• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, December 6, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Aktualitet

Studiuesi: Kryengritja e Fierit dhe si i zbardha fletoret e tij

Botohet me rastin e 90 vjetorit të kryengritjes

by S T
28/07/2025 19:14
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Jakov Milaj

(Përgatitur nga Aristotel Mici)-2   

Kryengritja e  Fierit më 14 gusht  1935 ishte një shpërthim i urrejtjes dhe zemërimit popullor  i mbledhur për gjatë viteve kundër regjimit të Amet Zogut  dhe njerëzve të tij më të afërt. Sa do e vogël në dukje, ajo kryengritje qe një revolucion në miniature, që tronditi shtetin  dhe pati jehonë brenda dhe jashtë vendit. Revolta e saj prirej nga ide të njerëzve përparimtarë, që nuk e pranonin formën  orientale të qeverisjes me nëpunës turkoshak të mykur, alla bejlurçin, siç i quante Fan Noli . Studiuesi Aristotel Mici është munduar të jetë sa më i thukët dhe i ndershëm me kujtimet e një prej figurave më të njohura të antropologjisë dhe historisë shqiptare. Falë tij ne kemi dhe këto kujtime…

Vijon

Kujtoj se ma dha fletoren e shkruar me një kaligrafi të qartë, (po në disa faqe të korrigjuar nga ai vetë). Me sa kuptova  ma dha për ta parë, dhe të shuaja disa  kuriozitete. E falënderova për këtë dhe kur u ndamë, e mora atë fletoren me vete. Nisa ta lexoja qysh atë natë, duke e nënvizuar. Në ndonjë paragraf leximi vështirësohej, se kishte korrigjime,  ku duhej të dalloheshin mirë  rregullime frazash, ose plotësime fjalish. Kuptohej se fletorja  ishte shkruar si kujtime për vetë autorin dhe jo me qëllim që ta merrte dikush tjetër, dhe aq më pak, që ta përhapte, a po ta  komentonte. Si të thuash,  ma kish  dhënë si për të plotësuar  disa nga kuriozitetet sipas pyetjeve që kisha bërë  tek pinim  kafe, ose çaj ndonjë mbrëmje më parë .                                                                                                                                     Mbas një kohe, kur u takuam, desha t’ia ktheja fletoren. Po i ndjeri Jakov, i sjellur si gjithnjë, me modesti, më tha: ”Po unë nuk ta dhashë që të ma ktheje, po ta mbaje si kujtim për  Kryengritjen e Fierit.”

Atëherë e falënderova  përsëri, duke i thënë se po e merrja  atë fletore me shënime jo vetëm si kujtim, po edhe si një dhuratë me vlerë  dokumentare për atë ngjarje historike të Fierit. Ashtu më    lindi ideja se në të ardhshmen  mund ta kisha atë si bazë fillestare për ndonjë shkrim rreth asaj    revolte popullore, që qe frymëzuar nga dëshira për demokraci  dhe ide antizogiste .

Me modesti, dua ta them se e ndjeva veten të vlerësuar, kur një  autor i shquar i publicistikës i viteve’30, të shekullit  të kaluar, koleg me Branko Merxhanin, e Vangjel Koçën, mik i ngushtë  i Migjenit, të më besonte mua, atëherë ende djalosh, dhe të më jepte, atë fletore, ku ishin fokusuar shumë kujtime, fakte, episode, opinione dhe analiza karakteresh  për atë ngjarje, që tronditi themelet e mbretërisë Zogiste siç qe Kryengritja e Fierit e 14 gushtit  1935 .

*                *                  *

Është me vend të them se ne përshtypjet e mia Jakov Milaj ishte intelektual i ngritur, që dinte të fliste me takt me gjithë njerëzit, jo vetëm me punonjësit e fushës së tij, qofshin ata kuadro a po teknikë të zooveterinarisë, po edhe me studentë, që vinin nga Instituti i Lartë Bujqësor për praktikë. Ballkoni i vogël përdhese i apartamentit të shtëpisë së tij, shpesh kthehej në një qendër konsultimi me studentët.

  • Sa mirë e gjen kohën, doktor, – i thashë një herë, kur e pashë të lodhur pas orarit zyrtar tek vazhdonte të merrej dhe me punë didaktike dhe komente profesionale me studentët e veterinarisë.

