Nga Kristaq Xharo*
Kapiteni i Rangut të Parë Artur Mecollari është bërë lajm kryesor në këto ditë, por jo për meritë të tij. Për këtë Arturit nuk mund t’i japim asnjë meritë. Gjithçka i takon politikës që brenda ditës të bën ‘hero’ ose të dërrmon me ‘sukses’ në ingranazhet e veta të shpëlarjes. Çështja ‘Artur’ po i ngjan si dy pika uji “Çështjes Dreyfus” në Francë, në vitin 1894 kur kapiteni Alfred Dreyfus dënohet gabimisht për tradhti. Çështja u shndërrua në skandal politik dhe shihet shpesh si simbol universal i padrejtësisë, si dhe nga shembujt më të çuditshëm të dështimit të drejtësisë, ku rol të madh luajti shtypi dhe opinioni publik. I dënuar me burgim të përjetshëm nën akuzat se kishte dërguar dokumente sekrete franceze në ambasadën gjermane në Paris, Dreyfus u dërgua në koloninë burg në ishullin e Djallit në Guianën franceze. Për të mos pranuar se kishin vepruar gabim dhe për të mbrojtur veprimin e tyre, zyrtarët manipuluan faktet; madje sajuan akuza të tjera kundër Dreyfusit. Përfundimisht, të gjitha akuzat kundër tij u provuan të pabaza.
Arturi në kontekstin e termit spiun
Sipas shumicës së mediave, kapiteni Mecollari cilësohet spiun, ndërsa disa prej tyre shkuan edhe më tej duke përcaktuar edhe spiun i vendit ‘H’…… Meqenëse kishte mbi 25 vjet që nuk përdorej ky term iu drejtova disa fjalorëve të huaj sepse edhe Arturi quhej ‘spiun’ i huaj. Po citoj një ndër më të referueshmit Oxford Dictionary. “ … spiun është një person i punësuar nga një qeveri ose organizatë e një vendi për të afruar informacion të fshehtë mbi një vend të cilin e konsideron armik ose konkurrent..”. Dhe më tej si sinonime për termin ‘spiun’ ky fjalor afron: agjent sekret, agjent i mbuluar, agjent i armikut, agjent i huaj, agjent i shërbimit sekret, agjent i zbulimit, agjent i dyfishtë, kundërspiun, spiun industrial, kolonë e pestë etj. Termi është mjaft ‘pjellor’ dhe artikuluesit (politikanë, analistë apo gazetarë) mund të zgjedhin cilindo prej tyre. Por paradoksi qëndron sapo termi lidhet me një vend armik. Kujtoj se në të gjithë literaturën bashkëkohore të sigurisë: në strategji, doktrina, manuale, tekste, prej më shumë se 35 vitesh, është hequr termi ‘shtet armik’ në këtë rast edhe cilësimi për Arturin si ‘spiun i vendit H…’ mbetet i gjymtuar. Por ky kontekst nuk i intereson një pjese të politikës, që për interesin e tyre, edhe shtetet aleate mund të konsiderohen ‘armiq’.
Kapiteni i Rangut të Parë A.M. deklarojnë disa politikanë e mjeranë të medias ‘… ka dhënë informacione sekrete që cenojnë rëndë sigurinë kombëtare…’. Për të mos e lodhur lexuesin edhe me shpjegimin e termit ‘siguri kombëtare’, jam i sigurt që askush prej këtyre politikanëve nuk e kanë idenë e këtij koncepti ose më së paku të kenë lexuar një libër të vetëm. Nga mënyra se si diskutojnë, pjesa më e madhe duket se kanë mbetur në kohën e ‘sovranitetit vestfalian’ të vitit 1648, kur princat kërkonin që brenda territorit që zotëronin të kishin fuqi absolute. Sot, siguria kombëtare është pjesë dhe objekt i sigurisë kolektive (NATO), ndaj është absurditet të kërkosh vende armike dhe të anatemosh kapitenin duke krijuar fantazma për vendet që je në aleancë për sigurinë se po cenojnë sigurinë tonë kombëtare.
