Nga Ben Andoni / JAVANEWS.al
Kronika politike e vitit 2015, ashtu si mund të merret me mënd, nuk mund t’i shpëtonte akuzave dhe kallëzimeve të ndërsjella të dy palëve politike. Madje, në tre ditët e fundit, qeveria Rama depozitoi një kallëzim ndaj tre ish-funksionarëve të lartë të qeverisë Berisha për privatizimin e OSSH.
Tre ministrat më të përfolur por edhe të akuzuar të maxhorancës kanë qenë Ilir Beqaj, Saimir Tahiri dhe Damian Gjiknuri. Kuptohet nuk ka mbetur pa u akuzuar dhe kryeministri i vendit Edi Rama, që pak muaj më parë preferoi të shkonte vetë në Gjykatë, ku do të përballte akuzat ndaj tij, të bëra nga kreu i grupit parlamentar të PD-së Paloka, që u shmang.
Lulëzim Basha, Genc Ruli, Edi Paloka, Myqerem Tafajn, Ridvan Bode, Neritan Alibali, Enno Bozdon, Arben Ristanin etj., kanë qenë në top-listën e të akuzuarve dhe akuzuesve, nga fronti i PD-së.
Përplasja më e dukshme në javët e fundit ishte tema që i përkiste dekriminalizimit, por nuk ka shpëtuar edhe Ministria e Shëndetësisë, ajo e Brendshme për trafikun e drogës, kurse debate dhe akuza që kanë marrë energji të madhe ishte çështja e CEZ-it, pak ditë më parë. Kjo e fundit falë dokumenteve të siguruara nga BIRN tregoi se ish kreu i bordit të drejtorëve të CEZ Shpërndarje, dega e grupit CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek, dhe biznesmeni shqiptar, Kastriot Ismailaj, ishin organizatorët e një skeme mashtruese të mbledhjes së borxheve. Skema shkoi në udhën e keqe pasi Ismailaj, pronari i Debt International Advisory (DIA), partneri i CEZ për mbledhjen e borxheve në Shqipëri, përvetësoi paratë e kontratës pa bërë asnjë punë reale. Ngjarjet bënë që KLSH-ja të ngrinte padi ndaj ministrit Gjiknuri, ndërsa PD vazhdoi me një mal akuzash dhe kallëzimesh ndaj tij dhe avokaturës së shtetit.
Presioni i PD-së dhe akuzat e saj u përqendruan këtë vit edhe në faktin që Maxhoranca sillte persona me të kaluar kriminale dhe po bënte riciklimin e shumë individëve të dënuar në zgjedhjet lokale. Në fakt, zhvillimi detyroi të paktën një ligjvënës socialist, Arben Ndokën, deputetin e Lezhës, të jepte dorëheqjen. Por kjo se kënaqi Opozitën që akuzoi se në sallën e Kuvendit janë edhe 19 ligjvënës të tjerë me rekorde kriminale. Opozita akuzoi Kryeministrin Rama për kandidimin në krye të bashkive të individëve me rekorde kriminale.
Këtë vit kronika regjistroi plot tre deputetë të arrestuar. Dhe kulmi arriti kur deputeti Doshi akuzoi direkt kryetarin e parlamentit Meta, për skemë vrasje ndaj tij
Ministrit që iu kundërvu një makineri e tërë akuzash ishte Ilir Beqja, por nuk shpëtoi edhe Saimir Tahiri. Madje, Javanews llogariste pak kohë më parë se në dy vjet PD-ja organizoi 884 konferenca shtypi me subjekt direkt Ministrin e Brendshëm socialist.
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, paditi në Prokurori kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për “shpërdorim detyre” në lidhje me ngjarjet e 21 janarit 2011. ministri Tahiri njoftoi se Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat e qytetarëve, në Ministrinë e Brendshme, ka depozituar në Prokurori një padi ndaj Lulzim Bashës, në cilësinë e ministrit të Brendshëm në 2011, gjatë ngjarjeve të 21 janarit para Kryeministrisë.
