Heroina është një lloj droge, që rrjedh nga llogoret e gjethes së opiumit. Opiumi filloi të kultivohej nga qytetërimet antike si Mesopotamia që në vitet 3400 para erës sonë. Opiumi fillimisht u përdor në Egjipt e Persi, dhe nga atje u përhap në Europë, Indi dhe Kinë. Deri para shekullit të 19 mjekët në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara nuk e finin që opiumi përdorej për qëllime terapeutike.
Heroina vetë u sintetizua me sukses në vitin 1874 nga një kimist anglez August Mathienssen, si një alternativë për morfinën. Edhe vetë heroina u konsiderua një drogë që krijonte varësi në SHBA dhe është parë si një ndër më të rrezikshmet e shekullit 20 dhe 21. Ishte e paligjshme të prodhoje, shpërndaje e përdorje heroinë në SHBA që prej Luftës së Dytë Botërore, por droga ka arritur të mbijetojë në tregun e zi, e prodhuar në vende të tjera, duke evoluar në përzierje edhe më të rrezikshme.
Etimologjia
Fjala “heroinë” në fillim u shfaq më 3 dhjetor 1898, në një revistë ku kompania gjermane Friedrich Bayer fliste për morfinën. Ajo rrjedh nga heronjtë grekë për shkak të ndjenjës euforike që droga të jep, rrjedh nga fjala hero, heroinë.
Origjina e Opiumit
Heroina është një derivat i morfinës, e cila vetë rrjedh nga opiumi.
Është një nga shembuj e parë të bimës mjekësore. Opiumi ka qenë shumë popullor në Lindje dhe rajonet e Mesdheut si një ilaç për shumë sëmundje dhe një burim farmaceutik. Historia më e hershme e romancën njerëzore me opiumin është gjetur në shkrimet e sumerëve në vitin 3400 para Krishtit, Frenandez dhe Libby. Ata jetonin në Mesopotaminë e poshtme, sot Iraku perëndimor, dhe ata përdorën opiumin për ilaç. Sumerët kanë kryer lidhje tregtare me fqinjët e tyre veriorë Akadianët ndërmjet viteve 700-140 para erës sonë, dhe akadianët, sekretin e gjethes së opiumit ia kaluan sirianëve dhe egjiptianëve. Në vitin 1300 para Krishtit, egjiptianët kultivonin dhe tregtonin opiumin deri në Greqi dhe Europën Qendrore. Mjekët e lashtësisë greke e përdornin ekstraktin e opiumit. Hipokrati, në vitin 460 para erës sonë, shkroi për dobinë e opiumit për shërimin e sëmundjeve të ndryshme, përfshi dhe diarrenë. Ndërsa në vitin 150, Galen, një tjetër mjek grek, përkrahu praktikën e ngrënies së opiumit dhe listoi disa nga dobitë shëndetësore, si rezistimi ndaj helmeve, kuron dhimbjen e kokës, marrjet e mendjes, shurdhimin, epilepsinë, ngjirjen. Ai është i pari që shkroi për mbidozën e opiumit. Opiumi u pa si dobi shëndetësore për diarrenë, pagjumësinë e vjelljet edhe në shekullin e parë pas lindjes së Krishtit. Opiumi më pas u përhap nga Lindja e Mesme në perëndim të Greqisë, dhe nga pastaj më në lindje drejt Indisë dhe Kinës. Rrugët tregtare tokësore bëheshin nga tregtarët arabë. Tregtia në Kinë arriti në shekullin e 7 pas Krishtit, dhe për 1000 vjet më vonë, kinezët e pinin kryesisht në formën e një pije që dilte nga përzierja e farave të hashashit dhe lëng bambuje. Kjo praktikë vazhdoi derisa marinarët portugezët sugjeruan tymosjen e opiumit me pipë në vitin 1700, gjë që rriti ndjeshëm numrin e të varurve ndaj opiumit në Kinë. Përdorimi modern i opiumit filloi në vitin 1541 me mjekun zviceran Paracelsus, që ia paraqiste pacientëve të tij të përzierë me alkool dhe erëza. Ky ishte ilaçi i preferuar në Europë për 400 vitet e ardhshme. Opiumi Ishte aspirina e ditës dhe ishte trajtim për çdo lloj sëmundje, që nga dhimbja e kokës, te reumatizma, tek qetësimi i nervave etj.
Morfina
Përbërësi kryesor aktiv tek heroina është morfina. Në vitin 1805, farmacisti zvicerian, Friedrich Serturner, pastroi përbërësin kryesor tek opiumi. Kësaj droge ai i dha emrin “morfium”, të titulluar nga Morfeu, perëndia greke e ëndrrave. Në vitin 1853, mjeku skocez Alexander Ëood shpiku shiringën hipodermike, që lejonte injektimin e drejtpërdrejtë të morfinës në vena. Injeksionet e morfinës u bën trajtim kryesor në spitalet ushtarake, ku një numër i madh ushtarësh që ishin plagosur gjatë Luftës Civile, u bënë të varur nga droga. Kur lufta mbaroi në vitin 1865, varësia ndaj morfinën u bë e njohur si “sëmundja e ushtarit”.
