Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido i ftuar këtë të hënë në emisionin “Now” me Erla Mëhillin në Euronews Albania ka folur lidhur me propozimin për përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës. Sipas deputetit socialist, propozimi i kryetarit të partisë Edi Rama, ishte që ata të mos kenë pozicione drejtuese dhe se nuk ka patur përjashtim.
Ndërsa sa i përket fatit të tyre në Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, Bido bëri me dije se kjo është një procedurë më vete dhe ende e hapur, e cila pritet të shqyrtohet në ditët në vijim.
“Organet drejtuese të partisë janë Kryesia e Partisë, Asambleja Parlamentare deri në organizatën socialiste që është në nivelin bazë. Pra funksionarë të caktuar kanë të drejtë të marrin pjesë ose të mos marrin pjesë në këto organe.
Në rastin konkret kryeministri, kryetari i partisë socialiste propozoi që zonja Elisa Spiropali dhe zoti Plarent Ndreca të mos jenë në këtë pozicione drejtuese. Kjo për të qartësuar në radhë të parë termin përjashtim, se nuk ka pasur përjashtim. Përjashtimi është tjetër nocion, është çregjistrim nga partia. Është mosqenia më anëtar i Partisë Socialiste.
E të gjithë organeve drejtuese. Sa i përket sa i përket grupit parlamentar është procedurë më vete ku kryetari i grupit parlamentar do duhet t’i dërgojë një shkresë kryetarit të Kuvendit që përcakton që x deputet nuk është më ë deputet i Partisë Socialiste dhe kjo është për t’u parë ditën në vijim.
Kjo është një vendimmarrje e cila i takon ditëve në vijim Kryesisë së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste”, tha Bido.