Kurse Ministri Gjiknuri mbajti mbi vete akuzat e CEZ-it, të cilat më parë u drejtuan tek Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, për të cilin opozita do të kërkonte sërish dorëheqjen. Gjiknuri, pati një pasi penale nga KLSH pas auditit të zhvilluar bashkë me kreun e Avokaturës së Shtetit, duke u akuzuar se për shkak të zgjidhjes me mirëkuptim të marrëveshjes shtetit shqiptar i ishte shkaktuar një dëm prej 470 milionë euro. Gjiknuri iu përgjigj Opozitës me një kundërsulm në ditët e fundit kur paditi në Prokurori 3 ish-ministrat në Qeverinë e PD-së, Ridvan Bode, Genc Ruli dhe Florion Mima, dy ish-zv.ministrat, Neritan Alibali dhe Enno Bozdo, si dhe ish-Këshilltaren e ish-Kryeministrit Berisha, Zana Guxholli.
Akuza të ndërsjella pati edhe sa i përket Reforma në drejtësi, që u bë po ashtu një temë e përbashkët e debatit mes pozitës dhe opozitës. Kjo e fundit akuzon Qeverinë se po tenton të kapë drejtësinë, ndërsa ndërkombëtarët u angazhuan në një proces për të bindur palët se pa reformimin e drejtësisë nuk mund të ketë të ardhme europiane për Shqipërinë.
Akuzat e PD-së
Kundër Edi Ramës
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së Paloka: Kam 12 prova në gjyq kundër Edi Ramës
-CD me thëniet e Ramës kur ishte lider i opozitës, kur pretendonte persona të inkriminuar në Policinë e Shtetit dhe zyrtarë të lartë të Policisë të lidhur me kupolën e krimit.
-Fotoja e një prej personave të pranishëm në përplasjen me armë te Rruga e Kavajës, që del nga selia e PS. Thëniet e Erzen Breçanit në lidhje me arrestimin disa herë të Shullazit dhe një nga rastet, ai i vitit 2011, ku ka shkaktuar një incident gjatë një aktiviteti të PS. (“Breçani ka pohuar se e ka parë Shullazin në atë kohë të hipë në makinën e ministrit aktual të Brendshëm. Ky fakt nuk është përgënjeshtruar nga askush”, thanë avokatët).
-Deklarata e Ambasadës Amerikane, 2 mars 2015, ku përshëndet përjashtimin e Tom Doshit nga Grupi i PS.
-Një botim i gazetës “55” në vitin 2012 në lidhje me disa përgjime të kryera nga drejtësia italiane ku dy anëtarë për llogari të “bandës së Lushnjës”, përmendin se Rama është i lidhur me krimin.
-Deklaratat e ishdeputetit Dritan Prifti, që etiketon Ramën si person që konsumon lëndë narkotike. Ne e marrim të mirëqenë këtë fakt, pasi nuk është përgënjeshtruar dhe as akuzuar Prifti.
-Deklaratat e PD për denoncimin e dënimeve të dhëna në Itali ndaj deputetit Arben Ndoka.
-Vendimi i Gjykatës Administrative të Shullazit kundër Ministrisë së Financave për shpërblim burgimit të padrejtë, i cili nuk është ankimuar nga Ministria.
-Denoncimi i Tom Doshit për një tentativë vrasjeje ndaj tij. Edhe pse ka qenë në dijeni, Rama nuk ka kallëzuar.
-Deklarata e Tahirit, 4 mars 2015, për hetimin, sipas tij, të farsës, ku pranon të jetë takuar me persona të inkriminuar, të cilët nuk i ka kallëzuar, apo referuar.
-Dokumenti policor sekret i publikuar në media, që një deputet i rëndësishëm i maxhorancës ka fshehur në automjetin e tij nga kontrolli policor një person të dyshuar si trafikant të lëndëve narkotike.
-Rezoluta e nënshkruar në dhjetor 2014 në lidhje me dekriminalizimin e Kuvendit.
