Një tufë delfinësh ka dhuruar momente të veçanta në Gjirin e Vlorës, duke mahnitur turistët që po udhëtonin me gomone drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.
Delfinët janë afruar pranë mjeteve lundruese, duke notuar përpara tyre dhe duke luajtur mes dallgëve. Kërcimet dhe lëvizjet e tyre elegante krijuan një spektakël natyror, i cili u shoqërua me entuziazmin e turistëve, që i regjistruan pamjet me telefona dhe kamera.
Shfaqje të tilla janë bërë gjithnjë e më të shpeshta në ujërat e Gjirit të Vlorës, veçanërisht gjatë ditëve kur deti është i qetë dhe kushtet atmosferike janë të favorshme.
Prania e delfinëve mbetet një nga atraksionet më të veçanta natyrore të bregdetit të Vlorës, duke i dhënë një tjetër dimension udhëtimeve drejt Sazanit dhe Karaburunit dhe duke krijuar momente të paharrueshme për vizitorët.