-E kam kënaqësi,- më tha t’ju shpjegoj studentëve të institutit, aq sa di dhe sa mundem . E ndjej edhe detyrim moral, se kështu shtojmë kuadrot e larta të veterinarisë dhe të zooteknisë, se pa këta specialistë nuk zhvillohet blegtoria, nuk rritet mirëqenia. Jo më kot Naim Frashëri e ka titulluar poemën e tij të famshme “Bagëti e Bujqësia”,…. pra fjala e parë e titullit të poemës është “Bagëtia”, gjë që tregon se përveç anës poetike, ka edhe atë të vlerës ekonomike .Po ndërkaq dua të shtoj se duke u dhënë ndihmën time këtyre studentëve të pasionuar, më kujtohet edhe djali im, Agroni, që sapo ka filluar teknikumin e veterinarisë në Shkodër.                          Atë çast e pyeta se a e pëlqente djali  atë shkollë?

– Ai e ka me shumë dëshirë, më tha, dhe unë jam shumë i kënaqur që ai do të marrë profesionin tim.

Përgjithësisht doktori nuk ishte njeri që hapej në motive personale nga e kaluara, po kur vinte puna te personi i Migjenit fliste me admirim dhe përkushtim. “Milloshi, – më tha një herë, – nuk gjeti një traditë aq realiste, ku të  mbështetej për pasqyrimin kritik të jetës, po me stilin e tij lakonik, dhe pasionin krijues, ai bëri traditë, gjë që u duk tek vepra  “Vargjet e lira”, po edhe në ato pak krijime në novelistikë”. Po për artikujt e vetë publicistikë  ai nuk fliste; Dr. Jakovi nuk  komentonte as për librin  e tij të llojit antropologjik “Raca Shqiptare” dhe  aq më pak për vepra në dorëshkrim, si mund të ishte edhe “fletorja” me kujtime dhe analiza situatash dhe karakteresh politike të Kryengritjes së Fierit, që më pat dhënë mua. Kështu, fjala vjen, për këtë rast të maturisë së tij etike, ia vlen të tregoj një episod të ndodhur me të. Qe fillim vjeshte dhe po shkoja në një udhë të drejtë, që më shpinte nga qendra e Fermës “Çlirimi” në fshatin Radostinë, ku kishte pak familje, që s’po i sillnin fëmijët në shkollë, se qe viti i parë, që kish filluar zbatimi i detyrimit  arsimor, pra jo vetëm për filloren, po edhe për shkollën unike (shtatëvjeçare). Tek po ecja në këmbë, ndjeva trokëllitjen e rrotave të një biroçi, që, kur mbërrijti pranë meje, ndali. Ktheva kokën dhe pashë doktor Jakovin, i cili po më ftonte të hipja në kaloshin, duke më thënë :

-Ke kuriozitet të shikosh pularinë dhe gjithë  fermën e shpendëve?

– Me kënaqësi, – i thashë, duke menduar se ashtu shkurtoja rrugën, por edhe se do të shikoja një kulturë të re në një shpendëtari të organizuar prej specialistësh me përvojë.

Dhe tek mora të  hipja në  birotçe, m’u kujtua koteci i vogël i nënës time, që kishte sajuar, diku jashtë pas në një kënd muri, me ca dërrasa të vjetra dhe e kish mbuluar me letra  katramaje, ku ajo  mundohej të shtronte ndonjë pulë shqerake.

Kur  kaloshini mori udhën, i thashë  Jakovit se “dhe unë çoç di nga praktika e nëna Linës rreth punëve  me shpendët, se edhe ajo ka sajuar një qymez … .po ku  koteci aq primitiv i nënës  time e ku  pularia gjigande me mijëra krerë shpendësh!….”

  • Ajo që thua ti se pularia e fermës është me përmasa të stërmëdha, në krahasim me kotecin e nënës tënde, është e vërtetë, po me gjithë atë, nga ana profesionale, Nëna Lina, ka diçka që na e kalon.

Dhe kur unë po  e dëgjoja si me habi, Dr. Jakovi, tërhoqi pak frerin e kalit, ndali karrocën dhe më tha: “Mos u çudit që them kështu, po e vërteta është se në qymezin e saj Nëna Lina rrit krahas zogjve shqerakë edhe zogj pulë deti, gjë që ne ende s’po e bëjmë dot. Pra të rrisim dhe ne kaposha deti .Mbase nuk është e zorshme,…. po ja që edhe rritja e zogjve  të pulës së detit i do ca shprehi mjeshtërie. Zogjtë e pulës së detit duhen ushqyer me durim. Nuk rriten pa mundim”.

Ndër kaq, gjeta rastin e i thashë se kisha filluar ta rilexoja “fletoren” e tij në dorëshkrim. Po ai nuk u hap, tundi pak kryet dhe foli i qetë: ”Lexoje pa ngutje, po kije një gjë parasysh se veprat në “dorëshkrim” u ngjajnë  “sytheve të fjetur” atje në trungjet e drurëve, që sipas botanikës mund të çelin ose jo, në mëvartësi të rrezeve të diellit.