Kundër Ilir Metaj
-Avokatët që përfaqësojnë OSHEE-në në një gjyq arbitrazhi ndërkombëtar në Vjenë, pretenduan se kishin prova që Ilir Meta kish marrë ryshfet nga biznesmeni i akuzuar për mashtrim dhe pastrim parash, Kastriot Ismailaj. Ish -kryeministri dhe kreu aktual i parlamentit, Ilir Meta akuzohet se ka marrë ryshfet nga Debt International Advisory, DIA, një kompani mbledhje borxhi që ka hedhur në gjyq OSHEE-në në gjykatën e arbitrazhit në Vjenë. Detajet e akuzave kanë rrjedhur pasi DIA hodhi në gjyq kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike për prishje kontrate, duke kërkuar 130 milionë euro në vitin 2013, kohë kur kjo e fundit quhej CEZ Shpërndarje dhe ishte nën pronësinë e gjigantit Çek të energjisë, CEZ Grup.
Kundër Beqajt
-Jorida Tabaku: Në 22 muaj, 28 tenderë për kompaninë e tij dhe 35 miliardë lekë!
– “Shumë biznese po mbyllen nga taksat e larta e arbitrariteti i qeverisë, por ka disa biznese që lulëzojnë si rasti i kompanisë Intech+. Një kompani modeste e cila përpara vitit 2013 deklaronte shitje në vlerën 63.160.011 dhe Fitim Neto 8.892.074 lekë, dy vjet pasi themeluesi i saj, Ilir Beqaj ka marrë postin e ministrit, ajo është shumëfishuar, ka arritur vlerën e shitjes në 160.760.830 lekë duke rritur Fitimin Neto në 42.783.998 lekë. Qëkurse ministri i shëndetësisë, Beqja, ka hyrë në zyrë, kompania e tij ka rritur fitimin me gati 100 milion lekë të reja ose 2.5 herë më shumë dhe ka sjellë një 5-fishim të fitimit neto të deklaruar”.
-Sipas opozitës, Beqaj me firmën e tij “Intech Plus” ka përfituar 320 milionë lekë përmes një tenderi në Ministrinë e Jashtme, duke qenë ofertuesi i vetëm që ka marrë gjithë fondin limit të vënë në dispozicion.
– Po ashtu 710 milionë lekë, Ministri i Shëndetësisë ia ka dhënë me negocim sipas PD-së, pa shpallje kompanisë “Trimed” te Vilma Nushit.
-Omega Farma, pronari i së cilës është në arrest dhe nën hetim për korrupsion, vazhdon të marrë para nga Ilir Beqaj. Ministri i Ramës kërkon të blejë heshtjen e shefit të Omega Farmës, pasi njihet përfshirja e tij në skemën e recetave fiktive. 1 miliardë e 279 milionë lekë për Nadirin e Beqës.
-Para të marrë me negocim, pa shpallje, sërish Sadri Abazi, me firmën që me letra e ka nipi i tij, duke futur në dorë 1 miliardë e 830 milionë lekë në tendera të ndryshëm nga rrugët tek KESH-i.
-Ndërtuesi i Ramës, Papuli ka marrë edhe ai një pako këto dy javë, me shërbim e shitje makine, 80 milionë lekë. Shihni pra të nderuar qytetarë se çfarë bëhet me paratë tuaja. Ato
Për Ministrinë e Mbrojtjes
Partia Demokratike hodhi akuza këtë vit edhe ndaj Ministrisë së Mbrojtjes nisur nga raporti politik i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
-Opozita konsideroi shkelje blerjen e makinave të blinduara për Policinë ushtarake.
-Po ashtu u akuzua edhe tenderi për rikonstruksionin e Ministrisë së Mbrojtjes.
-Tenderi për blerje, furnizim, instalim dhe vënie në punë të Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare
Kundër Saimir Tahirit
-Akuza të rënda u përshkallëzuan në fillim të këtij sezoni politik, ku demokratët paraqitën si argumente deklaratën e ish-zyrtarit të anti-drogës Fier, Dritan Zagani, që deklaroi se automjeti i personal i ministrit të Brendshëm është përdorur për trafik droge. Zagani ka thënë se në makinën e Tahirit kishte hipur një trafikant droge dhe pronësinë e makinës e kishte verifikuar vetëm një ditë më pas. “Një pyetje mund të bëja unë të ligjshme: ku e dinte ai që nuk ma kishin vjedhur, apo që nuk e kisha shitur?”. Me këtë pyetje e ka nisur mbrojtjen e tij në lidhje me pronësinë e makinës ministri i Brendshëm, Tahiri.
