Në rishikimin më të fundit të saj, agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard & Poor’s (S&P) konfirmon për Shqipërinë vlerësimin aktual në “B+” si dhe me perspektivë “të qëndrueshme”.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj thekson se “pritshmëritë e S&P mbi zhvillimet e qëndrueshme të ekonomisë në periudhën afat-mesme mbeten pozitive, duke vlerësuar reformat dhe menaxhimin e financave publike shqiptare”.
“Pritshmëritë e S&P mbi zhvillimet e qëndrueshme të ekonomisë në periudhën afat-mesme mbeten pozitive, duke vlerësuar reformat dhe menaxhimin e financave publike shqiptare 🇦🇱 Agjenda e reformave të qeverisë do të vazhdojë në përmirësim të jetës së qytetarëve dhe klimës së biznesit në vend”, shkruan ministrja Denaj.
Ky vlerësim bazohet në pritshmëritë e S&P për një rritje të qëndrueshme ekonomike gjatë periudhës afat-mesme, vijimin e mbajtjes nën kontroll të deficitit buxhetor dhe uljes së borxhit publik.
Agjencia vlerëson se në vitin 2019 deficiti buxhetor ishte në përputhje të plotë me targetin prej 1.9% të PBB, pavarësisht se u godit nga një tërmet në tremujorin e fundit. Edhe zgjerimi i lehtë i deficitit në 2019 krahasuar me atë të vitit 2018 (1.6%), reflekton kryesisht rritjen e fortë të pagesave të rimbursimit të TVSH, e rrjedhimisht një performancë më të ulët se sa plani i të ardhurave neto nga taksat.
Agjencia pret një rritje të përkohshme të deficitit në vitin 2020 në nivelin 2.2% të PBB, duke qenë se qeveria do punojë intensivisht për ri-ndërtimin pas tërmetit, si dhe njëkohësisht do të vijojë me pastrimin e detyrimeve të prapambetura.
Në vitet më tej, agjencia projekton që deficiti buxhetor do të vijojë të reduktohet gradualisht përgjatë horizontit kohor afatmesëm. Ajo projekton se borxhi publik neto do të bjerë poshtë nivelit prej 60% të PBB deri në vitin 2022, në ndjekje të rregullit fiskal më afat-gjatë të përcaktuar në ligjin organik të buxhetit për reduktimin e borxhit publik poshtë nivelit prej 45% të PBB. Në këtë aspekt, ecuria mund të jetë edhe më e mirë në sajë të përpjekjeve të autoriteteve për të përmirësuar administrimin e mbledhjes së të ardhurave.
Agjencia vlerëson se autoritetet po vijojnë përpjekjet aktive për të përmirësuar profilin e borxhit publik, për të vijuar rritjen e maturitetit të tij, ulur risqet e rifinancimit dhe ato të kursit të këmbimit. Në këtë aspekt, edhe pse agjencia nuk sheh ndonjë pengesë për huamarrje të sektorit publik në tregun e brendshëm, vlerëson dhe pret që qeveria do vijojë të shohë për mundësi më të mira për të marrë hua në tregjet e huaja të cilat ofrojnë maturitete afat-gjatë.
Agjenda e reformave të qeverisë do të vazhdojë për të siguruar qëndrueshmëri ekonomike, përmirësim të jetës së qytetarëve dhe klimës së biznesit në vend. /e.s/