Nga Douglas London “The Wall Street Journal”
Unë kam punuar 34 vjet në shërbimin klandestin të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, CIA, dhe teksa ndjek nga TV luftën brutale të Vladimir Putinit në Ukrainë, kam dy ndjesi paralele. Nga njëra anë mbushem me trishtim, por nga ana tjetër shoh një mundësi të artë.
Spiunazhi është një aktivitet tinëzar. Dëmi i vetë-shkaktuar nga Putin ka bërë më shumë për t’i kthyer kundër njerëzit e tij sesa çdo gjë që mund të kishte bërë vetë Perëndimi. Zgjedhjet katastrofike të shefit të Kremlinit, po i detyrojnë strategët ushtarakë që të rishqyrtojnë se cilat taktika mund të përdoren kundër forcave të armatosura të mbivlerësuara, por në realitet shumë të dobëta të Rusisë.
Ekspertët politikë dhe ekonomistët po ri-mendojnë tani mjetet për ndëshkimin e sjelljeve keqdashëse të udhëheqësve të Rusisë. Agresorë të tjerë të mundshëm – si Kina – duhet të mbajnë shënime mbi atë që po ndodh me aleaten e tyre të ngushtë.
Nëse puna juaj është rekrutimi i spiunëve, dyshoj se rekrutimi duhet të jetë i mirë. Mistika ruse është zhdukur. Vladimir Putin ka dëshmuar se vendi i tij është fuqia në rënie, e përmendur shpesh edhe nga vëzhguesit më të informuar mbi Rusinë.
Akoma më pak ekspertë do të fantazojnë mbi dinakërinë dhe shkëlqimin strategjik të Putin.
Ai mund të ketë qenë vërtet një oficer i aftë operacionesh gjatë karrierës së tij në KGB. Por duket se atij i mungojnë shqisat e vetëdijes dhe kundërzbulimit.
Dhe sa më shumë që të shtrëngojë vidat e sigurisë së regjimit të tij, dhe të mbulojë dritaren e Rusisë përkundrejt botës, aq më shumë ka gjasa që ata nga të cilët ai varet, të kthehen në një moment kundër tij.
Ringjallja e perandorisë sovjetike, siç dëshiron të bëjë Vladimir Putin, sjell me vete të njëjtat forca që nxitën shumicën e agjentëve më të mirë të CIA-s të Traktatit të Varshavës, të kthehen kundër Kremlinit. Agjentët në të gjithë bllokun sovjetik kishin shpesh të njëjtën dëshirë: t’i shkaktonin Bashkimit Sovjetik çfarëdolloj dëmi që mundnin.
Ata e nisën luftën jo për para, por për të minuar një sistem toksik që pasuroi një elitë të korruptuar, që shkaktoi vuajtje dhe stanjacion ekonomik, që e çoi herë pas here në pragun e shfarosjes.
Disa nga agjentët rusë të CIA-s ishin aq të përkushtuar, sa që pavarësisht viteve të shërbimit dhe rrezikut për jetën, ata refuzuan të hiqnin dorë nga lufta dhe të largoheshin nga atdheu i tyre edhe kur ishin në një rrezik shumë të madh.
Një nga më të famshmit ishte Adolf Georgievich Tolkachev. I njohur si “Spiuni Një Miliardë Dollarësh”, Tolkachev ishte një inxhinier elektronik sovjetik. I zemëruar nga mënyra se si anëtarët e familjes së tij disidente kishin vuajtur nën sundimin e Stalinit, por edhe nga korrupsioni i madh në Kremlin, Tolkachev i ofroi CIA-s dokumente mbi sistemet raketore sovjetike, aviacionin ushtarak dhe radarët, të cilat minuan aftësitë ajrore sovjetike.
Dhe ato informacione kanë ende sot një vlerë shumë të madhe. Një spiun tjetër rus ishte gjeneralmajor Dmitri Fjodorovich Polyakov i Drejtorisë kryesore të Inteligjencës Sovjetike. Ai besonte se korrupsioni i kishte mohuar djalit të tij kujdesin mjekësor, duke çuar në vdekjen e tij.
Polyakov e ndihmoi SHBA-në që Lufta e Ftohtë të mos shndërrohej në një luftë të nxehtë, pra me përdorimin e armëve. Ai i siguroi SHBA-së të dhënat kyçe mbi ndarjen e fortë midis Moskës dhe Pekinit, dhe ndihmoi në bindjen e presidentit të kohës Richard Nixon, që të ndërmerrte misionin historik të rilidhjes së marrëdhënieve diplomatike me Kinën komuniste.
Në dhjetorin e vitit 1980, SHBA-ja përdori të dhënat konfidenciale të marra nga koloneli Ryszard Kuklinski, një oficer i lartë në Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë polake, dhe njëherazi një agjent i CIA-s, për të ekspozuar planet sovjetike për të pushtuar Poloninë.
