Skeda e librit: PERANDORIA OSMANE, (1299 – 1922)
Autor: Prof. Dr. Ahmet Simsirgil (Ahmet Shimshirgil)
Përgatiti për botim: Mehdi Gurra
Përktheu nga anglishtja: Lorena Zhuli
-Botim i Fondacionit ALSAR-
Tiranë, 2025
Nga Kujtim Nuro*

Nuk është e lehtë të përgatitësh një libër të tillë, sepse në brendësi të librit, autori nuk ka paraqitur thjesht dhe vetëm jetën e sulltanëve, por, duke na dhënë në mënyrë të hollësishme jetën dhe veprimtarinë e 36 sulltanëve, ai na ka dhënë në mënyrë të plotë edhe historinë e gjithë Perandorisë Osmane. Historiani i mirënjohur ka ditur të analizojë të gjitha ngjarjet dhe sulltanët e kësaj periudhe të gjatë kohore duke përdorur metodën e krahasimit dhe të përgjithësimit të fakteve që nga fillimi i librit dhe deri në përfundim të tij. Dhe këtë mund ta bëjë vetëm një historian i përgatitur dhe i përkushtuar, siç është Prof. Dr. Ahmet Simsirgil. Për rrjedhojë, studiuesi dhe lexuesi do të kuptojnë dhe mësojnë lindjen, zgjerimin, disfatat dhe fitoret e kësaj Perandorie deri në rënien e saj, kur më 29 Tetor 1923, parlamenti turk nën drejtimin e Mustafa Ataturk shpalli krijimin e Republikës Turke. Njëkohësisht, libri do të shërbejë si një ndër burimet kryesore për studiuesit e historisë, afërsisht 630-vjeçare të kësaj Perandorie, si dhe një model i shkrimit akademik nga specialistët e rinj. Duke lexuar librin, lexuesi do të kuptojë se kjo perandori është perandoria më e madhe turke, e cila ka pasur një ekzistencë kohore në epokën e mesjetës, të rilindjes dhe të modernitetit. Kjo perandori ka arritur të shtrihet në tre kontinentet dhe të ketë një madhështi dhe lavdi që shoqëria njerëzore nuk e kishte njohur më parë. Bazën e krijimit, Perandoria Osmane e ka në dy fshatra të Anadollit, por për një periudhë pesëdhjetë vjeçare ajo filloi të shndërrohej në një shtet të Rumelisë dhe brenda 100 vjetëve, kufijtë e saj arritën deri në brigjet e Adriatikut.

Në këtë studim, autori thekson se ky shtet gjatë mbretërimit të 36 sulltanëve të kësaj Perandorie filloi me 400 çadra, me Osman Gaziun dhe me 3.000 km2, u zgjerua deri në rënien e saj në 2.2 milion km2 . Kjo perandori përfshinte brenda saj 72 popuj së bashku. Dhe një nga veçoritë ë bashkëjetesës së saj është toleranca që ajo ndoqi ndërmjet tre besimeve të ndryshme dhe institucioneve të tyre fetare. Dëshmi tjetër është toleranca që ajo mbajti ndaj hebrenjve, të cilët i mirëpriti kur erdhën në këtë Perandori nga Spanja dhe Portugalia. Gjithashtu, faktorë të tjerë të ekzistencës së saj për një periudhë kaq të gjatë kohore është krijimi i një ushtrie të madhe në numër dhe i një administrate qendrore dhe lokale të qëndrueshme, duke kryer vazhdimisht reforma për përmirësimin e saj. Porta e Lartë krijoi një sekretari të përkryer, e cila ishte pjesë e rëndësishme e burokracisë së një shteti. Rrjedhojë e sekretarisë së përkryer janë dokumentet e ruajtura deri në ditët e sotme, që ajo krijoi gjatë veprimtarisë së institucioneve të asaj periudhe. Ishin vetë personalisht sulltanët që tregonin vëmendje dhe kujdes për krijimin dhe ruajtjen e dokumenteve në vende të sigurta, jashtë lagështirës dhe fatkeqësive natyrore. Dëshmi janë dokumentet Osmane, që ruhen në Arkivin Qendror Shtetëror, Tiranë dhe ato që ruhen në Arkivin Osman të Stambollit. Kjo administratë vepronte në bazë të ligjeve, që u krijuan nga juristë dhe mendimtarë të aftë. Në këtë administratë përveç nëpunësve të besimit mysliman, kishte edhe nëpunës të besimeve të tjera. Edhe kur nga Shkodra i shkruan Sulltan Abdyl Hamitit se në sekretarinë e vilajetit të Shkodrës ka edhe nëpunës të besimit katolik, të cilët duhet të largohen nga detyra, ai iu është përgjigjur: Pavarësisht besimit, duke qenë se ata kanë eksperiencë dhe janë të aftë në punën e tyre, të vazhdojnë detyrën që iu është ngarkuar. E njëjta gjë ndodhi edhe me Sami Frashërin, kur në Parlamentin Osman, një deputet u ngrit dhe i kërkoi sulltanit të lartpërmendur që meqënëse Abdyl Frashëri ishte burgosur për shkak të qëndrimit të tij kundër Perandorisë Osmane, vëllai, Samiu, duhej të largohej nga Stambolli dhe të internohej në një nga vendet e largëta të kësaj Perandorie. Sulltan