• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, December 16, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Strategjia e Trumpit 2025: Fundi i policit të botës dhe humbja e Europës

by Zef Mazi
12/12/2025 22:11
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga ambasador Zef Mazi

Para disa ditësh, Administrata e Trumpit paraqiti Strategjinë e Sigurisë Kombëtare 2025. Ata që kanë ndjekur nga afër fjalimet e Trumpit gjatë fushatës për president dhe pas inaugurimit, e shohin se Strategjia është reflektim i çfarë ka thënë; ajo ndjek të njëjtën linjë. Strategjia është ndryshimi më i shëndritshëm i drejtimit të politikës së jashtme nga ajo që është ndjekur në 30 vitet e fundit. Kjo ka domethënie të rëndësishme për Europën, Azinë, Afrikën, Hemisferën Perëndimore dhe Lindjen e Mesme. Politico e karakterizoi si: “riekuilibri i madh i pranisë globale të SHBA” (massive rebalancing of the global US presence). Ky është një riorganizim radikal: jo hegjemonia globale, por ecje drejt projektimit selektiv të forcës, nacionalizëm i ashpër ekonomik dhe kthim te Hemisfera Perëndimore. Disa dalin fitues, disa humbës, disa rajone lihen në vakum. Le të shohim vetëm disa pika që janë më afër nesh:

Nuk ecet më tej me politikën e “policit të botës” përmes intervencionizmit amerikan. Ekzagjerimi ushtarak i pas Luftës së Ftohtë njihet se ishte gabim.

Politika industriale, tarifat, pavarësia energjetike dhe dominimi teknologjik (AI, gjysmëpërçuesit, teknologjia kuantike) po bëhen baza e fuqisë ndërkombëtare. Prandaj, Amerika e Parë, ekonomikisht dhe gjeopolitikisht.

Kthim tek “Doktrina Monroe” e vitit 1824, ose një doktrinë alla Trump-Monroe. SHBA kërkon të rivendosë kontroll më të madh tek Amerika Latine dhe Karaibet, riorientim i fokusit tek Hemisfera Perëndimore.

Uashingtoni kërkon që Europa të mbrojë veten dhe të investojë 5% të PBB për mbrojtje. Europa po humbet rëndësinë strategjike, ajo kalon nga gabimi në gabim, orientohet jo drejt.

Konkurrenca nuk shihet parësisht si ushtarake, por si luftë në lëmin e industrisë, teknologjisë dhe tregtisë. Kina nuk është kundërshtari numër një, por konkurrente në luftën ekonomike.

SHBA do stabilitet rajonal dhe bashkëpunim ekonomik. Jo luftëra pa fund në Lindjen e Mesme.

Europa humbësja e madhe:

EUROPA është humbësja e madhe e kësaj strategjie. SHBA gradualisht po tërheq mbrojtjen ekzistuese gjeopolitike të kontinentit. Krijohet vakum sigurie që Europa nuk mundet ta mbushë dot vetëm, edhe pse asaj do t’i duhet të jetë e aftë të mbrojë veten në të ardhmen. NATO do të mbetet edhe për një numër vitesh, por jo ajo që është njohur deri tani në këto 35 vite: një NATO me unitet të sforcuar, fasadë për publikun, por që, sipas Amerikës, do të ketë më pak trupa amerikane dhe më shumë përgjegjësi evropiane në Europë. Kjo nuk duhet t’i vijë e papritur askujt.

Menaxhimi i humbjes në Ukrainë

Strategjia bën thirrje për “zgjidhje paqësore” për Ukrainën, jo çek të bardhë. Kjo do të thotë se Uashingtoni llogarit dhe është investuar në zgjidhje të negociuar, mbështetja ushtarake e tij do të jetë e kufizuar. Kemi të bëjmë me një menaxhim të kujdesshëm të humbjes përmes negociatave për paqe. Europa/BE dhe treshja evropiane luftënxitëse, e cila ka shkuar në kufirin e qesharakës me atë që thotë dhe bën, do duhet të mbajë e vetme barrën e konfliktit në të ardhmen. Ata ndjekin vetëm një synim: të bëhet çmos të prishet çdo përpjekje për mbarimin e luftës dhe për normalizim të marrëdhënieve ruso-amerikane. Mbarimi i luftës nxjerr në dritë të keqe gjithë përpjekjet e tyre 3-vjeçare për të vazhduar luftën, pavarësisht humbjeve kolosale dhe shkatërrimit të një shteti vetëm për të dëmtuar dhe dobësuar Rusinë, si dhe për të ruajtur pushtetin me çdo kusht duke frikësuar popujt e tyre.

