Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, në një intervistë në emisionin “Kjo javë” në “News 24” deklaroi se PS në Kamëz mori 4000 vota më shumë nga se kishte marrë në zgjedhjet e mëparshme.
Spiropali theksoi se qytetarët shqiptarë po vlerësojnë punën dhe nuk e shohin më partinë politike sikur të jenë fansa futbolli.
“Jam shumë e lumtur për fitoren e madhe dhe për fitoren tonë të vogël, në qarkun e Tiranës, por edhe në zona, që janë quajtur tradicionalisht si bastione të PD-së. Rritja e PS-së në këto zona është shenjë e mirë se puna vlerësohet. Njerëzit votojnë për ata që punojnë.
Në Kamëz, kemi marrë 4000 vota më shumë nga zgjedhjet e mëparshme. Në Vorë morëm 3000 vota më shumë nga herët e tjera. Në Tiranë morëm 18 mandate, që është një rezultat shumë i mirë për skuadrën tonë. Informacioni i munguar ka bërë që shumë vota të jenë të pavlefshme, duke na hunbur edhe vota si PS”, tha Spiropali.
“Basha vazhdon të këndojë të njëjtën këngë, i them ndrysho regjistër, kaq mund t’i them Bashës. Problemi i Bashës janë zgjedhjet brenda PD-së. Por, kjo nuk na takon neve. Ne na takon që të punojmë më shumë. Ne nuk do të merremi me ta.
Është karakteristikë e humbësit që të merret me fituesin, por ne nuk do të merremi me humbësin, por ne do të bëjmë punë. Në parlament e në qeveri do të merremi me punë konkrete, do vazhdojmë me vaksinimin dhe rindërtimin. Të gjithë shqiptarët presin, urojmë që deri në qershor të kemi vaksinuar 1 milionë shqiptarë”, u shpreh Spiropali. BW