Ja kështu ishte doktor Jakovi, i çiltër, që nuk ngutej, shumë popullor, po kudo i sjellur dhe me kulturë, po që nuk donte të binte në sy për vete, a po për veprën e tij.

*               *             *              *            *

 

E bëra këtë parantezë për të rrëfyer se në ç’rrethana më ra në dorë  fletorja me kujtimet dhe analizat që i bën Dr. Jakov Milaj  kryengritjes së Fierit  dhe disa personazheve të asaj kohe, po edhe të pohoj se mendimet dhe përshtypjet janë rrjedhojë direkt e fletores së shkruar shumë  vjet më parë dhe jo të stisura më vonë .

Pikërisht nga faqet e kësaj  fletoreje po përpiqem të nxjerrë fakte, detaje, që mund ta përshkruajmë sa më bindshëm të vërtetën rreth Kryengritjes së Fierit më 1935, pra përmes optikës së Jakov Milajt.

Duke rrëfyer dhe dokumentuar  materialet e “fletores” kam synuar të shpreh episode dhe fakte, që pasqyrojnë me autenticitet gjykimin e një intelektuali për ngjarjen, që na ka lënë në dorëshkrim. Prandaj librin po e titullojmë  “Kryengritjen e Fierit në Optikën e Dr. Jakov Milajt”,  i cili  siç e kemi përmendur, ka qenë pjesëmarrës direkt në atë ngjarje dhe i dënuar me burgim të përjetshëm .Për të ruajtur sa më mirë atmosferën e kohës nuk e kemi prekur leksikun ligjërimor të përdorur  nga autori në fletore; prandaj fjalëve të tilla, pak si arkaike, siç po përmendim disa syresh si gjindarmari, kontrabandier, gjykimore,  përfaqësonjës, abandonancë, maqinë, u kemi ruajtur trajtën  e tyre si në origjinal. Po për paraqitjen e materialit nga ana shkrimore, kemi pasur parasysh normën letrare të Kongresit të Drejtshkrimit.

Kapitulli i parë i fletores hapet me personin e mbretit. Duke biseduar një ditë e pyeta  autorin se pse e kish filluar analizën me Ahmet Zogun?

E kam filluar ashtu, sepse dihet,-  m’u  përgjegj,- se Kryengritja e Fierit ishte antizogiste. Rrëzimi i Zogut nga froni ishte qëllimi kryesor i Lëvizjes së Fierit. Së dyti, kjo lëvizje kërkonte edhe shkëputjen e Shqipërisë nga influence e Italisë fashiste. Po ky qëllim nuk mund të  arrihej me Ahmet Zogun në krye, i cili qysh në fillimet e veta të qeverisjes i qe  nënshtruar politikës italiane.

Duke parë këto fjalë të Dr. Jakovit, unë i thashë atij, një ditë, në se ai u mbahej  ende këtyre mendimeve të shkruara në fletore, dhe ai më sqaroi atëherë  se vazhdon të ish konsekuent  për gjithë vërejtjet dhe kritikat, që bënte, dhe  më tha se  “jo vetëm i kam jetuar ato ngjarje, po edhe i kam vuajtur. “- dhe pastaj ai vazhdoi, – unë nuk  i kam pas pëlqyer “hosanatë”, që i kushtoheshin  Ahmet Zogut, dhe as panegjerismat, që zbukurojnë ikjen e mbretit gjysmë fshehur, duke lënë  ushtrinë në mes të rrugës dhe duke abandonuar popullin e revoltuar, që kërkonte armë për të përballuar pushtimin”.

Pak a shumë këto mendime të shprehura me shkrim në këtë material do të formonin topikun, ose idenë kryesore të  gjithë faqeve të fletores të lëna dorëshkrim nga i ndjeri Jakov Milaj, të shkruara prej  tij disa dekada më parë .                                                                                                                          Me qëllim që materiali i  publikuar të jetë sa më i besueshëm për efekte dokumentare, po përpiqem t’i  jem  sa më pran origjinalit.

Dhe konkretisht qysh në faqen e parë të fletores  shkruhet se “Lëvizja e Fierit synonte rrëzimin e Zogut, shkëputjen e Shqipërisë nga influenca e huaj, shpalljen e një republike demokratike të udhëhequr nga  elementë përparimtarë. Për të realizuar këto qëllime, më parë duhej të zhdukej nga skena politike Ahmet Zogu, se ky ishte  armiku kryesor i popullit shqiptar dhe i Shqipërisë. Po shënoj  për këtë  vetëm pesë fakte, që vërtetojnë më së miri se ai ishte tradhtar i Atdheut, ishte njeriu që për para u shiti  Shqipërinë italianëve .Ai, për sa kohë sundoi, kishte një qëllim të vetëm: të grabiste sa më shumë për të siguruar jetë luksoze . Dhe për të grabitur nuk u druajt nga asnjë poshtërsi. Ja pesë fakte që njoh unë”:

