Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri dhe Zyrën Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO), startoi nismën “Shtigje Rinore”, një program që synon të promovojë vlerat e OSBE-së mes të rinjve të Ballkanit Perëndimor. Nisma mbështetet financiarisht nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe përfshin 40 të rinj nga vende të Ballkanit Perëndimor në një program trajnimi dhe sesione diskutimi, si dhe në aktivitete sociale dhe në natyre që po mbahen në Tiranë më 13-17 shtator 2017. Kjo veprimtari zhvillohet në kuadrin e aktiviteteve me rastin e 20-vjetorit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, në vazhdën e punës së Prezencës për rritjen dhe zhvillimin e demokracisë, bashkëpunimit, paqes dhe sigurisë si vlera kryesore të OSBE-së.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku duke përshëndetur të rinjtë pjesëmarrës, theksoi se nisma të tilla janë një mundësi e mirë jo vetëm për të njohur kulturat dhe traditat e vendeve pjesëmarrëse, por edhe për afrimin e popujve ballkanik drejt një të ardhme të përbashkët. Mazniku nënvizoi faktin se të rinjtë janë të zhveshur nga komplekset dhe historitë e së shkuar dhe për këtë arsye janë një mundësi shumë i mirë për të afruar më shumë vendet e rajonit me njëra-tjetrën.
Në fjalën e tij, Ambasadori Bernd Borchardt, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, tha se brezi i ri duhet te vazhdojë përpjekjet e tanishme politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor për pajtim dhe për bashkëpunim. “Ju ftuam këtu që të takoheni me bashkëmoshatarët tuaj nga rajoni, që të bëheni shokë me njëri-tjetrin, por edhe që të diskutoni rreth praktikave më të mira në fushat e angazhimit të OSBE-së, si dhe që të argëtoheni në kohën e lirë. Por ne gjithashtu presim mendime, rezultate, kontribute nga ju në lidhje me punën tonë”, u tha Ambasadori Borchardt të rinjve nga mbarë rajoni që i janë bashkuar kësaj nisme.
Aktivitetin hapës e përshëndetën edhe Johan Sattler, Ambasador i Austrisë në Shqipëri; Djuro Blanusa, Sekretar i Përgjithshëm i RYCO; si dhe Odeta Barbullushi, Zv. Ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme.