Komisioni i Venecias ka pranuar të shqyrtojë kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë për mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
Sipas njoftimit për shtyp të bërë sot nga Komisioni i Venecias, kërkesa është parashtruar më 13 shtator nga kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, për një opinion lidhur mbi marrëdhëniet ndërmjet demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe vendimeve detyruese të Gjykatës Kushtetuese.
Gjithashtu komisioni ka njoftuar se do të ketë një diskutim lidhur me çështjen, brenda datës 6-7 dhjetor të këtij viti.
“Me shkresën e datës 13 shtator 2024, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali, i kërkoi Komisionit të Venecias një opinion mbi marrëdhëniet ndërmjet demokracisë përfaqësuese parlamentare dhe vendimeve detyruese të Gjykatës Kushtetuese në kuadër të rolit të Kuvendi në shqyrtimin e mocioneve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit.
Drafti i opinionit do të dorëzohet për miratim në seancën e 141-të plenare të Komisionit (6-7 dhjetor 2024)”, thuhet në njoftimin e Komisionit të Venecias.
Kujtojmë që pas rrëzimit të kërkesës së Gjykatës Kushtetuese nga mazhoranca për t’i hequr mandatin Olta Xhaçkës, kryetarja e Kuvendit iu drejtua me një letër Komisionit të Venecias ku i kërkonte një opinion lidhur me rastin, për shkaka se sipas tyre kishte paqartësi në interpretimin e bërë nga Kushtetuesja.