-Akuza për trafikun nga ajri dhe që lidhej me avionin e rrëzuar në Divjakë dhe kapjes së pilotit Riformato.
-Përdorimi i paligjshëm i sistemit TIMS
-Kontrabandë të vazhdueshme droge nga portet dhe aeroportet e vendit
Opozita ka zbardhur akuza me anë të Kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, që ka deklaruar se “kushërinjtë e Tahirit, Habilajt, që hetoheshin për trafik droge, po vazhdojnë të forcojnë lidhjet me pikat kyçe të kalimit të narkotikëve”.
-Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Arben Ristani deklaroi se në raportet e policisë italiane del gjithnjë e më shumë përfshirja e Saimir Tahirit në trafikun e lëndëve narkotike. Si shembull për këtë, Arben Ristani solli në kujtesë dy operacionet e fundit të policisë italiane; kapjen e grupit që trafikonte deri në 1 ton heroinë në vit në Itali dhe e avionëve të vegjël që përdoreshin për trafik droge nga Shqipëria.
Kundër Damian Gjiknurit
Ministri i Energjisë dhe Industrisë është akuzuar në muajt e parë të vitit nga opozita se qeveria po blen dyfish më shtrenjtë energjinë, edhe në një situatë kur reshjet janë të shumta dhe prodhimi vendas është në nivel maksimal. Nëse OSSHE do ta kishte blerë energjinë direkt nga KESH këto shpenzime do të ishin kursyer.
-U akuzua për CEZ-in nga ana e Kontrollit të lartë të Shtetit dhe u kallëzua penalisht nga PD-ja
-Bashkë me të u akuzua dhe avokatja e Shtetit Alma Hicka për një konflikt interesi në çështjen DIA-CEZ Shpërndarje, ndërkohë që e ka përshkruar padinë e KLSH-së për shpërdorim detyre lidhur me marrëveshjen me CEZ për riblerjen e OSHEE si të motivuar politikisht.
Paditë e qeverisë për ish zyrtarët e PD-së
Kundër Lulëzim Bashës
-INUK padit Bashën në prokurori (24 Janar 2015) me kërkesën që të pezullohet nga detyra si kryebashkiak, pasi ka dhënë për leje ndërtimit në kundërshtim me parashikimet ligjore dhe pa një plan të detajuar vendor për zonën ku kryhet ndërtimi. Bëhet fjalë për këtë objekt shumkatësh, që ka nisur të ndërtohet në Rrugën e Elbasanit mes shkollës së gjuhëve të huaja “Asim Vokshi” dhe shtëpisë së fëmijëve “Zyber Hallulli
-Ministri Beqaj padit Lulzim Bashën për shpifje: Nëse Basha do të vërtetojë para gjykatës se kam vjedhur qoftë edhe 31 mijë lekë atëherë do të tërhiqej nga politika. “Nëse Lulëzim Basha do të faktojë jo 31 milionë euro, po edhe 31 mijë lekë vjedhje në adresën time, unë do të tërhiqem nga aktiviteti publik, dhe do të shkoj përpara drejtësisë”, ka deklaruar ai.
-Erion Braçe padit në Prokurori Lulëzim Bashën: Vuri në rrezik 2500 banorë dhe akuza vjen për shpërdorim detyre dhe vënie në rrezik për jetën. Dy kompani ndërtimi të kontraktuara nga ai, drejtorin e njërës prej njësive të INUK për Tiranën që mbulon zonën pas stadiumit Qemal Stafa. Të gjithë bashkë me veprime e mosveprime të qëllimshme kanë shpërdoruar detyrën me pasojë rrezikun për jetën më shumë se 2500 banorëve”, shkruan Braçe.
-Saimir Tahiri padit Bashën për ‘21 janarin’: Urdhëroi të hedhë lëndë helmuese mbi protestuesit! Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, paditi në Prokurori kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për “shpërdorim detyre” në lidhje me ngjarjet e 21 janarit 2011. ministri Tahiri njoftoi se Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat e qytetarëve, në Ministrinë e Brendshme, ka depozituar në Prokurori një padi ndaj Lulzim Bashës, në cilësinë e ministrit të Brendshëm në 2011, gjatë ngjarjeve të 21 janarit para Kryeministrisë.
