Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame është akuzuar nga Partia Demokratike për shpërdorimin e 1.5 milionë dollarëve nga arka e shtetit. Deputeti demokrat Gent Strazimiri tha se matjet për të cilat janë marrë paratë nga Lame kanë qenë në zyrat e ALUIZNI-t që prej 2013.
“Kishte një ushtri me njerëz në rrugë për të bërë matjet, dhe sot për punën e bërë, për produktin që e ka në sirtar, në fakt një produkt që e ka gjetur aty sepse është bërë para vitit 2013, Lamja ka nxjerrë ca miliona të mira nga arka e shtetit, 1.5 milionë dollarë, dhe ia ka dhënë mikut të tij.
Për operacionin korruptiv është kujdesur drejtoresha e Lames, zonja Dervishaj! Ajo që mban firmën dhe vulën ka përcaktuar kriteret e tenderit, dhe rastësisht në fund, milionat i merrka burri i saj, Dervishaj.
Ai që nuk linte vend pa dhënë mendimin e tij të vyer, nga kangjellat e Presidences e deri te pllaka ne kalanë e Lezhes, ka disa ditë që ka humbur! Për 1.5 milionë dollarët në fjalë… nuk ka mendim…”, tha Strazimiri.
Deputeti demokrat tha se të gjitha materialet do të depozitohen në prokurori.
ALUIZNI u është përgjigjur akuzave të Partisë Demokratike për korrupsion me tenderat. Në një deklaratë për median, Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë i cilëson akuzat e opozitës si përbaltje të procesit të legalizimeve.
ALUIZNI thotë se disa nga drejtoritë rajonale me procedurën “Tender i Hapur dhe Kërkesë për kuotim për shërbimin” kanë hapur procedura prokurimi për disa zona sipas kompetencës së tyre. Agjencia thotë se nuk bëhet fjalë për tendera konsulence, por për tendera shërbimi.
“Nuk është prokurim konsulence, se s’kemi ç’të konsultojmë, por janë operatorë ekonomikë që do marrin metrin dhe latën dhe do bëjnë këpucët me baltë, duke shkuar në terren shtëpi më shtëpi”, thuhet në deklaratë.
Aty shtohet se kostoja e evidentimit faktik në terren nuk është shifra që pretendohet nga opozita, por është e përcaktuar qartë nga një vendim i Këshillit të Ministrave.
“S’do shumë mend për të kuptuar që, pasi Partia e Strazimirit për dy vjet rresht mbeti gojëmbyllur përpara suksesit të këtij procesi, tani ka vetëm një alternativë, të përsërisin të njëtat fjalë pavarësisht se çfarë sqarimesh marrin”, thuhet në deklaratë.
Në fund të këtij të deklaratës thuhet se procesi i legalizimeve do të vazhdojë për të gjitha shtëpitë e qytetarëve dhe do të jetë falas.