• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, September 5, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Aktualitet

Studentët, si bastioni i fundit i demokracisë serbe

by S T
20/04/2026 20:08
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Dejan Çullafiq*

Serbia është një nga vendet e Ballkanit Perëndimor që, pavarësisht nga potenciali i saj i madh për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e BE-së, ka preferuar që të largohet nga ky rrugëtim. Kjo nuk ka ardhur si pasojë e mungesës së dëshirës së popullit serb për të qenë pjesë e familjes evropiane, por për shkak se Aleksandër Vuçiq ka zgjedhur të ruajë pushtetin e tij me çdo kusht, duke sakrifikuar aspiratën evropiane të popullit të tij. Gjatë viteve të fundit, apatia politike ka qenë norma, por një ngjarje tragjike solli ndryshime rrënjësore në skenën politike serbe.

Më 1 nëntor 2024, në Stacionin e Trenit të qytetit të Novi Sadit në Serbi, një strehë prej betoni dhe xhami e rikonstruktuar së fundi, ra mbi pasagjerët që ishin në pritje të trenit, duke vrarë 16 persona.

Kjo ngjarje tragjike ishte katalizatori i zhvillimeve të mëvonshme në Serbi. Që nga dita e tragjedisë e deri më sot, Serbia është përfshirë në një valë protestash me në krye “Studentët në Bllokadë”, të cilat kanë tronditur themelet e regjimit 13-vjeçar të presidentit Aleksandër Vuçiq.

“Studentët në Bllokadë” është një lëvizje e decentralizuar studentore, e cila përfshin një pjesë të madhe të fakulteteve të të gjitha universiteteve në vend. Kjo lëvizje është e përbërë nga plenumet, ku çdo student mund të japë mendimin e vet mbi veprimtarinë protestuese dhe vendimet mbi këtë veprimtari merren në mënyrë demokratike. Selia e kësaj Lëvizjeje ishte Universiteti.

Fillimisht, lëvizja studentore iu drejtua qeverisë me 4 kërkesa konkrete, të cilat ishin: publikimi i të gjitha dokumenteve në lidhje me rikonstruksionin e Stacionit të Trenti të Novi Sadit, identifikimi i të gjithë personave që sulmuan studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike, moment i cili konsiderohet edhe si pikënisja e protestave studentore, heqja e precedentëve penalë ndaj të gjithë studentëve në protestë, si edhe rritja me 20% e buxhetit të arsimit të lartë.

Reagimi i Qeverisë Vuçiq ndaj këtyre kërkesave ishte një përzierje midis përpjekjes për t’i qetësuar studentët me anë të lëshimeve minimale ndaj kërkesave të tyre dhe përdorimit të të gjithë aparatit shtetëror për ta shtypur lëvizjen e tyre.

Fillimisht, qeveria reagoi në mënyrë të dhunshme, por duke parë që situata nuk po zbutej, bëri disa lëshime të vogla si postimi i pjesshëm i dokumenteve lidhur me tragjedinë e Novi Sadit dhe shkarkimi i kryeministrit Vuçeviq pas dorëheqjes për shkak të akteve të dhunshme të policisë ndaj protestuesve. Por këto veprime u konsideruan të pamjaftueshme nga studentët në protestë, të cilët vazhduan të këmbëngulin në kërkesat e tyre.

Duke parë situatën, Qeveria vendosi të intensifikojë përdorimin e taktikave manovruese për dobësimin e lëvizjes studentore. Taktikat kryesore të përdorura përgjatë dy viteve të fundit nga kjo Qeveri kanë qenë: ushtrimi i dhunës ndaj studentëve dhe gazetarëve nga forcat e policisë dhe nga grupet e organizuara militante, arrestimi në masë i protestuesve, krijimi i një lëvizjeje studentore “pro vazhdimit të mësimit”, përdorimi i mjeteve të paligjshme si armët zanore dhe zhvillimi i fushatave desinformuese për lëvizjen e “Studentëve në Bllokadë” nëpërmjet mediave pro-qeveritare.