1) Një nëpunës banke italian, Teruzzi, para çlirimit, qe drejtor bankën në Sarandë dhe në Vlorë, që punonte edhe në Bankën e Tiranës, në nëntor të vitit 1926 urdhërohet nga Baron  Aloisi dhe nga një eksponent tjetër i ardhur nga Italia, të qëndronte në zyrë pas mbarimit të orarit dhe të mbante sekretin me të madh për sa do të ndodhte. Kur kishte mbetur vetëm, natën më të errët, vjen aty me një maqinë eksponenti i Romës, dhe ngarkon  bashkë me Teruzzin shumë pako me para flori  dhe shkojnë së bashku në pallatin e presidentit të republikës, tregon ai.- Këtu Teruzzi shkarkon pakot me flori dhe i vendos  me radhë në një zyrë të madhe, në krye të së cilës ndodhej personalisht A. Zogu . Ishin rreth 200 000 napolona (afër 4 milion franga ar.). Teruzzi shkarkon arin, përshëndeti dhe lagohet. Mbetet në zyrë Baron Aloisi dhe përfaqësonjësi tjetër i dërguar nga Italia. Të nesërmen të gjitha angjensitë telegrafike të botës trumbetuan  lajmin e nënshkrimit të Paktit të Tiranës. “Mua më vinte turp,- më thoshte ky Italian, – që ai pakt   hyri në fuqi, pasi unë ngarkova në bankë  dhe shkarkova te Amet Zogu 200 000 napolona flori” . (fl.1-2).- në fletore.

2) Për të mbajtur salltanetet, më parë si president i republikës dhe më pas si mbret i Shqiptarëve, Zogu merrte për çdo vit nga Italia një milion lireta, që me kursin e asaj kohe bënin rreth 280 000 franga ari ose  14 000 napolona flori. Për shpenzimet personale në rangun e kryetarit të shtetit, Zogut, nuk i mjaftonin ato që merrte nga arka e varfër financiare, 500,000 fr. ari, për personin e tij, 200 000 fr. ari për nënën mbretëreshë, dhe nga 100 000 fr. ari në vit për çdo princeshë dhe princ, si dhe të  ardhurat nga çifligjet,  pyjet dhe qyteti i Sarandës, që me aq bujari ia dhuroi Parlamenti, pra s’i dilnin këto, po duhej të merrte edhe ryshfete vjetore nga Italia .

3) Më 1938, edhe frangu zviceran u çvlerësua si të gjitha kartëmonedhat e shteteve. Natyrisht të gjithë pasanikët, që kishin depozita nëpër bankat e Zvicrës, pësuan dëme. Me  këtë rast “Journal de Geneve” botoi një listë të dëmeve, që pësoi kapitali i çdo shteti në përpjesëtim me sasitë që ishin depozituar në bankat Zvicerane. Në kursin e saj kohe këto kishin vleftë gati të barabartë me frangat shqiptare. Po e kujt ishte e gjithë kjo depozitë monedhash shqiptare atje në bankat e Zvicrës? Sigurisht e Zogut dhe e Familjes mbretërore. Të mos harrojmë se në këto kohë i gjithë buxheti  vjetor i shtetit Shqiptar vërtitej rreth 15-20 milion franga ari .Pra Zogu nga grabitjet, rrogat e ryshfetet kishte grumbulluar e dërguar në bankat e huaja rreth trefishin  e të ardhurave vjetore të shtetit. Ky lajm është i saktë; ( por pa zënë në gojë  Lartmadhërinë), dhe është botuar edhe në revistën ”Përpjekja Shqiptare” të atij viti) (fq. 3 e fletores).

4) Dhe erdhi koha që Zogu të dorëzonte “mallin” për të cilin kishte marrë kaparin që prej 14 vjetësh, domethënë  të dorëzonte Shqipërinë te Italia. Po edhe në këto çaste dramatike të cilat do ta kishin hutuar çdo njeri, sado pa skrupull, që të ishte, ai nuk e humbi toruan për paratë.…Mendonte thesarin  e shtetit dhe nuk deshtë të largohej nga Shqipëria, pa futur në valixhet e udhëtimit dhe ato pak franga, që kishin mbetur në fundin e arkës qendrore të Ministrisë së Financave .                                                                                                                                                      Lidhur me zhvatjen e parave të thesarit nga Zogu në ditët e fundit të qëndrimit të tij  në Shqipëri, Jakov Milaj jep një tjetër dëshmi interesante lidhur me natyrën  e tij lakmitare për para: Në  orët e vigjiljes së pushtimit, “mbreti rrinte i strukur në shtëpinë e Koço Kotës, për të qenë i mbrojtur nga rreziqet. Në këtë shtëpi Zogu thirri drejtorin e Thesarit, Kel Naraçin dhe detyroi atë që t’i dorëzonte 250 000 franga ari, që gjendeshin në arkë. Kel  Naraçi ma ka përshkruar ankthin me të cilin ndodhej për të siguruar ndershmërinë  e tij, duke i marrë sovranit një nënshkrim, me të cilin të justifikonte në të ardhmen dorëzimin  e parave të fundit, që ishin mbledhur nga taksat. Më në fund edhe firma u vendos në proces verbalin e përpiluar nga Keli. Është një akt historik, që duhet gjetur dhe botuar (f.3-e fletores))

