JAVANEWS publikon për herë të parë 4 blloqet e draftin zyrtarë të PD për reformën në drejtësi. Këto 4 blloqe mbajnë në brendësi të tyre 300 amendamente. Ajo që bie në sy në draftin e hartuar nga PD është fakti se ajo përqëndrohet në formulën e zgjedhjes së Presidentit, katër pikat për pavarësinë e Gjykatës së Lartë, përjashtimin e Ministrit të Drejtësisë nga të qenit anëtar i KLD-së dhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm.
Jo ndryshim i formulës së zgjedhjes për Presidentin
Reforma në Drejtësi është sektoriale dhe ajo nuk mund të rishikojë organizimin shtetëror në tërësi. Për këtë arsye, normat kushtetuese të Presidentit të Republikës duhen trajtuar si çështje periferike të Reformës në Drejtësi, për ato pjesë që kompetencat e tij lidhen me sistemin e drejtësisë. Rekomandohet: 1. Të mos ndryshojë formula e përzgjedhjes së Presidentit të Republikës. 2. Të saktësohen kompetencat dhe procedurat respektive të autoriteteve shtetërore në procesin e dhënies së investiturave kushtetuese për organet e sistemit të drejtësisë.
Katër pika për pavarësinë e Gjykatës së Lartë
Lidhur me GjK, duhet të forcohet pavarësia institucionale e saj në të paktën 4 komponentë: pavarësia administrative; pavarësia financiare; pavarësia vendimmarrëse dhe pavarësia e përcaktimit ekskluziv të juridiksionit. Kushtet dhe kriteret e emërimit të gjyqtarëve kushtetues: integriteti moral; njohuritë dhe aftësitë ligjore; përvoja profesionale, temperamenti gjyqësor; përkushtimi në detyrë; shëndeti fizik dhe mendor dhe përgjegjshmëria financiare; Jo gjyqtarë të përfshirë në krimet e komunizmit. Përgjegjësia disiplinore dhe shkarkimi: rol përcaktues e vetë GjK. Zgjedhja e gjyqtarëve në GjK me mekanizëm ndërveprimi institucional (aktorë jopolitikë, gjysmëpolitikë dhe politikë) për të gërshetuar profesionalizmin me legjitimitetin demokratik.
Procedura e zgjedhjes së anëtarëve të GjK: në instancë të parë: organ jopolitik si KLD ose vetë GjK, i cili vlerëson përmbushjen dhe vlerësimin e njëkohshëm dhe krahasimor të kushteve dhe kritereve ligjore; në instancë të dytë: organ gjysmëpolitik si Presidenca të propozojë, për secilin post në GjK, një numër të caktuar kandidatësh (në respekt edhe të barazisë gjinore), bazuar në vlerësimin përkatës të kandidaturave të përzgjedhura, nga grupi i kandidaturave që kanë kaluar fazën e parë; në instancë të tretë, miratim në çdo rast me shumicë prej 2/3 prej Kuvendit ose në alternativë, me pjesëmarrje substanciale të opozitës, i pasuar nga një mekanizëm zhbllokues në rast ngërçi. Opozita parlamentare – koncept i elaboruar nga Komisioni i Venecias. Mekanizmi zbllokues synon të bëjë të funksionojë procedurën parlamentare, duke shtyrë qoftë mazhorancën, qoftë pakicën të gjejnë një marrëveshje me qëllim shmangien e bllokimit apo ngërçit.
Ministri i Drejtësisë nuk
duhet të jetë anëtar i KLD
T’i zgjerohen dhe saktësohen kompetencat (t’i shtohen trajnimi i gjyqtarëve, menaxhimi i buxhetit dhe përgjegjësia ndaj publikut); Numri i anëtarëve të përcaktohet në raport me volumin e kompetencave; Mazhoranca substanciale të jetë nga gjyqtarët e zgjedhur nga KGjK sipas niveleve të gjyqësorit; Anëtarët jo gjyqtarë të zgjidhen nga Kuvendi me 2/3 e votave (ose me pjesëmarrje substanciale të opozitës dhe mekanizëm zhbllokues). Anëtarët e KLD-së, me përjashtim të atyre ex-officio, të jenë me kohë të plotë; KLD të organizohet në komisione sipas kompetencave; Detyrat e lidhura me statusin e gjyqtarit të jenë në kompetencë vetëm të anëtarëve gjyqtarë. Nuk ka ndalim për Presidentin të jetë në KLD.
Anëtarët e KLD të ndalohet të merren me jetë aktive politike. Ministri i Drejtësisë nuk duhet të jetë anëtar i KLD. Të hiqet kompetenca ekskluzive e MD për procedimin disiplinor të gjyqtarëve, kjo kompetencë të shpërndahet tek disa institucione.
Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm
Prokurori i Përgjithshëm të emërohet me proces ndërveprues të Këshillit të Prokurorisë, Presidentit të Republikës dhe Kuvendit. Këshilli të ketë kompetenca teknike për vlerësimin e kushteve të kandidatëve. Presidenti i Republikës të zgjedhë një numër kandidatësh, duke respektuar kuotat gjinore. Kuvendi të përzgjedhë nëpërmjet shumicës së cilësuar prej 2/3 ose formulave që garantojnë pjesëmarrje substaciale të opozitës, me mekanizëm zhbllokues. Në lidhje me Këshillin e Prokurorisë, ai duhet të forcohet.
Këshilli të organizohet dhe të funksionojë në mënyrë të ngjashme me Këshillin e Lartë të Drejtësisë (rekomandimet janë të ngjashme me KLD). Statusi dhe karriera e prokurorëve të garantohet nga Këshilli i Prokurorisë, vendimet e të cilit të jenë të ankimueshme dhe të kontrollueshme nga pushteti gjyqësor. Sistemi i Prokurorisë të ketë pavarësi relative, duke ndjekur organizimin gjyqësor. Prokurori më i lartë të kontrollojë prokurorët e nivelit menjëherë poshtë tij. PP nuk duhet të kontrollojë drejtpërdrejt prokurorin e nivelit më të fundmë. Të adoptohet modeli i ndjekjes së detyrueshme penale (legality principle).
Sistemi i ndjekjes penale të bazohet në sistemin akuzator. Hetimet të kontrollohen prej një autoriteti gjyqësor. Ekskluziviteti i ndjekjes penale t’i përkasë vetëm Prokurorisë. Veprimtaria hetimore e Prokurorisë të kontrollohet në çdo rast nga pushteti gjyqësor, si dhe t’i njihet e drejta individëve të dëmtuar nga vepra penale të jenë palë në procedimin penal.