Një ilaç heroik
Në vitin 1874, shkencëtari gjerman Augustus Mathiensen dhe asistenti i tij C. R. Adler ndërmori një studim të plotë rreth kodeinës dhe morfinës. Ata sintetizuan qindra molekula të reja të bazuar në këto dy drogëra dhe përfundimisht dolën me një lloj pluhuri që e quajtën “diamorfinë”. Kjo substancë ishte vetë baza e heroinës. Dhe në vitin 1897, kimisti gjerman Heinrich Dreser, tek kompania farmaceutike Bayer AG filloi të hulumtonte mbi procesin e reduktimit të efekteve anësore të ilaçeve dhe rritjen e potencialit të tyre. Grupi i tij prodhoi atë që më vonë u quajt “aspirinë”, dhe dy javë më vonë, ata prodhuan morfinën, pas saj diamorfinën dhe në fund e konkretizuan me “heroinën”. Këto të dy konsiderohen si pretendentët kryesorë për prodhimin e drogës më të rëndësishme të shekullit 20. Dreser nuk ishte aq i entuziazmuar për aspirinën, aq sa për diamorfinën, prandaj e zhvilloi atë në mënyrë të shpejtë. Ai mendoi se do të kishte një efekt të veçantë stimulues në mushkëri. Bayer e solli heroinën në treg në vitin 1898 dhe e promovoi atë si një trajtim për sëmundjet e dhimbshme të frymëmarrjes si pneumonia dhe tuberkulozi. Heroina u vlerësua nga një numër i madh hulumtimesh klinike. Bayer e reklamoi heroinën në gjermanisht, anglisht, italisht, rusisht e shumë gjuhë të tjera.
Një drogë e rëndësishme
Duke filluar nga viti 1898, heroina përdorej në vend të morfinës e
kodeinës. Një studim mjekësor i Universitetit të Berlinit testoi dozat orale të 5-10 miligram heroine në 50 pacientë dhe zbuloi efektivitetin e saj në lehtësimin e kollës dhe prodhimin e gjumit. Ata nuk vunë re veprime të papëlqyeshme, dhe pacientëve u pëlqente e vazhdonin ta përdornin. Po asnjë nuk e dinte që heroina kthehej në morfinë sapo hynte në trup, dhe tregoi të ishte një substancë që të bënte të varur. Edhe pse bota mjekësore dukej se ishte e vetëdijshme për varësinë që krijonte heroina, nga viti 1898 dhe 1910, akoma shitej si ilaç kolle për fëmijët. Çuditërisht, heroina merrej edhe si kurë për të shpëtuar nga varësia ndaj morfinës. Shumë kompani ilaçesh e shitën atë si trajtim ndaj sëmundjeve si kanceri, depresioni, kollitja, i ftohti. Në fillim të shekullit të ri, besohet se mbi ¼ e popullsisë amerikane ishin të varur nga opiumi, morfina, ose kokaina. Shtetet e Bashkuara ishin vendi i parë që e njohën varësinë ndaj heroinës si problem serioz. Në vitin 1914, Presidenti Udro Uilson nënshkroi Aktin Harrison të Narkotikëve, që dha qeverisë pushtetin për të rregulluar dhe taksuar transaksionet e derivateve të opiumit, si heroina apo kokaina. Në vitin 1919, Akti Harrison e konsideroi heroinën të jashtëligjshme. Pavarësisht kësaj, droga nuk u zhduk por filloi të tregtohej në mënyrë të jashtëligjshme. Të varurit e heroinës zbuluan efektet euforike që heroina e injektuar me shiringë të jepte. Pavarësisht përpjekje të qeverisë për të shmangur heroinën dhe drogërat e tjera të rrezikshme, tregu i zi vazhdon të ekzistojë edhe sot e kësaj dite.
Heroina u bë e jashtëligjshme
Ndërsa heroina mbeti një nga drogat më të frikshme për shkak të varësisë që krijonte, përdorimi i saj nuk u zvogëlua aspak. Në vitet para Luftës së Dytë Botërore, prodhimi i heroinës, tregtimi, dhe shpërndarja e saj bëhej në mënyrë të jashtëligjshme. Laboratorë ilegalë u ngritën në Azi dhe për shumë vite, mafia italiane ishte një nga sindikatat kryesore të krimit të përfshirë në shitjen e heroinës. Lufta e Dytë Botërore ndërpreu prodhimin global të drogës, dhe furnizimet u ulën. Në mungesë të saj, trafikantët e heroinës filluan praktikën e “prerjes” së heroinës së pastër me substanca më të lira, duke ulur disi cilësinë e pastërtisë së saj. Gjatë viteve ’50, heroina ishte zgjedhje për shumë shkrimtarë e muzikantë që shprehnin pakënaqësi për jetën amerikane rutinë. Heroina u bë pjesë e rëndësishme e lëvizjes kundërkulturore që rebelohej kundër rrjedhës. Tërheqja nga heroina gjithashtu vazhdoi edhe në vitet 1960 dhe 1970. Në fund të viteve ’60, komuniteti bohemian i San Françiskos, e zëvendësoi metamfetaminën me heroinën. Normat e krimit nëpër lagje u rritën, pjesërisht për shkak të heroinës.
