Nga Skënder Minxhozi/
Ja dy tema që vazhdojnë të mbajnë ndezur kërshërinë e opinionit publik, i cili tashmë ka veshur kostumet e banjos në një masë të madhe dhe po i ndjek lajmet nga rrjetet sociale dhe celularët. Një deklaratë e një zyrtari të lartë të shumicës rreth shëmtisë së strehës që Kryeministri Edi Rama inauguroi në portën hyrëse të godinës së qeverisë, ka rikthyer diskutimet mbi anën estetike, aspektin funksional dhe mesazhin e atij veprimi kurioz të Ramës. Mesa duket është pak e vështirë të gjenden avoketër publikë të asaj risie në hyrje të godinës hijerëndë të Kryeministrisë. Është një gjetje që nga ana estetike të krijon një asociacion të pazakontë me një kazino a diçka e ngjashme, e këtu punët ngatërrohen për shqiptarin e thjeshtë.
Paralelisht me strehën që ndizet e fiket të portës së Kryeministrisë, një tjetër debat, më serioz, por edhe më i manipulueshëm nga ana politike, vijon të marrë titujt e parë të shtypit të ditës. Dekriminalizimi dhe listat “e zeza” që lidhen me të, e kanë detyruar edhe një herë kryeministrin të dalë e të shpjegojë nocionin (sipas tij të thjeshtë), të pamundësisë të ndalimit të cilido që e ka të bardhë skedinën penale, për të hyrë në pazarin e madh të politikës. Edhe këtu, tamam si dritat që ndizen e fiken të portës hyrëse të kryeministrisë, varet se nga e vështron problemin. E drejta e të zgjedhurit është një standart kushtetues që nuk mund t’i mohohet askujt. Por kur kjo e drejtë përplaset diku me të shkuarën e njërit apo tjetrit kandidat, këtu lind një problem i natyrës morale, edhe nëse jo i natyrës ligjore. Është mëse e kuptueshme, ashtu siç e shpjegon sot Rama, se kandidatët me probleme eventuale në të shkuarën e tyre, mund të mos kenë pengesa formale dhe ligjore për të kandiduar, por a nuk do të ishte më e mirë dhe më e shëndetshme për demokracinë shqiptare, që të zgjedhurit e saj në poste drejtuese qendrorë apo lokale, të mos kenë qenë kurrë kontigjent i policive apo gjykatave? A nuk do të kishte qenë më e udhës që këta njerëz ta kenë të bardhë skendinën penale edhe në të shkuarën e largët, e pse jo, që të kenë më pak se një emër nëpër dokumentat e identifikimit?!
“Përshtirosja” estetike e Ylli Manjanit, në fakt nuk është vetëm e tij. Atë portë të stolisur ashtu, e kuptojnë dhe e pëlqejnë pak persona që u bie rruga të kalojnë aty, sidomos mbrëmjeve, kur spektakli i dritave të bën të mendosh për diçka tjetër, nga ajo që përfaqëson të vërtetë ajo godinë. Me shumë gjasë ky reagim mund të ketë lidhje edhe me nivelin e caktuar kulturor të njerëzve, por institucioni i qeverisë ka për detyrë të marrë parasysh se çfarë mendojnë dhe ndjejnë shqiptarët, pavarësisht nivelit estetik që kanë. E njëjta gjë vlen dhe për dekriminalizimin, në një rrafsh krejt të ndryshëm. Është koha dhe momenti që të dëgjohet humori, dëshirat, thirrjet e shqiptarëve dhe jo shqiptarëve, që këto “llamba” të ndezura në katet e larta të shtetit, të gjejnë një sistemim. Ky është faktikisht edhe misioni i një demokracie që funksionon, pra që të korrigjojë veten gjatë rrugës. Duke dalë më e fortë nga çdo ballafaqim me publikun dhe të vërtetën.









