• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, July 12, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Opinion

STAR WARS (Luftë “yllave”)

by Romina Kuko
11/07/2026 16:54
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Romina Kuko

Në vitin 2013, një peticion i nënshkruar nga 25 mijë amerikanë i kërkonte administratës Obama të ndërtonte një Death Star. Për ata që nuk kanë parë Star Wars, Death Star është një stacion luftarak sa një hënë e vogël, i armatosur me një superlazer që me një goditje të vetme shpërbën një planet të tërë. Si analogji, imagjinoni dikush të ndërtonte një “Google Earth” të armatosur ku në vend që të shohësh hartën, e fshin atë. Butoni “delete” për planetë të tërë, financuar me taksat e tua. Peticionarët e justifikonin kërkesën si investim për sigurinë, mbrojtjen dhe hapjen e vendeve të punës; absurde kjo e fundit, dmth Armagedon se na duhen vende pune.

Për surprizë të të gjithëve, Shtëpia e Bardhë ktheu përgjigje epike zyrtare që, pasi falenderonte qytetarët për këtë iniciativë “fantastike” pak a shumë, thoshte:
– Kostoja e ndërtimit të një Death Star të vërtetë do të ishte rreth 850 trilion dollarë pra sa gjithë GDP e planetit. Pra do na duhej të falimentonim gjithë qytetërimin për të financuar armën që do ta asgjësonte atë; një lloj suicidi fiskal me hapa të logjikshëm
– Administrata nuk mbështet shkatërrimin e planetëve si politikë shtetërore;
– Në vend të kësaj, deklarata e ktheu rastin në reklamë të NASA-s, si të thuash “meqë erdhët deri këtu për të kërkuar armë galaktike, urdhëroni, shikoni ç’bëjmë ne seriozisht.

Ishte kryevepër e përgjigjes diplomatike me humor të nivelit të lartë: si t’i thuash 25 mijë vetave se ëndrra e tyre është qesharake, pa i quajtur kurrë qesharakë. Mediat ndërkombëtare e rrotulluan ngjarjen me humor për javë të tëra dhe aty u mbyll përgjithmonë aventura e “guides së autostopistëve nëpër galaksi”. Edhe fantashkenca ka kufijtë e saj të dinjitetit.

E njëjta specie që i kërkoi qeverisë armë për të shpërbërë planetë, më parë në 2008 desh e vari të gjallë Steven Spielberg për një foto ku dilte i buzëqeshur si gjahtar mbi një dinozaur të vrarë. E mbytën me mallkime, kërcënime, epitete si kriminel , vrasës kafshësh, paçka se dinozaurët kanë nja 66 milionë vjet që janë zhdukur dhe kafsha e vrarë në foto për të cilën çirreshin në kor ishte një kockë plastike sajuar si dinozaur, e përdorur gjatë xhirimeve të Jurassic Park!

Psikologjia ka një emër për këtë: groupthink, të menduarit në grup që bëhet një amok vetë-përforcues dhe humbet çdo lidhje me realitetin dhe proporcionin e reagimit. Grupi mobilizohet emocionalisht në mani kolektive rreth një simboli (planet fiktiv, dinozaur i zhdukur prej miliona vitesh) dhe askush brenda grupit s’ngre dorën të pyesë “a ka ky reagim ndonjë lidhje me realitetin?”. Eksperimenti i burgut në Universitetin e Standford nga Paul Zimbardo e ka dokumentuar mirë se deri ku shkon mizoria njerëzore njëherë që hyn në rol.

Të njëjtin mekanizëm, tani, po pa asnjë humor për ta shpëtuar, po e shohim edhe në lagjen tonë të botës.

Ditët e fundit, “revolucioni” gjeti betejën e re: sulmin ndaj bizneseve, duke i lënë 1 yll të gjithë atyre që u konsideruan anti-protestë, pro-establishment. Grupe të tëra WhatsApp-i qarkullonin lista të përgatitura me kujdes klinik, për t’i shkatërruar reputacionin “borgjezisë”, po që në fakt këta borgjezët janë një prej nesh. Shqiptarë të mirë që kanë humbur netë gjumi, shëndet dhe rini për të ngritur diçka nga hiçi, shpesh me kredi mbi kurriz dhe ankth nga çdo fund muaji. Brenda një nate, gjithë ai mund u shndërrua në pluhur nga disa shumëkëmbësh që klikuan “1 yll” nga kolltuku i tyre, të kënaqur me veten sikur sapo kishin rrëzuar një diktaturë. Nëse ky nuk është terrorizëm ekonomik i ushtruar nga strehimi i anonimatit, s’e di si mund ta quajmë ndryshe. Por që është edhe idiotësi e pastër, kjo s’lë vend për diskutim.

E para: kur pretendon se je duke bërë revolucion, nuk godet pjesën e shëndetshme të ekonomisë duke e etiketuar armik, thjesht sepse është më e lehtë ta godasësh nga anonimati. E kuptoj afshin e hysamedinëve të klonuar për të luftuar kapitalizmin me metoda mizore, po ndërkohë, çdo goditje ndaj një biznesi të vogël e shndërron dikë neutral ose kurioz në armik të hapur të lëvizjes anti-establishment. Sot e pësoi kampingu dhe petullat, nesër është radha jote. Kjo logjikë, kur ushqehet, nuk ngopet kurrë, i duhet gjithmonë një yll i ri për ta fikur. Kjo ligjësi nuk fal askënd, s’ka rëndësi flamuri nën të cilin marshohet. Po i hape derën, bëhu gati kur rrota të rrotullohet.