Arturi dhe dhënia e informacionit ‘armikut’….
Sipas legjislacionit shqiptar në informacion të klasifikuar (VKM 189, dt. 4.3.2015) përfshihen: Plane ushtarake, armatime ose operacione; kriptologji në objekte teknike, çështje shkencore, teknologjike dhe ekonomike. Duke qenë se Arturi është ushtarak nuk besoj që të akuzohet për spiunazh industrial, për shitje teknologjie, për ….. . Me siguri që Arturi ka dhënë informacion ushtarak. Këtu ngrihet një tjetër absurd. Çfarë lloj informacioni zotëron Arturi, që qenka bërë kaq atraktiv për zbulimet e huaja (të vendeve partnere) që nuk kanë informacion vendet e tjera apo agjencitë e tyre të zbulimit. Kam punuar tre vjet në NATO si zëvendëspërfaqësues i misionit të RSH. Çdo vit ne raportonim zyrtarisht në detaje për çdo zhvillim në Forcat e Armatosura. Megjithatë nuk është mburrje të deklarosh që FA çdo armatim, pajisje apo zhvillim e ka si kontribut i ndihmave që japin këto vende. Pra nuk ka asgjë të mos njihni vendet partnere. Edhe problemet që kemi ata i njohin shumë më mirë se liderët tanë politikë dhe ushtarakë. (lexo letrën e hapur të kolonelit amerikan Benjamin W. Covington III në datën 19 dhjetor 2014)
Por detyrimi për të dhënë informacion nuk është vetëm për vendet aleate në NATO. Çdo vend anëtar i OSBE është i detyruar në bazë të Dokumentit të Vjenës 2011 të japë informacion për armatimin dhe pajisjen. Ai ka të drejtë dhe detyrim të pres apo të bëjë deri në tri inspektime në vit në çdo vend që është i interesuar. Në shtator 2016 një ekip ekspertësh nga Rusia inspektoi Forcat tona të Armatosura ashtu si në Mars 2015 një ekip i përbashkët shqiptaro-gjerman inspektoi forcat e armatosura në Serbi. Pra askush nuk do të kishte nevojë për ‘spiun’ për pajisjet dhe armatimin në FA. Për çdo kureshtar vizitoni https://www.globalfirepower.com/ dhe do të gjeni shumë tepër informacion se çfarë mund të zotërojë çdo individ ushtarak apo civil për sigurinë kombëtare (të mbrojtjes). Mund të gjeni mjaftueshëm “informacion të klasifikuar” për vendin tonë për të parë edhe pozicionin aspak komod që ne vendosemi qoftë edhe në rajon.
Arturi është ushtarak, ‘për më keq’ është detar, që ndjen më shumë se gjithkush dhimbje për kapacitetet e Forcave tona Detare. Ju kujtojmë zelltarëve se kur flitet për ‘cenim të sigurisë’ në konceptin klasik kuptohet siguria territoriale: tokësore, detare, ajrore. Nuk është ‘informacion i klasifikuar’ të sqarojmë, se për secilën prej këtyre hapësirave, vendi ynë ndodhet tërësisht i sfiduar në kapacitetet e forcave të armatosura, nëse do të flitet për ruajtje të sigurisë kombëtare, jashtë kontekstit të sigurisë kolektive. Por, në dy prej këtyre komponentëve (nga tre): hapësirën detare dhe ajrore ne kemi pranuar ‘kapitullimin’. Vendi ynë nuk ka kapacitete minimale për të siguruar detin dhe ajrin. Në këto kushte, NATO duke e konsideruar hapësirën e vendit tonë njëkohësisht edhe hapësirë të përbashkët nën konceptin e mbrojtjes kolektive e ka ‘deleguar’ mbulimin e ajrit dhe detit nga vendet fqinje. Pra, agjencitë inteligjente të vendeve fqinje nuk kanë nevojë për të sajuar ‘spiunë’ për të marrë informacion për kapacitetet tona.