5) Kam njohur një shtetas italian të lindur dhe rritur në Shqipëri, me atin italian dhe  me nënë  shqiptare. E quanin Zef Xanuto. Ky kishte një shok e mik të nguste fëmijërie me kolonelin e aviacionit italian me mbiemrin Simini, i cili qe martuar me një vajzë shkodrane. Pikërisht ky kolonel, Simini, do t’i tregonte ne konfidencë Xanutos se “më 7 Prill 1939, skuadrilja ime kishte për detyrë që të fluturonte mbi rrugën Tiranë-Elbasan-Korçë-Bilisht, për të shoqëruar dhe mbrojtur nga sulmet e papritura të shqiptarëve karvanin e maqinave që transportonte Zogun, familjen mbretërore dhe klikën e tij për në Greqi.” Ky qe shërbimi i fundit, për ato që mori ai nga Italia. Këtë fakt, që sapo tregova ma ka thënë Zef Xanutua vetë,- pohon në shënimet e veta Dr. Milaj (fq. 5-6 )

Mjaftojnë këto pesë rrëfime për të provuar se sa përparimtar dhe patriot ka qenë Ahmet Zogu. – Kështu e mbyll ai këtë paragraf.

Ndër kohë gjendja ekonomike e mbarë vendit gjatë sundimit të A. Zogut vazhdon të rëndohej. Fshatarësia, e cila përbënte shumicën e popullatës, jetonte në varfëri, sa nuk siguronte bukë e gojës, ndërsa taksat sa vinin dhe shtoheshin, siç ishin taksat e “të tretës”,  taksa e “të dhjetës”, vergjia (Taksa e banesës), xhelepi  (Taksa që paguhej për bagëtinë). e të tjera (fq.8).Industri po thuajse nuk kishte, kurse prodhimet e artizanatit të konkuruara nga mallrat e importit e kishin humbur rëndësinë e dikurshme. Edhe midis punëtorëve, të cilët punonin nëpër ndërmarrje të huaja, sidomos italiane, kishte pakënaqësira kundër pronarëve, po edhe nga qeverisja e asaj kohe, që krijohej më shumë  edhe nga diskriminacioni kombëtar. Për të njëjtën punë dhe për të njëjtën  aftësi teknike, shqiptari shpërblehej shumë më pak se sa i huaji. Numrin e njerëzve të pakënaqur e shtonin edhe tregtarët e vegjël, të cilët përpiqeshin të shisnin mallrat e tyre nëpër fshatra, po këta nuk kishin fuqi blerëse, se edhe prodhimi  tyre qe fare i paktë (fletore.11) .

 Iluzioni i reformës agrare

Në ato rrethana, për të dalë nga vështirësitë ekonomike, nisi të flitej nga individë të ndryshëm për nevojën e  një reforme agrare. U duk sikur edhe mbreti e shikonte për mirë këtë ide të reformës agrare dhe ngarkoi një profesor, Lorenzani, për ta përgatitur  dhe  për ta parë pastaj me  Mehdi Frashërin .Në të vërtetë  në  vitin,1930, Zogu e dekretoi  reformën agrare, po ky akt qeveritar nuk pati për qëllim që të ndihmonte bujarisht fshatarësinë e varfër pa tokë, as që të çonte në rrugë  të mbarë bujqësinë, e cila shkonte nga viti në vit keqe më keq, por ajo synonte në dy pika të tjera: E para, që të ngjallte te fshatarët shpresën për një të ardhme më të mirë,  duke i bërë ata që të ëndërronin se nesër a pasnesër  do të kishin nga një copë  truall të vetin dhe një kasolle ku të futnin kokën; dhe kjo shpresë t’i largonte nga mendimi i ndonjë revolte të rrezikshme .