E dyta: përtej ligësisë morale, është thjesht budallallëk teknik të mendosh se as shteti, as vetë platformat, nuk kanë mjete kundër kësaj. Google, si çdo platformë serioze, ka ekipe të dedikuara pikërisht për manipulim koordinuar të vlerësimeve. Ky lloj sulmi zbulohet dhe rikthehet mbrapsht brenda orësh, jo ditësh. Ndryshimi është vetëm se, tani, jemi bërë rasti studimor javor për prapësira. “Populli që u organizua në grupe për të sulmuar biznese armike në Google Maps si formë proteste politike”. Diku në një raport të brendshëm të Google, jemi ndoshta shembulli i ri për trajnimin e algoritmeve anti-mashtrim. Kjo lavdi s’na duhej me thënë të drejtën.

E treta: nuk e di ç’qark i shkurtër u ka ndodhur në tru “luftëtarëve anti-yje” që të besojnë se kjo kalon pa pasoja. Kush ju tha se liria për të menduar barazohet me lirinë për të vepruar në grup, koordinuar, kundër pasurisë së dikujt tjetër? Mund të urresh çdo gjë që të duash në kokën tënde po çasti kur e kthen atë urrejtje në sulm ekonomik të organizuar, aty mbaron liria dhe fillon përgjegjësia penale. Siç thotë shprehja lapidare e vjetër: “ji vetvetja, po jo shumë, se pastaj përplasesh me ligjin” dhe ligji, ndryshe nga yjet e Google s’kthehet mbrapsht brenda natës.

Për sygjakosurit e etur për pushtet që dirigjojnë orkestrën e maniako-yje-fikësve nga prapaskena, tani që dështuan, argumenti se shteti ekzagjeroi reagimin është thjesht një strategji dylekëshe për të minimizuar dëmin real që ky agresion po shkakton. Jo për vetë yjet se ato u rikuperuan mbrëmë nga Google me një klik. As për botsat apo bot-fermat e importuara nga ndonjë Nënvendosje diku këtu afër gjeografikisht. Por për tharmin e vërtetë të errësirës qe po mbrujtet. Një grupim ekstremist që me çdo “operacion” të ri e zgjeron pak më shumë kufirin e asaj çfarë shoqëria e pranon si normale. Dhunë, agresion, urrejtje e paketuar si aktivizëm. Këta janë kërcënimi më i madh ndaj yllit të Shqipërisë drejt BE, yll që në fakt duhet të jetë Ylli ynë Polar, ai që tregon drejtimin edhe kur gjithçka përreth është errësirë e organizuar. Derisa ta arrijmë atë, forca qoftë me ne!

P.S. Po me Kalanë e Rozafës ç’patën?

Next Post
“Evropa fillon në shtëpi”, ministri Ferit Hoxha me të rinjtë në Jalë: Anëtarësimi në BE kërkon përfshirjen tuaj

"Evropa fillon në shtëpi", ministri Ferit Hoxha me të rinjtë në Jalë: Anëtarësimi në BE kërkon përfshirjen tuaj

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Mbyllen 3 kapituj të integrimit, agjenda diplomatike e kryeministrit Rama në Bruksel dhe Paris

Mbyllen 3 kapituj të integrimit, agjenda diplomatike e kryeministrit Rama në Bruksel dhe Paris

July 12, 2026
Leo Messi i dhuron fanelën Roberto Baggios, pas fitores së Argjentinës ndaj Zvicrës

Leo Messi i dhuron fanelën Roberto Baggios, pas fitores së Argjentinës ndaj Zvicrës

July 12, 2026
Alarm për një automjet të dyshimtë pranë një sinagoge hebreje, evakuohen 300 persona në një periferi të Parisit

Alarm për një automjet të dyshimtë pranë një sinagoge hebreje, evakuohen 300 persona në një periferi të Parisit

July 12, 2026
Aksident i rëndë në aksin Gjirokastër-Tepelenë, motoçiklisti përplaset me maunen dhe humbet këmbën

Aksident i rëndë në aksin Gjirokastër-Tepelenë, motoçiklisti përplaset me maunen dhe humbet këmbën

July 12, 2026
Bie zjarr pranë fshatrave Zminec e Karroq në Finiq, terreni i vështirë pengon ndërhyrjen e zjarrfikësve

Bie zjarr pranë fshatrave Zminec e Karroq në Finiq, terreni i vështirë pengon ndërhyrjen e zjarrfikësve

July 12, 2026
Vrojtuesi i plazhit i shpëton jetën 67-vjeçarit që po lahej në Velipojë, doli nga deti në gjendje kritike

Vrojtuesi i plazhit i shpëton jetën 67-vjeçarit që po lahej në Velipojë, doli nga deti në gjendje kritike

July 12, 2026
Dyshohet se përdhunoi një 18-vjeçare gjermane, vihet nën hetim i riu shqiptar në Itali

Dyshohet se përdhunoi një 18-vjeçare gjermane, vihet nën hetim i riu shqiptar në Itali

July 12, 2026
Mbi 2 milionë banorë të evakuuar! Tajfuni Bavi ‘godet’ Kinën, stuhia shkakton përmbytje të mëdha

Mbi 2 milionë banorë të evakuuar! Tajfuni Bavi ‘godet’ Kinën, stuhia shkakton përmbytje të mëdha

July 12, 2026
“Faleminderit Edi Rama dhe gjithë Shqipërisë për mikpritjen”, mesazhi i Kanye West pas koncertit madhështor në Tiranë

“Faleminderit Edi Rama dhe gjithë Shqipërisë për mikpritjen”, mesazhi i Kanye West pas koncertit madhështor në Tiranë

July 12, 2026
Nga Lufta e Malvinave te “Dora e Zotit”, Angli-Argjentinë gjysmëfinalja me emocione përtej futbollit

Nga Lufta e Malvinave te “Dora e Zotit”, Angli-Argjentinë gjysmëfinalja me emocione përtej futbollit

July 12, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In