillohet mes forcave qeveritare të mbështetura nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite dhe rebelëve Huthi, të mbështetur nga Irani, të cilët kontrollojnë kryeqytetin Sanaa dhe pjesë të tjera të vendit që prej shtatorit 2014.










