Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, prezantoi sot në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë strukturën e re të shëndetësisë.
Manastirliu u shpreh se sistemi i vlerësimit mes invaliditetit dhe aftësisë së kufizuar duhet të ndryshojë për t’i dhënë fund burokracive.
“Të bërit bashkë të shëndetësisë dhe çështjeve sociale, në fakt do ti japë menjëherë fund procedurave të hallakatura mes shëndetësisë dhe çështjeve sociale, mes mjekëve dhe komisioneve, me përcaktimin e aftësisë për punë apo të aftësisë së kufizuar. Përsa ju shpjegova më sipër, besoj se kjo është edhe një arsye më shumë për ti dhënë fund mundimeve të qytetarëve të cilët nuk duhet më të kalojnë në dhjetë zyra për sa e sa vula, por do të drejtohen në një njësi vlerësimi pasi të kenë shkuar vetëm tek mjeku i familjes apo ai specialist.”, tha Manastirliu.
Ndërkohë Kreu i Komisionit njëherësh kryetar i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasil, u shpreh skeptik ndaj propozimeve për ristrukturimin e ministrisë së shëndetësisë.
“Mjeksia dhe verifikimi mjeksor në ‘one stop shop’ nuk mund të kthehet, kështu që duhet ta sqaroni më qartë këtë gjë, nuk mund të gënjejmë shqiptarët duke thënë që gjithçka do të fillojë dhe kompetencat për të dhënë një vlerësim, i cili është jashtë kompetencave profesionalë të mjekut të familjes, do ta bëjë mjeku i familjes”, tha Vasili
Manastirliu bëri me dije se në programi i ri i qeverisë parashikon që deri në vitin 2021, koha e pritjes për të gjithë shërbimet që qytetarët do të marrin në spital, të përgjysmohet.
ma.me










