Pak ditë më parë Ministria e Brendshme prezantoi listën e qytetarëve shqiptarë me të drejtë vote për zgjedhjet e 30 qershorit. 3.45 milionë shqiptarë e janë me moshë madhore mbi 18 vjeç, duke pasur mundësi për të ushtruar edhe vullnetin e zgjedhësit.
Sipas studimit më të fundit të Pew Research Center mbi emigracionin, rreth 41% personave me shtetësi shqiptare të moshës madhore (18 vjeç e sipër) jetojnë në vende të tjera të botës (Greqi, Itali, SHBA, Gjermani, etj.).
Duke ndërthurur këto të dhëna, rezulton se në Shqipëri banojnë vetëm 2.1 milionë zgjedhës, ndërsa rreth 1.44 milionë të tjerë jetojnë jashtë saj.
Ndërkohë, sipas vlerësimit të përafërt të INSTAT-it, numri i banorëve të rritur (18 vjeç e sipër) në Shqipëri është rreth 2.2 milionë (ku përfshihen edhe shtetas të huaj me banim në Shqipëri).
Për këtë arsye, shifrat e Pew Research Center mund të jenë më të vlefshmet për përcaktimin e numrit të zgjedhësve me banim këtu.