Atëherë çfarë informacioni mund të afronte kapiteni që të vlente kaq shumë, sa ata do të rekrutonin ushtarakë me të cilët ata janë së bashku në misione dhe shtabe të përbashkëta. Paradoksi qëndron te politika dhe analistët që nuk marrin mundimin të kuptojnë që strukturat e FA dhe agjencitë respektive kanë 25 vjet që angazhohen në një llogore me ushtarakët e tjerë nga vendet anëtare dhe partnere të NATO-s në misione luftarake dhe paqeruajtëse, stërvitje, në planifikime operacionale në të gjitha nivelet. Kapiteni Mecollari është një nga ushtarakët më të spikatur në operacione jo vetëm si shkolluar në akademitë më të famshme të SHBA dhe të perëndimit, por gjithmonë krenar që përfaqësonte vendin e tij.
Atëherë vjen një pyetje hipotetike: Përse të jenë të interesuar agjencitë e huaja të zbulimit për të marrë informacion nga Arturi? Mendimi gjithmonë lidhet me bregdetin. Mos vallë ne jemi duke ndërtuar në fshehtësi ndonjë bazë detare bërthamore, për të cilën ndoshta kanë informacion ata që po ulërijnë nëpër kanalet televizive dhe për të cilën agjencitë e huaja kanë aq shumë interes. Unë, si çdo ushtarak di që gjatë këtyre 25 viteve ne kemi braktisur më shumë se 90% të tyre dhe shumica e ministrave të mbrojtjes, sapo janë ulur në karrige, kanë kërkuar heqjen e bazave nga plani i shpërndarjes së FA duke i kthyer në zona biznesi.
Nëse nuk është fjala për ndonjë bazë bërthamore, ndoshta kapiteni Dreyfus (më falni Mecollari) ka ‘dhënë’ informacion për armët e reja detare. Por edhe këtu kam një dyshim. Ndërkohë që fuqia jonë luftarake detare shkon drejt ‘zero-s’ (sipas Global Index) çdo përpjekje për të rritur atë po bëhet nëpërmjet vendeve partnere ku Holanda është një nga më të spikaturit. Atëherë, çfarë lloj informacioni ka dhënë kapiten Arturi, sepse veç llojit të karburantit që furnizohen anijet, ne nuk kemi ndonjë informacion tjetër ‘sekret’. Pra edhe nëse Arturi do të kish synim ‘të cenonte sigurinë kombëtare’ nuk do të arrinte ta realizonte asnjëherë, sepse me keq se kaq Forcat detare nuk kanë qenë në ndonjë periudhë.
A prevalon zotërimi nga kapiteni i certifikatave më të larta të sigurisë nga NATO dhe nga vendi ndaj hipotezave apo dosjeve të sajuara?
Arturi para 15 ditëve u kthye nga operacioni më i rëndësishëm i NATO-s, që nga viti 2001. Që të jesh pjesëtar në këtë mision kërkohet të plotësosh disa kritere jo vetëm kombëtare por edhe të NATO-s. Certifikata “Cosmic Top Secret” me të cilin NATO certifikoi kapitenit përpara se ta angazhonte në nivelet më të larta të shtabit operacional në Kabul është një nga katër kategoritë e niveleve të besueshmërisë së NATO-s ku tre të tjera janë NATO Secret (NS); NATO Confidential (NC) dhe NATO Restricted (NR).
‘Cosmic Top Secret’ si kategoria më e lartë e besueshmërisë përcakton qartë se personave që e zotërojnë këtë certifikatë iu jepet akses në informacion ku keqpërdorimi i tyre “ … do të shkaktonte një dëm jashtëzakonisht të rëndë në NATO…” . Struktura që e jep këtë certifikatë është Divizioni i Sigurisë dhe Inteligjencës së Përbashkët të NATO-s. Certifikata jepet vetëm pasi analizohet informacioni i dërguar nga vendi përkatës dhe koordinohet nga të gjitha shërbimet inteligjente të vendeve anëtare të NATO-s.
