Disa grupe studentësh dhe qytetarësh nga pjesë të ndryshme të Serbisë mbërritën të mërkurën në mbrëmje në Sheshin e Studentëve në Beograd, ku u pritën me muzikë, flakadanë dhe fishekzjarrë, përpara tubimit elektoral të lëvizjes “Lista e Studentëve”.
Marshuesit mbërritën nga Shabaci, Valjeva, Gornji Milanovaci, Novi Sadi dhe Zajeçari për të marrë pjesë në tubimin përmbyllës të fushatës, i planifikuar për të enjten në Sheshin Slavija, përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit, raportoi media lokale Insajder.
Pjesëmarrësve iu dhuruan medalje dhe certifikata mirënjohjeje pas mbërritjes, ndërsa disa prej marshuesve iu drejtuan turmës së mbledhur.
Studentët nga Serbia lindore mbërriti në Beograd pas gjashtë ditësh ecjeje, duke përshkuar rreth 240 kilometra nga Zajeçari. Ndërkohë, studentët dhe qytetarët nga Serbia perëndimore mbërritën pasi kaluan përmes Obrenovacit dhe Çukaricës, ndërsa grupi nga Novi Sadi hyri në kryeqytet përmes Beogradit të Ri dhe urës së Brankos.
Qytetarët i pritën marshuesit përgjatë rrugës, duke u ofruar ushqim dhe pije freskuese, pavarësisht lodhjes dhe lëndimeve të tyre, sipas Insajder.
Qarkullimi u ndërpre në rrugën Vasa Çarapiç, ndërsa mes Rektoratit dhe Teatrit Kombëtar u vendos një gardh metalik për t’u krijuar më shumë hapësirë këmbësorëve. Disa efektivë policie ishin të pranishëm në Sheshin e Republikës.
The post Studentët serbë marshojnë drejt Beogradit në prag të tubimit elektoral appeared first on Euronews Albania.
Burimi: Botë