Ideja e dytë, ishte që kjo reformë t’u qëndronte mbi kokë si shpata e Damokleut çifligarëve, sidomos atyre  që ishin shfaqur si kundërshtarë që në vitet e para pas “Triumfit të Legalitetit”. Pra, mendohej se nga frika e reformës, këta (bejlerët kundërshtarë) nuk do të guxonin që të ngriheshin kundër Zogut, pse në qoftë se zbulohej ndonjë veprim i tillë, ata jo vet që do të dënoheshin, po do të humbisnin dhe çifliqet . (fetore.-12-13).

Zogu rierdhi në Shqipëri në fund të dhjetorit të vitit 1924 i përkrahur nga çifligarët dhe nga bajraktarët. Po me disa nga të parët i këputi shpejt lidhjet, që kur prishi fejesën me të bijën e Shevqet Vërlacit. Pasi e kish marrë pushtetin, ai kish vendosur që të sundonte në Shqipëri i vetëm pa pasur asnjë antagonist. Bejlerët e mëdhenj i kishte ferrë nëpër këmbë, meqenëse  nuk pranonin t’i bindeshin atij verbërisht. Ai dyshonte se mund t’i nxirrnin edhe telashe, sepse kishin një farë influence nëpër krahinat ku zotëronin tokat. Bëri çmos  për të zhdukur influencën e tyre;  bëri atentat kundër Shevqet Vërlacit, vrau të kunatin Ceno Beg Kryezinë, përjashtoi nga postet qeveritare Myfit Bej Libohovën . Nga  çifligarët e mëdhenj Zogu mbajti afër Toptanasit, në derën e të cilëve ishte nip, po dhe ndonjë bej tjetër pa personalitet, që nuk i sillte pengesa politike si Veli Juba, Ahmet Resuli, Sulçe Beg Bushati, Hysen Vrioni e të tjerë .Po në të vërtetë  figurat më të urryera të klikës zogiste  gjatë sundimit të tij ishin Abdurrahman Krosi, Musa Juka, Xhemal Aranitasi, dhe Koço Kota .Disa nga këta zyrtarë të larte vunë pasuri, blenë çifliqe, duke zënë vendin  e çifligarëve të vjetër (fletore.18- 19).

 

Me Shpalljen e Monarkisë

Dëshpërimi dhe urrejtja kundër  regjimit të Zogut  arriti kulmin pas shpalljes së Monarkisë. Pjesa më e madhe e Shqipërisë ishte gati të ngrihej kundër tij, po të kish pasur një udhëheqës patriot, të ndershëm e të mendshëm që t’i printe, mund të kish ndodhur ndonjë ndryshim. Po ky personalitet mungonte. Të arratisurit antizogistë tashi i kishin këputur lidhjet me popullin. Ata kishin hyrë në  marrëdhënie  me fuqitë e huaja. Shumë nga ata u kthyen në Shqipëri që në vitet e para pas ”triumfit të  Legalitetit”, tradhtuan  idealet demokratike e nacionaliste, për të cilat kishin luftuar dhe pranuan të merrnin poste me rëndësi në administratën e Zogut. Këta janë “Shën-Pjetrat në mangall”, që stigmatizonte FanNoli (Poezi ne “Albumin” e tij) (flet.26)

Atëherë, në ato rrethana, organizimi i një lëvizje antizogiste, që të arrinte rrëzimin e  regjimit, kishte dy pengesa:

  1. A) Shumë të paktë ishin ata që besonin se një ndërmarrjeje kaq të rëndësishme mund t’i dilej në krye vetëm duke u mbështetur në forcat e veta. Sipas tyre, duhej  që një fuqi e  huaj, e madhe, që të ndihmonte në fushën diplomatike, përkrahjen e lëvizjes që do të fillonte. Dhe ky ishte gabim i futur edhe në trurin e disa patriotëve të ndershëm. Nga ky koncept opinioni Shqiptar do të sqarohej atëherë, kur Partia Komuniste me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare vërtetoi se është populli ai që vendos për të shkundur zgjedhën robëronjëse, qoftë kjo e brendshme,  qoftë e jashtme. Këtë çështje atë kohë nuk e kuptonin dot as antizogistët. Për shkak të këtij mendimi të shtrembër kish dështuar ca vjet më parë  Kryengritja e Dukagjinit (Kryengritja e Dukagjinit ka ndodhur në vitit 1926 dhe ka  ka qenë antizogiste), “Organizata e Vlorës “ dhe disa grupime të tjera më të vogla.
  2. B) Pengesë e dytë, që pengonte organizimin e një lëvizje antizogiste, ishte personi, që do të caktohej në postin drejtues pas largimit të Zogut. Asnjë nga antizogistët e dëgjuar nuk pranonte që të bëhej i dytë dhe të parin t’ia linte dikujt tjetër, që të ishte më i zoti. Duke u mbështetur në këtë mendjemadhësi, shumë nga ata që mendonin të organizoheshin kundër Zogut, shqyrtonin më parë mundësinë për t’u bërë president a kryeministër. Ky patriotizëm fallco ra shumë në sy gjatë gjyqit që u bë kundër anëtarëve të organizatës së Vlorës. Midis patriotëve të ndershëm kishte edhe nga ata të periudhës’20-24 që mbetën të pakorruptuar.