Por për shkak të përshkallëzimit të vazhdueshëm të dhunës dhe presionit ndaj tyre, “Studentët në Bllokadë” vendosën të merrnin masa drastike duke i dalë përballë partisë së drejtuar nga Aleksandër Vuçiq. Më 5 maj 2025, “Studentët në Bllokadë” shtuan një kërkesë tjetër ndaj qeverisë: zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Ndërkohë, në verën e vitit 2025, në kuadër të zgjedhjet lokale që do të zhvilloheshin më 29 mars 2026 në 10 bashki në veri të vendit, kjo lëvizje shpalli programin e saj elektoral si edhe listën e saj të kandidatëve me qëllim që të testonte nivelin e mbështetjes popullore ndaj saj dhe për t’u përgatitur për zgjedhjet parlamentare që mund të zhvilloheshin së shpejti.

Por për të siguruar fitoren në këto komuna Partia Progresiste Serbe e drejtuar nga Vuçiq, shfrytëzoi të gjithë aparatin shtetëror dhe lokal të pushtuar nga anëtarët e saj. Gjatë fushatës parazgjedhore, media të tilla si “N1” raportuan për blerje të pjesëmarrësve për të ndjekur mitingjet e Partisë Progresiste Serbe si edhe rritjen e bashkëpunimit midis bashkive të drejtuara nga “Progresistët” për ta bërë sa më tërheqës votimin për partinë e Vuçiq.

Dita e zgjedhjeve elektorale ishte edhe më kaotike, e mbushur me ngjarje që treguan qartazi kapjen e shtetit nga “Progresistët”. U raportuan raste të shumta dhune të ushtruar ndaj studentëve dhe gazetarëve të pranishëm në qendrat e votimit nga grupe militantësh me maska të mbrojtur nga policia, si dhe transportimi i grupeve të votuesve të organizuara nga “Progresistët”. Pjesëmarrja në të gjitha bashkitë ishte mbi 50%. Para përfundimit të numërimit të votave, Vuçiq shpalli fitoren në të 10 bashkitë.

Por nga këto zgjedhje lokale u konstatuan dy gjëra. E para ishte që rezultati më i ngushtë u arrit në dy bashkitë Bor dhe Arangjelovaç, të cilat ishin bashkitë e vetme ku lista studentore vendosi që të kandidojë bashkë me opozitën. E dyta, u vu re rënia e ndjeshme e votave të fituara nga partia në pushtet në të gjitha komunat në krahasim me zgjedhjet e mëparshme lokale.

Pas kësaj fitoreje, Vuçiq e ktheu fokusin drejt Universitetit, i cili konsiderohej si bastioni i fundit i Lëvizjes Studentore. Dhe për ta mposhtur këtë bastion, Qeveria Vuçiq shfrytëzoi ngjarjen tragjike të datës 26 mars 2026, ku një studente e Fakultetit të Filozofisë ra aksidentalisht nga një dritare e katit të pestë të godinës së Fakultetit. Për shkak të kësaj ngjarjeje, Qeveria vendosi të heqë autonominë e Universitetit.

Më 31 mars 2026, forcat policore bastisën ambientet e Rektoratit të Universitetit të Beogradit për të mbledhur prova mbi rastin tragjik. Sipas disa analistëve, kjo bastisje u bë që t’i hidhej faji Universitetit për aksidentin tragjik me qëllim që të dobësohej besueshmëria ndaj këtij institucioni. Studentët, jo vetëm që nuk qëndruan në heshtje, por përkundrazi, u përgjigjën në mënyrë të fuqishme duke u mbledhur para Rektoratit për të protestuar për veprimet e policisë. Pas shumë orësh brenda Rektoratit, Rektori i Universitetit të Beogradit doli në dritaren e ballkonit të Rektoratit duke ngritur duart lart dhe duke treguar mbështetjen e tij ndaj protestuesve. Studentët e përshëndetën këtë gjest me brohoritje. Ditën pasuese, Rektori Gjokiq shprehu në kanalin televiziv Nova gatishmërinë e tij për t’u përfshirë në listën elektorale në zgjedhjet e ardhshme nëse lëvizja studentore do t’ia kërkonte një gjë të tillë.