Nuk është e besueshme se Rusia do të sulmojë Europën, nuk ka asnjë shenjë. Strategjikisht Rusia nuk ka asnjë interes dhe asnjë synim të tillë, sipas të gjithë raportimeve. Kjo është përsëritur sa e sa herë prej tyre, deri në nivelin e Putinit, se vetëm “nëse do të sulmohemi nga Europa, ne jemi gati që tani”. Treshja evropiane, e verbuar nga fobia dhe urrejtja, BE (jo e gjitha) dhe Ursula, vazhdojnë t’i bien daulles së luftës duke e çuar këtë linjë deri në marrëzi, përfshirë atë të Rutes në fjalën që mbajti në Berlin para dy ditësh! Kjo politikë luftënxitëse ka tre synime: për të frikësuar popujt e Europës me gogolin rus, për të mbuluar dështimet ekonomike dhe drejtimin e keq politik globalist, për të justifikuar rritjen marramendëse të shpenzimeve të luftës me para që mungojnë, nuk janë, por që do t’i marrin borxh, në vend që të mendojnë dhe të investojnë për të ngritur nivelin e popujve të tyre! Ndërkohë, rritet edhe më shumë presioni ekonomik ndaj BE-së, sepse SHBA po ri-industrializohet dhe po kthen në Amerikë zinxhirin e furnizimeve. Kritikohet rëndë politika identitare evropiane. SHBA e karakterizon Europën të dobësuar kulturalisht, demografikisht dhe politikisht. Një bombë diplomatike për qeveritë evropiane.

Nga G7 te C5: aleanca e re e superfuqive kundër Londrës

Le të kthehem te takimi Putin-Witkoff në Moskë më 2 dhjetor 2025. Atë ditë në Moskë ndodhi diçka e paprecedent: në Kremlin zhvillohej takimi Putin-Witkoff, ndërsa Lavrovi takohej me Wang Yi, Ministri i Jashtëm i Kinës. Ai takim nuk mund të ishte rastësi. Tre superfuqi botërore konverguan në Moskë dhe krahasuan qëndrimet. Këto tre superfuqi kanë forcën t’i japin fund një herë e përgjithmonë kontrollit perandorak britanik.

Trumpi e di mirë këtë gjë dhe po ndërton aleanca të reja me superfuqitë e tjera. Ai ka vënë në shënjestër zemrën e perëndorisë britanike, aty nga rrjedh paraja dhe kurdisen plane përplasëse. Mediat kryesore qeveritare dhe influencuesit nuk i përmendin këto realitete. Ato vazhdojnë të marrin ajrin e gjeopolitikës së ishujve që thotë se Kina, Rusia dhe/ose të dyja së bashku, do të jenë armiqtë tanë të përjetshëm. Lidhja e përjetshme me NATO-n, Europën, Ukrainën dhe marrëdhëniet speciale Britani-Amerikë, shihen si përpjekje që të çorientohet lëvizja “MAGA”. Por elitat e dinë mirë se bota po largohet prej tyre. Wall Street Journal i ka rënë alarmit përmes dy artikujve: “Shtytja e Trumpit për të ndalur luftën në Ukrainë po fut frikë për të ardhmen e NATO-s” dhe “Europa ka frikë se nuk mundet t’u afrohet dhe të arrijë nivelin e konkurrencës të të mëdhenjve”. Kemi një politikë të vjetër mbi 35-vjeçare të Britanisë për t’i mbajtur superfuqitë në përplasje, në luftë të përherëshme kundër njëra-tjetrës. Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, strategjia imperialiste britanike ka qenë bazuar vetëm tek ky parim. Lufta e Ftohtë, tensionet Rusi-Kinë, SHBA kundër Kinës, etj., kanë qenë në të njëjtën linjë, vetëm për interesat e tyre dhe jo të Amerikës. Kjo aksiomë është sfiduar nga Trumpi në mënyrën më të paprecedent. Ai rend ka marrë fund. Prandaj viti 2025 mund të konsiderohet se është më transformativi në politikën e jashtme amerikane që nga përfundimi i Luftës së II Botërore.

Përqasja e SHBA ndaj Rusisë dhe Kinës është krejt ndryshe nga përqasja e mëparshme. Ajo e trajton Rusinë si vend që ka shqetësime legjitime, prandaj edhe po ecin negociatat dypalëshe. Në mënyrë të ngjashme edhe me Kinën. XI dhe Trump janë takuar, do të takohen përsëri dhe do përcaktojnë drejtimin. Britania i trembet tepër kësaj linje, sepse bëhet fjalë për dialog direkt midis vendeve sovrane, jashtë të ashtuquajturit rend liberal i tregtisë së lirë alla-anglez i bazuar në rregulla, një krijim akrobatik pa bazë. Loja e deritanishme nuk funksionon më gjatë. Europa dhe Britania janë lënë jashtë dhe po bëhen gjithnjë e më shumë irrelevante. Dhe përgjigjen me përpjekje për të sabotuar procesin e paqes. Në vend që të përpiqen realisht t’i jepet fund luftës, treshja evropiane punon për ta përshkallëzuar luftën.

Është fakt se sovranistët po ngrihen në Europë, ndërsa evropianët, shumica, ende shohin ëndrra se duke nxitur luftë do arrijnë në paqe. Dhe vendosin sanksione që është vërtetuar se janë vetëshkatërruese, të dështuara. Si nuk e kuptojnë realitetin, si nuk ulen me këmbë në tokë se, kur 19 paketa sanksionesh nuk kanë funksionuar, përse vijon marrëzia dhe mendohet se do funksionojë paketa e 20-të?! I njëjti skenar për të sabotuar negociatat për paqe, që shkon përtej dimensionit Ukrainë, përtej mbajtjes të Ukrainës në luftë. U kanë mbetur fare pak karta në dorë për të luajtur, dhe ato i luajnë keq, në mesin e një katastrofe ekonomike, me politikat e gjelbërta, një tregti e lirë që nuk dihet çfarë do të thotë, me korrupsion dhe migrim, etj.