Hamiti heshti dhe Sami Frashëri vazhdoi detyrën e tij si kryesekretar i komisionit ushtarak i Portës së Lartë. Nëpunësit, që punonin në këto zyra zgjidheshin me konkurs, ashtu siç zgjidheshin edhe nëpunësit e kazave, sanxhaqeve dhe vilajeteve, të cilët përveç se duhet të ishin të aftë, duhet të dinin gjuhën e vendit ku shërbenin, traditat dhe zakonet e krahinës. Eshtë për tu theksuar se kur individë apo grupe të ndryshme të popullsisë i drejtonin ankesa sulltanit për ndonjë nëpunës që kishte shkelur rregullat dhe nuk kishte vepruar sipas ligjit, ai gjithmonë u jepte të drejtë këtyre dhe kërkonte që të merreshin masa ndëshkimorë ndaj nëpunësve, që kishin shkaktuar këto shqetësime. Karakteristikë tjetër e shumicës së sulltanëve të Perandorisë Osmane ishte se ata përpara se të ndërmerrnin fushata, të shpallnin vendime apo të hartonin ligje dhe t’i zbatonin ato, një deri dy ditë në javë i shpenzonin në mbledhjet me dijetarë të fushave të ndryshme, veçanërisht të jurisprudencës. Sulltan Murat Hani I II-të, përpara se të ndërronte jetë, i la porosinë djalit të tij: “Biri im, një sulltan është si një person, që mban një peshore. Kur të bëhesh sulltan, dëshiroj që ti ta mbash atë peshorë me drejtësi. Atëherë Perëndia do të lutet për më të mirën për ty”. Sulltanët nuk ndërhynin në vendimet e kadinjve, gjykatësve më të lartë të rangut islam. Porta e Lartë u bë shtëpia e dijetarëve dhe ulemavë të fesë islame. Prof. Ahmet Simsirgil në ketë studim të gjerë, nuk ka dhënë thjesht biografinë e sulltanëve që kanë drejtuar ketë perandori, por ai ka dhënë edhe fitoret dhe disfatat e tyre gjatë betejave ushtarake, aftësitë dhe mangësitë që ata kishin në drejtimin, organizimin dhe zgjerimin e Perandorisë, në zhvillimin urban të vendit, të ngritjes se institucioneve arsimore, fetare, sociale, etj. Ai jep të dhëna se si u krijua kjo fuqi madhështore, se ata ishin turq, mongolë apo arabë, duke arritur ne përfundimin se në bazë të dokumenteve arkivore, ata ishin vetëm me origjinë turke. Të gjithë sulltanët ndoqën si udhërrëfyes të jetës dhe veprimtarisë së tyre fjalët e fundit para vdekjes të sulltanit të parë, Osman Gaziut: “Qëllimi ynë nuk është një dominim i thjeshtë botëror, por përhapja e së vërtetës islame”. Këto parime ata i futën në çdo vend që pushtuan dhe administruan. Kurse Sulltan Orhan Gaziu, i cili ka ndërruar jetë në vitin1362 shpalli dekretin: “Drejtësia me e keqe është ajo që vjen me vonesë. Edhe pse vendimi është i drejtë, është torturë kur ajo vjen me vonesë.” Por, ai që hodhi themelet e një shteti të fuqishëm me organet e tij themelore në fushën e drejtesisë, financiare dhe ushtarake ishte Murat Hudavendigari (1362 -1389). Kanuni Sulltan Sulejmani (I madhërishmi: 1520-1566, errdhi në fron në moshën 26 vjeç dhe mbretëroi 46 vjet. Ai gjeti një mbështetje të madhe nga turqit, të cilët i dhanë pseudonimin ‘’Kanuni – I drejti Ligjvënësi). Gjatë sundimit të gjatë të tij, ushtritë osmane zhvilluan shume beteja në Europë, Azi dhe Afrikë. Territori i Perandorisë u zgjerua në të tre kontinentet, duke marrë drejtimin e 13 fushatave ushtarake. Ai i zgjeroi me 6.500.000 km2 tokat osmane, të cilat i trashëgoi nga babai i tij, Selim Hani (1512 -1520) me 14.800.000 km2. Veçori tjetër e tyre ka qenë, edhe pse ata kanë qenë zotërues të një Perandorie të madhe dhe të fuqishme, gjithmonë kanë bërë një jetë të thjeshtë. Nuk ndërtuan për vehte dhe familjet e tyre pallate apo vila luksoze. Autori vë në dukje se ata qëndruan në dhomat e tyre modeste të pallatit Topkapi. Ky pallat është ndërtuar në vitin 1478, projektues të të cilit ishin arkitektë turq, arabë dhe perëndimore. Sot ky pallat është një nga muzeumet me të njohura në botë dhe një nga vendet e para për tu vizituar, për të gjithë ata që vizitojnë Stambollin. Kurse një karakteristikë e jetës private të sulltanëvë ishte se bashkëshortet, në pallat ua zgjidhnin nënat e tyre. Dhe një nga këto vajza të pallatit është edhe sulltanesha Hyrem, gruaja e Sulejmanit të Madhërishëm, një nga personazhet kryesore të filmit serial televiziv turk me të njëjtin emër. Ky film është ndjekur edhe nga një numër i madh shikuesish shqiptarësh.

