Politikat miqësore dhe strategjitë kundër diskriminimit në sektorin publik e privat do të kontribuonin në një shoqëri më efektive në punë dhe më shumë qëndrueshmëri për biznesin dhe administratën. Për të pasur një panoramë më të qartë të situatës aktuale të barazisë gjinore në ambientet e punës por dhe krijimin e një ambienti më familjar në mjediset ku punëmarrësit kalojnë 8 deri në 12 orë, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) realizoi studimin kombëtar “Zbatimi i politikave të barazisë gjinore dhe miqësore për familjen në sektorin publik dhe atë privat”.
Gjetjet e studimit i referohen vështirësisë për të rritur një fëmijë, puna dhe leja e lindjes si një kohë e dedikimit ndaj të vegjëlve. Hapësirat dhe mundësitë që kanë ose duhet të krijojnë subjektet për nënat me fëmijë të vegjël që ushqehen me gji si dhe reduktimin deri në shmangien totale të diskriminimit në ambientet e punës.
Gjetjet e studimit kombëtar “Zbatimi i politikave të barazisë gjinore dhe miqësore për familjen në sektorin publik dhe atë privat”, tregojnë se të rrisësh një fëmijë në Shqipëri shihet si shumë e vështirë, ku më shumë gra se burra besojnë prindërimi do ta bënte më të vështirë për ato të gjejnë apo mbajnë një vend pune apo të ecin në karrierë. Nënat janë më të kufizuara për të bërë karrierë pasi leja e lindjes zakonisht jepet vetëm për nënat, jo për të dy prindërit. Të dhënat e studimit tregojnë se vetë, 3% e baballarëve deklarojnë se kanë marrë leje lindje.
UNFPA Albania, referuar gjetjeve të studimit evidenton se mjediset e punës nuk janë miqësore për gratë më shumë sesa për burrat, sepse gratë përballen me më shumë sfida, në përpjekje për të balancuar përgjegjësitë e tyre në punë dhe shtëpi. Por gratë nuk mendojnë të jenë thjeshtë dhe vetëm produktive në punë por edhe në bërjen e punëve të shtëpisë, gatimit dhe të kujdesen për mirërritjen e fëmijëve.
Për sa i takon investimeve në infrastrukturë por edhe në filozofinë e të funksionuarit, studimi evidenton se vetëm 4% e bizneseve private ofrojnë hapësirë për ushqyerjen me gji, edhe pse shumica e tyre dëshirojnë të ofrojnë më shumë mbështetje, por zakonisht e bëjnë këtë duke ofruar ditë leje nga puna. Gjithësesi, përsa i takon politikave miqësore, gjysma e bizneseve (52% e tyre) ka dëgjuar për politikat miqësore me familjen. Të dhënat tregojnë se kompanitë që operojnë në Tiranë dhe kompanitë e mëdha kanë më tepër njohuri rreth tyre. 49% e bizneseve mendon se aplikimi i politikave miqësore me familjen është i rëndësishëm për të gjithë punonjësit
Në vendin e punës vijon të ketë steriotipe se politikat miqësore për familjen janë kryesisht për gratë. Ndërsa në përgjithësi të dy sektorët, shtetëror dhe privat, mbështesin politikat miqësore ndaj familjes, besimi në shumicën e tyre është se këto politika janë kryesisht për gratë. Në këtë pikë, në sektorin publik drejtuesit e institucioneve i informojnë më shumë punonjësit e tyre për të drejtat dhe politikat miqësore për familjen. Vlerësuar me %, informohen plotësisht 21% e tyre, pjesërisht 41% dhe të painformuar 37%. Krahasuar me sektorin privat 71% e punonjësve nuk janë të informuar. Në sektorin privat punohet me orare më të zgjatura por punonjësit kanë deklaruar se oraret e tyre janë më fleksibël se oraret në sektorin publik.
Në Shqipëri duket se ne besojmë se prindërimi dhe rritja e fëmijëve të vegjël i bën nënat më pak produktive në punë. Por, pandemia Covid19 përmbysi disa nga praktikat dhe përceptimet deri më tani. Punëmarrësit dhe punëdhënësit kuptuan se edhe puna në distancë ishte produktive.
Gjatë intervistave të punës, të intervistuarit ende pyeten nëse janë të martuar ose me fëmijë. Sipas studimit, 62% e shohin normale që aplikanti i ri të pyetet për statusin martesor dhe nëse (do të ketë) ka fëmijë.
Ndërkohë që bizneset në përgjithësi duan të mbështesin politikat miqësore për familjen, pothuajse të gjithë mendojnë se qeveria duhet t’i mbështesë për zbatimin e politikave miqësore ndaj familjes përmes mekanizmave të ndryshëm si lehtësimi tatimor, mbështetje financiare apo promovim.
Ky studim u krye në kuadër të projektit “Më Shumë Zgjedhje : Politikat Familjare të Përgjegjshme Gjinore për Sektorin Privat në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi”, zbatuar nga UNFPA dhe mbështetur nga zyra e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim (ADC).
Qëllimi i studimit dhe prezantimi i gjetjeve me grupet e interesit ka për qëllim të sensibilizoj dhe të bind sa më shumë drejtuesit, subjektet se gratë duhet të mbështetet për të realizuar aspiratat e tyre për karrierë, për të pasur familje dhe lindur fëmijë. Burrat të mos kufizohen vetëm në rolin e atij sigurimit të ardhurave dhe ushqimit në shtëpi. Bizneset dhe qeveria të hartojnë dhe zbatojnë politika familjare të përgjegjshme gjinore që ndihmojnë punonjësit të balancojnë punën e jetën dhe të rrisin pjesëmarrjen e grave në tregun e punës dhe për opinionin publik që familjet që të ndajnë në mënyrë të barabartë midis burrave dhe grave punën dhe kujdesin e papaguar.