Por duket se ajo çka është tërësisht zyrtare dhe e konfirmuar nga institucionet më të specializuar nuk kanë ndonjë peshë përballë disa politikanëve dhe analistëve që mendojnë se i dinë të gjitha.
Dhe së fundi a e ka ‘cenuar’ Kapiteni i Rangut të Parë Mecollari ‘sigurinë kombëtare’?
Më habit fakti se kur Këto ditë, studiot e etura për audiencë thërrasin persona që ‘dinë gjithçka’, por që nuk kanë asnjë lidhje apo njohuri profesionale për informacionin (e klasifikuar, konfidencial, sekret apo “Cosmic Top Secret’) dhe që vështirë se kanë lexuar ndonjë libër për sigurinë kombëtare dhe çështjet që lidhen me këtë objekt. Baza e diskutimit ngrihet mbi hamendjen dhe halucinacionet.
Asgjë nuk lidhet me veprimet e kapitenit të shfaqura dhe të deklaruara publikisht. Pa përmendur të gjitha ja pak prej tyre:
- Arturi së bashku me admiralin e flotës dhe një grup ushtarakësh profesionistë, në vitin 2011, refuzuan publikisht të nxirrnin nga plani i përhapjes së Forcave të Armatosura bazën e Bisht-Pallës, duke argumentuar se largimi i forcave detare nga kjo bazë përbënte “cenim kritik të sigurisë kombëtare”. Për këtë refuzim ky grup ushtarakësh u ndëshkua nga qeveria e asaj kohe dhe strukturat e FA u vunë në kërkim të gjenin apo të krijonin prova jo për rrezikun e rrëmbimit të bazës, por për ‘rrezikun’ e personave që mbronin bazën.
- Në vitin 2009-2010, Arturi përgatiti një analizë të detajuar ku argumentonte cenimin e sigurisë kombëtare nga marrëveshja e asaj kohe dhe ua paraqiti atë autoriteteve. Është gjerësisht e njohur ajo çka Arturi i deklaroi një prej drejtuesve më të lartë të qeverisë në atë kohë kur ai i kërkoi që në mënyrë të shkurtuar t’i përmblidhte me pak fjalë analizën prej 200 faqesh. “… nëse nënshkruhet kjo marrëveshje – u shpreh Arturi- ju do të renditeni të tretët pas Esat pashë Toptanit dhe Ahmet Zogut për ‘cenimin e sigurisë kombëtare’.
- Në vitin 2016, Arturi i shkroi prokurorit të Përgjithshëm Llalla, letër që tashmë është e hapur duke i bërë thirrje prokurorit që mbyllja e çështjes së marrëveshjes përbënte cenim të sigurisë kombëtare’.
Edhe më së paku këto mjaftojnë për të krijuar frontin e ‘luftës’. Nuk është thjesht kundër Arturit, sepse Arturi ka vetëm meritën që e kuptoi dhe guxoi nga të parët si patriot i vërtetë të reagonte ndaj një çështje dhe grupi që besoi se po cenonin sigurinë kombëtare për interesat e veta. Pra është më se e qartë që Arturi në asnjë rast nuk ka cenuar sigurinë kombëtare, por ai ka vënë në rrezik cenuesit e sigurisë kombëtare. Në këtë rast nuk mbetet asgjë tjetër veç t’i kërkojmë kapitenit “Fali Artur se nuk dinë se çfarë bëjnë …”. Ti kapiten je një admiral edhe nëse nuk do të të zyrtarizojnë ndonjëherë. (Mapo)
*Kristaq Xharo- Profesor Doktor
Pedagog në UET për Çështjet e Sigurisë dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare
Kolonel në rezervë (Ish-zëvendës përfaqësues në Misionin e RSH në NATO)