Ndodhitë e fundit treguan qartazi që “Studentët në Bllokadë” janë duke luftuar kundër një Regjimi të vendosur nga “Partia Progresiste Serbe” me në krye Aleksandër Vuçiq, i cili ka kontroll të plotë mbi të 4 pushtetet. Pavarësisht nga ky disavantazh, studentët kanë arritur të kenë suksese, por që me sa duket, nuk janë akoma të mjaftueshme për të sjellë ndryshimin.

Zgjedhjet lokale të zhvilluara në fund të marsit nxorën në pah nevojën që lëvizja të ketë në krye të saj Figura Qendrore me të cilat votuesit të mund të atashohen, nevojën për bashkëpunim më të ngushtë me opozitën, si dhe nevojën për krijimin e një programi të fuqishëm elektoral që do të garantojë stabilitetin ekonomiko-social pas ndryshimit të regjimit. Nëse arrin t’i përmbushë këto nevoja, ka shumë gjasa që lëvizja “Studentët në Bllokadë” të ketë sukses në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

*(Pedagog në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër)

 

Next Post
“Mburoja e Arbërit 26”/ Ushtria shqiptare teston gatishmërinë në stërvitjen 72-orëshe në terren (FOTO)

“Mburoja e Arbërit 26”/ Ushtria shqiptare teston gatishmërinë në stërvitjen 72-orëshe në terren (FOTO)

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Azili s’është më rrugë emigrimi. Aplikimet bien 28%, tani preferohen lejet e punës

Kriza e emigracionit, Gjermania: Jemi dakord për qendrat e deportimit jashtë BE

September 4, 2026
Zjarret në Fier, OSSH stakon energjinë elektrike në linjat e tensionit të lartë për arsye sigurie

Zjarret në Fier, OSSH stakon energjinë elektrike në linjat e tensionit të lartë për arsye sigurie

September 4, 2026
VIDEO / “Largohuni urgjent nga…”, shtohet rreziku nga zjarret në Himarë, Bashkia publikon numrat e emergjencës

VIDEO / “Largohuni urgjent nga…”, shtohet rreziku nga zjarret në Himarë, Bashkia publikon numrat e emergjencës

September 4, 2026
Nju Jorku i thotë “jo” AI-së në shkolla, chatbot-et ndalohen deri në gjimnaz

Nju Jorku i thotë “jo” AI-së në shkolla, chatbot-et ndalohen deri në gjimnaz

September 4, 2026
Përfshihet nga flakët lokali në Tiranë, nuk ka të lënduar

Dy banesa të djegura në Himarë, rrezikohen edhe 40 të tjera

September 4, 2026
Reagon Sandro Gozi: Rama e mori si akuzë, ne kërkuam vetëm të dimë kush ua mbylli llogaritë “Flamingove”

Reagon Sandro Gozi: Rama e mori si akuzë, ne kërkuam vetëm të dimë kush ua mbylli llogaritë “Flamingove”

September 4, 2026
“Protokolli ynë me Italinë është këtu për të qëndruar”/ Meloni falënderon Ramën pas deklaratës për emigrantët

Meloni: Ne ekstremistë? Evropa po na kopjon modelin e kampeve me Shqipërinë

September 4, 2026
Situatë kritike në Fier, ndërhyrje edhe në Dajt, shuhet vatra në Zall Herr. Ministri Nufi: FA në gatishmëri të plotë

Situatë kritike në Fier, ndërhyrje edhe në Dajt, shuhet vatra në Zall Herr. Ministri Nufi: FA në gatishmëri të plotë

September 4, 2026
Kali i Kaligulës

Kali i Kaligulës

September 4, 2026
Shqipërisë i mungon e djathta

Berisha gjysh dhe Berisha politikan

September 4, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com