Ministria e Brendshme ka gjetur falsifikime në regjistrin e shërbimit të Gardës së Republikës, ku urdhrat e asaj dite sot figurojnë të falsifikuara. Sipas Tahirit, Basha ka shpërdoruar detyrën për tejkalim të kompetencave, duke u marrë me çështje operacionale të Gardës dhe për falsifikim dokumentacioni përmes korrigjimit:
Dhe, ja akuzat ndaj Lulzim Bashës
“Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, për urdhrin e kundërligjshëm. Ministri i Brendshëm nuk ka kompetencë për drejtime operacionale dhe dhënie urdhri për përdorim të lëndëve kimike ndaj protestuesve
Akuza për specialistin e Gardës
“Falsifikim dokumentacioni”, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal për operatorin e Gardës, me detyrë specialist i Qendrës së Drejtimit në Gardën e Republikës, i cili ka rezultuar si personi përgjegjës për pasqyrimin e komunikimit dhe urdhrave me radio dhe telefon në Librin e marrjes në dorëzim
të shërbimit më 21 janar të vitit 2011.
Për Ridvan Boden
Qeveria e padit Ridvan Boden dhe Sherefedin Shehun për 230 mln € e Rrugës së Kombit, që e dënojnë me 7 vjet burg
-Ministria e Financave e drejtuar nga Shkëlqim Cani ka kallëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme paraardhësin e tij, Ridvan Bode, dhe ish-zëvendës/ministrin Sherefedin Shehu.
Mbi dy ish-drejtuesit e lartë të Financave shqiptare për 8 vite, është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës dhe shkelje e barazisë në tendera.
Për Myqerem Tafajn
-Ministria e Arsimit padit ish ministrin Myqerem Tafaj për shpërdorim detyre. Në kallëzimin e dorëzuar në Prokurori, nga sekretari i MAS Plarent Ndreca, thuhet se ish-ministri ka akredituar Shkollën e Lartë Universitare “Vitrina”, ndërkohë që Këshilli i Akreditimit e kishte refuzuar kërkesën. Në dosjen e dorëzuar në Prokurori, sipas Ministrisë së Arsimit, Tafaj ka përdorur autoritetin e tij si ministër për ti dhënë akreditimin një shkolle që nuk plotësonte kushtet bazë.
-Gjykata e Lartë gjobit 200 mijë lekë Edi Palokën dhe Arben Ristanin
Gjykata e Lartë ka gjobitur me 200 mijë lekë kryetarin e grupit parlamentar demokrat, Edi Palokën. Ai u padit nga kryeministri Rama për shpifje, pasi kishte deklaruar se Rama ishte i lidhur me krimin. Gjykata e gjobiti për fyerje dhe jo për shpifje. Paloka tha se vendimi i gjykatës ka qenë i sforcuar dhe se ajo ka vepruar nën presionin e kreut të qeverisë. Ai kujtoi se kjo gjykatë nuk pranoi të merrte tabulatet telefonike të kryeministrit, me anë të të cilave do të vërtetohej lidhja e tij me kriminelë.
Kundër Genc Rulit, Ridvan Bodes, Florian Mimës
-Gjiknuri kallëzon për privatizimin e OSSH në Prokurori Boden, Mimën e Rulin! Dëmi 414 milion Euro si edhe Neritan Alibali, Zv. Ministër në ish-METE, sëbashku me persona të tjerë: “kallëzohen pasi kanë kryer veprime e mos veprime në kundërshtim me përmbushjen e detyrave të tyre funksionale gjatë përgatitjes, zhvillimit të procedurave të tenderimit dhe negocimit për nënshkrimin e Marrëveshjes së Shitjes së 76 % të aksioneve të OSSH-së”.
-Kurse Enno Bozdo, Zv. Ministër në ish-METE dhe persona të tjerë të pa identifikuar, kallëzohen për propozim të akteve nënligjore, për tregues që janë kompetencë e institucioneve të pavarura rregullatore; si dhe kryerjen e veprimeve e mos veprimeve për ndjekjen e procedurave përkatëse pas heqjes së licencës së CEZ shpërndarje.