Në këto situata, ekuilibri i forcave po kalon te SHBA, Kina, Rusia, çka i frikëson në palcë disa evropianë, britanikët dhe bankat. Aspekti financiar është ana zyrtare, bankat qendrore, rrjedhja e parave, Banka e Llogarive Ndërkombëtare (Bank for International Settlements), bankat e tjera qendrore. Ndërsa ana tjetër është paraja e pisët, që është e lidhur me drogat. City of London dhe Ishujt Kajman siguruan rrjedhën financiare perëndimore që nga vitet 1970, prandaj nuk kanë kritikuar dhe as luftuar ndonjëherë realisht kundër drogës.

JD Vance dha një mesazh krejt të qartë kur tha se nuk mund të mbetemi të varur nga Kina, dhe Amerika po rimerr, po fiton sovranitetin e saj. Kjo është thelbësore. Ka dhe disa informacione që tregojnë se po ecet drejt shpërbërjes të G7 dhe krijimit të C5 (Core countries): SHBA, Kinë, Rusi, Indi dhe Japoni. Kjo lëvizje do prishë të parën, do tentojë të përcajë BRICS; ajo tregon edhe synimin që të prishet BE dhe të dobësohet NATO. Indirekt, hidhet dhe ideja e riorganizimit të OKB, duke zhbërë përfundimisht disa synime të ish-perandorive! Njëkohësisht punohet me Italinë dhe Austrinë, duke u përpjekur t’i bashkojnë ato Hungarisë, Çekisë dhe Sllovakisë për të forcuar të djathtën e qendrës, „patriotët sovranistë“.

Shënohet dështimi në Ukrainë, forcohet lidhja Rusi-Kinë, ecet kundër bllokut amorf në Bruksel, një ngrehinë artificiale e dështuar, globaliste, „woke“, deri në masën që, me çfarë thuhet, bëhet dhe vendoset, është kthyer kundër interesave të qytetarëve të tyre. Procesi i ngadaltë, toksik i dezintegrimit është diçka që ka marrë rrugë. Do duhen ende një numër vitesh, mendësia nuk ndryshohet lehtë, shpejt. Strukturat ekzistuese nuk shihen si pjesë e zgjidhjes, por si pjesë e problemit, pjesë e vjetëruar, që është ndryshuar me rrënjë nga arsyetimet dhe argumentimet e krijimit të tyre. Ndryshimi është i paevitueshëm.

Azia qendra e re e botës

Azia do të jetë qendra e re e konkurrencës globale. Ky do të jetë prioritet real i politikës së jashtme amerikane. Kina është kundërshtari primar i SHBA, por nuk ka skenarë lufte. Konflikti është spostuar, ka kaluar nga konfrontim ushtarak në politika industriale, tregtare, teknologjike. Synimi është që të zmbrapset ekonomikisht Kina. Lidhur me Tajvanin, do ketë kërcënime për përgjigje ushtarake, por nuk do ketë luftë. SHBA i jep siguri Tajvanit, por pa përshkallëzuar situatën. Stabiliteti është më i rëndësishëm se konflikti i hapur. SHBA kërkon qëndrim të qartë ndaj Kinës lidhur me korridoret tregtare, portet, teknologjinë, duke gjeopolitizuar gjithçka në përpjekjet për ndikim.

India shihet dhe mendohet se mund të përdoret si kundërpeshë. Punohet që India të jetë partner strategjik ekonomikisht dhe ushtarakisht. Ndërkohë India forcon marrëdhëniet e gjithanshme me Rusinë dhe gradualisht edhe Kinën.

Fokusi i ri politik në Hemisferën Perëndimore përbën ndryshimin më të madh në dekada. Rilindet “Doktrina Monroe”. SHBA kërkon të ketë kontroll më të madh në Amerikën Latine politikisht, ekonomikisht dhe në fushën e sigurisë. Nuk përjashtohet lufta kundër karteleve të drogës si misione dhe me operacione ushtarake.

Kryesorja në këtë përqasje nuk është as nafta, as droga, as Maduro, as demokracia dhe populli Venezuelian, por kufizimi, përmbajtja e fuqive të huaja, kryesisht Kina, Rusia dhe Irani. Ato duhen larguar nga rajoni. Por Kina ka investuar miliarda kryesisht në Venezuelë, dhe në vende të tjera, për mbi tre dekada. Shumë gjëra do të shihen sesi do të ecin dhe do të mësohen në vijimësi. Jetojmë ndryshime epokale.

Next Post
Avokati i Popullit/ Ndregjoni i zhgënjyer nga Berisha: I shkova çdo ditë poshtë ballkonit…

Avokati i Popullit/ Ndregjoni i zhgënjyer nga Berisha: I shkova çdo ditë poshtë ballkonit...

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In