Prof.dr. Ahmet Simsirgil e përshkruan në mënyrë të hollësishme këtë sulltaneshë, sipas të cilit, Sulltanesha Hyremi ka të ngjarë që mund të jetë nga Ukraina perëndimore. Gruaja e dashur e Sulejmanit të Madhërishëm ishte në qendër të vëmendjes, që nga tiparet e saj fizike dhe deri te gjendja e saj morale, nga veshja dhe deri te veprimet që ajo kryente. Mendohet, -shkruan me poshtë autori-, se ka lindur në vitin 1506 dhe ishte bija e një prifti rus. Emri i vërtëtë i saj ishte Alksandra Lisovska. Ajo është skllavëruar nga turqit e Krimesë në moshën 9 vjeç dhe është arsimuar në Pallatin e Krimesë për disa vjet. Më vonë, me cilësitë dhe arsimimin e saj, ajo ju dha dhuratë Pallatit Osman nga Hani i Krimesë. Mbasi hyri në Pallatin Osman, ajo është edukuar me rregullat islame dhe turke. Për shkak të karakteristikave të saj të veçanta që kishte, në pallat iu dha emri Hyrem (e gëzuar – në persisht). Nëna ë Sulejman Hanit, Sulltanesha Hafsa e zgjodhi këtë vajzë të zgjuar, si grua për djalin e saj. Prof. Ahmet Simsirgil, përveç aftësive të sulltanëve në fushën ushtarake, të drejtimit dhe të organizimit të shtetit, ka ditur të na japë se një pjesë e tyre kanë qenë edhe poetë, poezia e të cilëve ishte pranë stilit të letërsisë së Divanit. Gjithashtu, sulltanët, për të parë me sytë e tyre kushtet dhe jetesën e popullsisë, vazhdimisht dhe veçanërisht gjatë muajit të shenjtë, Ramazanit, dilnin në qytet me rroba të tjera, si qytetare te thjeshtë për të kontrolluar dyqanet, çmimet e mallrave, deri edhe në saktësinë e peshës se bukës, të mishit dhe të produkteve të tjera që pronarët shisnin. Ndaj atyre që shkelnin rregullat, merreshin masa ndëshkimore.
*Osmanolog dhe Orientalist
Dy fjalë për autorin: Prof. Dr. Ahmet Simsirgil
Prof. Dr. Ahmet Simsirgil është një ndër historianët e shquar të Republikës së Turqisë. Ka mbaruar studimet e tij në Universitetin “Ataturk’’, Erzurum, në vitin 1978, në degën e historisë. Në vitin 2003 ka marrë titullin Prof. dr. dhe sot është pedagog pranë Departamentit të Historisë se Universitetit Marmara, Stamboll. Nga pena e tij kanë dalë mbi 40 libra kushtuar historisë së Perandorisë Osmane, në fushën administrative, politike, ekonomike sociale dhe fetare. Krahas kësaj, ai ka shkruar dhe një numër të shumtë artikujsh për ngjarjet historike në shtypin e përditshëm turk dhe është një përgatitës dhe bashkëbisedues aktiv në serialet televizivë të emisioneve me karaktër historik, duke u ndjekur me vëmendje nga mijëra shikues dhe dashamirës të historisë, jo vetëm në Turqi, por edhe nga jashtë saj. Një nga emisionet më interesante dhe më të ndjekura të tij, është emisioni televiziv serial: Historia dhe Qytetërimi. Fondacioni ALSAR, nën drejtimin e Mehdi Gurrës, ka dhënë dhe vazhdon të japë një ndihmesë të madhe në fushën e botimit të librave, jo vetëm të historisë dhe kulturës sonë kombëtare, por edhe të qytetërimit botëror. Ky fondacion, duke botuar kohët e fundit, edhe në shqip, të përkthyer nga anglishtja, librin e historianit të mirënjohur, Prof. dr. Ahmet Simsirgil, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së sulltanëve të Perandorisë Osmane, ka pasuruar në këtë mënyrë bibliotekat tona me një libër që iu ka munguar deri më sot jo vetëm studiuesve, mësuesve studentëve, veçanërisht të degës së historisë, por edhe publikut tonë të gjerë.











