Studimi: Selfie-t kanë “vrarë” më shumë njerëz se peshkaqenët në 2015-ën
Peshkaqenët mund të konsiderohen si gjahtarët më të rrezikshëm që ekzistojnë, por një rrezik më i madh po shtohet çdo ditë e më shumë në jetën tuaj: Selfie. Më shumë njerëz kanë vdekur ndërsa fotografonin veten sesa janë sulmuar nga peshkaqenët gjatë këtij viti, shkruan Daily Mirror. Ky lajm është vërtet shokues për të gjithë të fiksuarit pas selfie-ve.
Një burrë 66-vjeçar japonez vdiq javën e shkuar ndërsa po fotografonte veten në Taj Mahal-in indian, pasi rrëshkiti nga shkallët. Me vdekjen e tij, numri i rasteve të personave që kanë humbur jetën duke bërë një selfie shkoi në 12. Ndërkohë që gjatë gjithë vitit ka patur vetëm 8 raste sulmesh vdekjeprurëse nga peshkaqenët, sipas Mashable.

Mund të duken krejt të parrezikshme, por katër vdekje janë shkaktuar nga pakujdesia dhe rënia nga lartësi të konsiderueshme duke dashur të bënin një selfie. Ndërsa shkaku më i madh i vdekjeve të shkaktuara nga selfiet ka qenë përplasja dhe goditja nga makina apo trena. Shqetësimet mbi këtë zakon të kthyer në një rrezik tashmë, ka bërë që shumë ambiente publike të ndalojnë realizimin e tyre duke vënë tabela paralajmëruese dhe ndaluese. Kanioni Ëaterton në Denver, Kolorado, u desh të mbyllej sepse vizitorët nuk mund të ndaleshin ndërsa tentonin të realizonin selfie me arinjtë.
Edhe Disney ka ndaluar përdorimin e shkopinjve për selfie në parkun e tyre me qëllim parandalimin e incidenteve.