Vendimi i Kuklinskit për t’u kthyer kundër padronëve të Kremlinit të qeverisë së tij, erdhi pasi tanket sovjetike u futën në Çekosllovaki për të shtypur Pranverën e Pragës të vitit 1968. Nëse e vërteta do të ishte në gjendje të depërtonte në perden e hekurt dhe të arrinte tek njerëz si Tolkachev, që nuk u largua kurrë nga Bashkimi Sovjetik dhe nuk kishte akses në botën e jashtme përveç radios me valë të shkurtra, atëherë Putin nuk do të jetë në gjendje të shuajë të vërtetën në epokën dixhitale.
Rusët kanë parë shfaqjen e kukullave dhe mund të shohin edhe fijet që i lëvizin ato. Vladimir Putin i ka dhënë një dhuratë të madhe një zyrtari rival të shërbimit sekret: një krizë e madhe që po përshkallëzohet. Dëshira për të marrë kontrollin mbi fatin e tyre në mesin e një krize, i nxit njerëzit të spiunojnë.
Oficerët e inteligjencës përfitojnë nga kjo dëshirë për të siguruar bashkëpunimin e një agjenti përmes frymëzimit, besimit dhe mjeteve për të realizuar një ndryshim. Dështimi i dukshëm i Putinit e ka thelluar krizën në Rusi, ka inkurajuar më tej rezistencën e ukrainasve, dhe ka frymëzuar përgjigjen e SHBA-së dhe aleatëve të saj.
Por nga ana tjetër ai po nxit besimin dhe po garanton mjetet edhe për kundërpërgjigjen e rusëve. Disa nga agjentët më të mirë të CIA-s kanë qenë vullnetarë, të cilët më në fund janë nxitur nga një ngjarje që ndryshojnë jetën e një njeriut, dhe i ofrojnë shërbimet e tyre një shërbimi inteligjent.
Tolkachev, Polyakov dhe Kuklinski ishin vullnetarë. Falë sjelljes skandaloze të presidentit rus, unë pres një rritje të numrit të vullnetarëve rusë që po mendojnë prej kohësh që të bëjnë diçka për ta përmirësuar të ardhmen e Rusisë, dhe që tani mund të jenë të hapur ndaj një bashkëpunimi për ta rrëzuar regjimin aktual.
Vladimir Putin do të përdorë frikësimin, dhunën, shtypjen dhe ryshfetin për të luftuar rrezikun e kundërzbulimit, dhe do t’i shpërblejë njerëzit e tij për besnikërinë e verbër që po tregojnë ndaj tij, por edhe oportunistët që dominojnë në sistemin e ndërtuar prej tij.
Por këto masa vetëm sa do të krijojnë stimuj për guximtarët që të veprojnë. Dhe aktualisht duhen vetëm disa gjëra që të nisë një ndryshim i jashtëzakonshëm. Putin ka shkatërruar brenda pak javësh atë që Rusisë i desh pothuajse 30 vjet për ta arritur.
Vendi i mbijetoi rreziqeve të falimentimit, edhe nga një mbrojtjes kombëtare e shkatërruar. Po ashtu Rusia i përdori të ardhurat e rritura nga nafta për të shtuar zhvillimin e brendshëm dhe ndikimin ndërkombëtar.
Forcat e armatosura ruse e projektuan fuqinë e Moskës jashtë vendit dhe shërbimet sekrete kanë vepruar pa u ndëshkuar, duke kryer operacione sabotazhi, vrasje, sulme kibernetike dhe fushata dezinformuese, që shkaktuan shumë dëme ekonomike dhe polarizuan ndjeshëm demokracitë liberale.
Vetëm disa javë më parë, rusët po pushonin në destinacione të largëta, po blinin makina të importuara dhe sende të tjera luksi. Sot rusët janë me fat nëse mund të arrijnë të tërheqin nga banka paratë e tyre (atë çfarë ka mbetur prej tyre pas zhvlerësimit të rublës), dhe të mbajnë vendin e tyre të punës.
Shumë shpejt ata mund ta kenë të vështirë të gjejnë ushqimin që duhet të shtrojnë në tryezën e tyre. Deri pak javë më parë, bota dridhej nga fuqia ruse. Putin nuk është më shahisti mjeshtëror. Ai është magjistari i madh dhe i fuqishëm i Ozit, i fshehur pas një perdeje. Ai ende mund ta çonte botën drejt një fundi apokaliptik.
Por këtë fuqi e kishin edhe paraardhësit e tij të Luftës së Ftohtë. Kjo gjë nuk e bëri Rusinë të madhe në sytë e popullit të saj as atëherë, dhe as sot. Shteti sovjetik shkatërroi pa dallim, në vend se të ndërtonte. Elitat ruse u zhytën në luks, ndërsa punëtorët sfiliteshin dhe vuanin çdo ditë.
Kjo i shtyu disa nga patriotët më të mëdhenj të Rusisë që të ndahen nga e kaluara. Vladimir Putin mund ta ringjallë perandorinë sovjetike, por ai do të duhet të përballet me një brez të ri patriotësh që do të luftojnë për lirinë e Rusisë dhe që do të sjellin fundin e tij. /abcnews.al
Shënim: Douglas London, ish-oficer i operacioneve të CIA-s, dhe autor i librit “Rekrutuesi:Spiunimi dhe arti i humbur i inteligjencës amerikane”.
g.kosovari