Grupet antizogiste, nga fillimi i vitit 1934, u njësuan  dhe formuan një bashkim me emrin “Organizata e Fshehtë”, që u shtri në Tiranë dhe më pas edhe në qytete të tjera. Po kjo organizatë nuk kishte një program të paracaktuar mirë. Synimi kryesor ishte rrëzimi i Zogut dhe vendosja e një regjimi republikan demokratik të aftë për të zgjidhur problemet ekonomike dhe për të siguruar pavarësinë kombëtare. Mënyra e organizimit të grupeve dhe lidhjet që ata do të kishin me udhëheqjen dhe midis tyre nuk ishin përcaktuar me hollësi dhe nuk respektoheshin. Me gjithë këtë grupet u shumëzuan dhe u zgjeruan më tepër (f. 26 -27-28).

Grupi i demokratëve patriotë përbënte bërthamën e kryengritjes, që po organizohej. Në udhëheqjen e tij ishin caktuar tre oficerë të vjetër, të cilët me gjithëse  patriotë të mirë dhe ushtarakë të përgatitur, qenë përjashtuar nga postet që kishin pasur në ushtri e në gjindarmari dhe ishin nxjerrë në pension për shkak se nuk kishin qenë puthadorë të Zogut. Këta tre persona ishin: Ali Shevqet Shkupi, Ramiz Dibra, dhe Ali Fehmi Kosturi.

Që në fillimin e  organizimit këta ushtruan ndikimin e tyre në miq dhe shokë dhe u lidhën shpejt me disa oficerë, që mund të kishin lidhje edhe  me element komunist. Shënojmë se më 1934 grupe komuniste kishte ne Tiranë, në Korçë, në  Fier dhe në Peqin. Këto celula njiheshin midis tyre, po nuk kishin lidhje të ngushta disiplinore. Përbëheshin prej nëpunësish të vegjël. Kishte edhe ndonjë person të kthyer nga  Bashkimi Sovjetik. Ndonjëri ishte edhe me mision nga Kominterni me udhëzim që të krijonin lëvizjen komuniste në Shqipëri. Në radhët e tyre nuk kishte  punëtorë dhe fshatarë të  varfër, prandaj ndikimi i tyre në shtresat e gjëra popullore ishte shumë i kufizuar. Udhëheqësi kryesor i tyre ishte  Ali Kelmendi, në atë kohë i internuar në Korçë. Ai hyri në kontakt me borgjezinë antizogiste dhe  pranoi që të marrë pjesë e të bashkëpunonte, duke caktuar një vijë të vetme politike si edhe disa pika kryesore që duhet të respektoheshin pas rrëzimit të Zogut. Këto pika bazë ishin: Krijimi i republikës, anulimi i  marrëveshjeve që ishin lidhur deri atëherë me Italinë e Mussolinit, amnisti e gjërë për te gjithë të arratisurit politikë. Këto parime u pranuan pa ndonjë kundërshtim nga krerët e “Organizatës së fshehtë” .Pas kësaj marrëveshjeje, në udhëheqje të lëvizjes antizogiste hyri edhe Hasan Reçi si përfaqësues i komunistëve; kështu vazhdoi bashkëpunimi me “Organizatën e fshehtë” . Me këtë organizatë do të lidheshin edhe  Mustafa Gjinishi, që ndodhej në burgun e Tiranës si edhe Mustafa Kaçaçi dhe Jahja Baçi.

“Organizata e fshehtë” hyri në kontakt me edhe me bejlerët antizogistë, që përfaqësoheshin nga  Shevqet Vërlaci dhe Qemal Vrioni. Këta pranuan të merrnin pjesë në kryengritje dhe nuk kundërshtuan asnjë nga pikat kryesore të programit. Bejlerët kërkonin një lloj regjimi që t’u siguronte përjetësimin e pronës  tokësore, po, siç doli  më vonë, qëllimi i tyre ishte jo i pastër. Dihej se bejlerët e pasuruar me toka  ishin të lidhur ngushtë me çifliqet e tyre, po ashtu  edhe me Italinë, që u premtonte përjetësimin e atyre çifliqeve. (f.29)

Dukej se për lëvizjen antizogiste që po përgatitej qenë vënë në dijeni edhe diplomatët italianë,          të cilët kishin qëllimet e tyre të caktuara, t’i nxitnin vetë bejlerët që të bashkoheshin me  “Organizatën e fshehtë”, me qëllim që po të rrëzohej  Zogu, të mos  realizoheshin pikat kryesore  të marrëveshjes midis “Organizatës së fshehtë dhe Grupit Komunist. Mirë po ishte mezi i vitit 1935, kur Italia qe e zënë me pushtimin e Abisinisë dhe bëri kujdes, atëherë lidhur me momentin për situatën në Shqipëri, sepse agjentura italiane kishte konstatuar faktin se në “Organizatën e fshehtë” po ndihej fryma nacionaliste kundër italiane. Në ato rrethana, diplomacia  e saj  porositi njerëzit e vetë, që ta shmangnin  Kryengritjen, që mund të ndodhte në Shqipëri

Ndërsa komunistët nga ana e tyre, i pranuan bejlerët taktikisht në organizatë,  për të shfrytëzuar influencën që ata mund ta kishin në një pjesë të popullit nga njëra anë, po  nga ana tjetër edhe për të përfituar nga mundësitë e tyre financiare, për të blerë pushkë dhe municione. Kurse, pas triumfit të kryengritje, ata mendonin se nuk do ta kishin të vështirë, që t’i dëbonin bejlerët nga skena politike  dhe të krijonin në atë mënyrë një demokraci të tipit borgjez. Zhvillimi i ngjarjeve dhe grupzimi i forcave, do ta përcaktonin të ardhmen e regjimit të ri të vendit . (f.31).

Sipas planit të përgjithshëm të shtabit kryesor për kryengritjen do të kryheshin disa veprime:

Vijon

Next Post
Zjarret vijojnë në Vlorë e Sarandë, apeli i fortë i ministrit Vengu: Duhet kujdes maksimal

Zjarret vijojnë në Vlorë e Sarandë, apeli i fortë i ministrit Vengu: Duhet kujdes maksimal

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Epoka e artë e Trump/ Çupi: Ardhja e tij ishte domosdoshmëri, bota ndryshoi që kur fitoi zgjedhjet

Fjalëtore!, thotë Mark Zefi për foltoren e Mirditës

December 6, 2025
Shtëpia iu shemb nga rrëshqitjet e dheut, familja në Mat në qiell të hapur

Shtëpia iu shemb nga rrëshqitjet e dheut, familja në Mat në qiell të hapur

December 6, 2025
Përdhunuan në grup turisten e dehur, kërkohen nga 10 vite burg për peshëngritësin italian dhe tre shokët e tij

Përdhunuan në grup turisten e dehur, kërkohen nga 10 vite burg për peshëngritësin italian dhe tre shokët e tij

December 6, 2025
Burri tentoi të vrasë gruan në Durrës, e moshuara u gjet në tokë e gjakosur nga fqinjët! Dëgjuan zhurmat

Burri tentoi të vrasë gruan në Durrës, e moshuara u gjet në tokë e gjakosur nga fqinjët! Dëgjuan zhurmat

December 6, 2025
E rëndë në Greqi, pitbulli sulmon për vdekje foshnjën e shqiptarit, po luante në oborrin e shtëpisë

E rëndë në Greqi, pitbulli sulmon për vdekje foshnjën e shqiptarit, po luante në oborrin e shtëpisë

December 6, 2025
Bashkëpunëtorët e Assadit në mërgim, plan për të përmbysur qeverinë e Al-Sarrah

Bashkëpunëtorët e Assadit në mërgim, plan për të përmbysur qeverinë e Al-Sarrah

December 6, 2025
‘Zgjedhjet ishin të lira’, Sali Berisha sulmon sërish komisioneren Marta Kos: Deklarata pasionante….

‘Zgjedhjet ishin të lira’, Sali Berisha sulmon sërish komisioneren Marta Kos: Deklarata pasionante….

December 6, 2025
“Kur vinin klientë ajo ikte, unë bëja seks me ta”- E mitura tregon tmerrin se si ra pre e trafikantëve: Më dërguan në shtëpinë e një shqiptareje!

“Kur vinin klientë ajo ikte, unë bëja seks me ta”- E mitura tregon tmerrin se si ra pre e trafikantëve: Më dërguan në shtëpinë e një shqiptareje!

December 6, 2025
Tragjedi e rëndë, gjyshi e mbesa 3-muajshe sulmohen për vdekje nga qentë pitbull të familjes

Tragjedi e rëndë, gjyshi e mbesa 3-muajshe sulmohen për vdekje nga qentë pitbull të familjes

December 6, 2025
Horoskopi javor 9-15 shtator 2024, nga shenjat nga më pak fatlume tek ‘mbreti i javës’

Horoskopi ditor për nesër, e Dielë 7 dhjetor 2025

December 6, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In