Të famshmit dhe heroina
Heroina gjithashtu ka qenë e lidhur me disa nga emrat më të njohur të viteve ’60 dhe ’70, sidomos në botën e rock&roll-it. Janis Joplin ishte e famshme për varësinë e madhe ndaj alkoolit dhe heroinës. Pavarësisht jetës së saj të egër e të shthurur ajo kurrë nuk humbi asnjë koncert. Natën e 3 tetorit 1970, ajo u rikthye në dhomën e saj të hotelit, pas një koncerti, ktheu disa gota, injektoi heroinën, dhe kur u kthye përsëri në dhomë pasi bleu një paketë cigaresh, vdiq.
Edhe pse gjoja ai e urrente heroinën, kitaristi Jimi Hendrix, u arrestua për posedim heroine në Toronto të Kanadasë në vitin 1968. Megjithatë ai doli i pafajshëm sepse sipas disa dëshmitarëve, ishte një person tjetër që ia kishte futur në valixhe heroinën. Hendrix vdiq më 18 shtator 1970 në Londër nga helmimi pasi piu 9 tableta gjumi. Eric Clapton dhe John Lennon ishin të tjerë artistë që përdorte heroinë.
Edhe industria e filmit ka prodhuar filma ku heroina është pjesë. Komedia e zezë e Quentin Tarrantino-s, Pulp Fiction 1994 ka një skenë ku një person overdozë ringjallet me një dozë adrenaline në zemër. Dhe drama e Danny Boyle, Trainspotting, tregonte historinë e disa të rinjve të varur nga heroina në Skoci. Ka pas debate të mëdha përsa i përket përdorimi të heroinës nëpër filma.
Droga e jashtëligjshme
Heroina u bë komplet e jashtëligjshme në vitin 1956 kur Akti i Kontrollit Narkotik miratoi dënime të ashpra për veprat penale të drogës. Por publiku nuk ishte plotësisht i vetëdijshëm për rreziqet e heroinës deri në vitin 1971 kur dy kongresmenë amerikanë, Robert Steele dhe Morgan Murphy, të sapo kthyer nga Vietnami raportuan se 15% e ushtarëve amerikanë ishin të varur nga heroina. Në atë kohë, heroina ishte aq e rrezikshme sa që tronditi të gjithë publikun amerikan. Presidenti Riçard Nikson ndërmori veprime në qershor të vitit 1971, duke krijuar Zyrën Speciale për Parandalimin e Abuzimit me Drogën, që iu dedikua luftës kundra drogave të këqija. Ajo jo vetëm donte të parandalonte abuzimin e heroinës por edhe donte të ndihmonte të varurit e saj që ta hiqnin atë ves. Për të parandaluar ushtarët, ai vuri rregull që kush nuk hiqte dorë nga heroina do të mbetej në Vietnam. Ky program u pa si sukses sepse 5% e ushtarëve hoqën dorë nga droga. Vitet ’80 panë rritjen e ndjeshme të përdorimit të kokainës, dhe Presidenti Ronald Regan shpalli luftë kundra drogën, ku sëbashku me FBI-në luftuan furnizuesit ndërkombëtarë, si Kolumbia, që e kalonte kontrabandë drogën në SHBA. Por pavarësisht përpjekjeve të qeverisë në vitet ’80 dhe ’90, heroina nuk u zhduk. Në vitet ’90 , përdoruesit filluan ta kombinonin heroinën me drogë të tjera, si kokaina për ta bërë më me efekt.
Efekti në shoqëri
Më 6 qershor 2006, një 17-vjeçar i quajtur Joseph Kecker nga Çikago u gjend i vdekur në makinë e tij. Ai shtrëngonte një çantë me heroinë. Dukej sikur kishte një të ardhme të ndritur përpara. Ishte atlet i mirë, por më parë kishte përdorur heroinë dhe tashmë ishte pjesë e një rehabilitimi. Kecker e kishte përzier heroinën me një substancë tjetër. Substanca që quhej “fentanil” e përdorur nga Kecker, ishte 80 herë më e fortë se morfina. E kombinuar me heroinën, ngre ndjeshëm potencialin e overdozës. Nga maji deri në korrik të atij viti, kishte më shumë se 400 të vdekur nga përzierjet e drogës. Heroina vazhdoi të ishte lajm deri në vitin 2014, kur aktori Philip Hoffman u gjend i vdekur në apartamentin e tij në Nju Jork nga një overdozë droge përfshi heroinën, kokainën, amfetaminën sipas një ekzaminimi mjekësor.
Heroina në fillim u shpik si shurup kolle dhe qetësues dhimbjesh, një mënyrë e mirë për të menaxhuar tuberkulozin dhe pneumoninë. Por shumë shpejt ishte e qartë se ajo krijonte varësi. Dhe pavarësisht statusit “e jashtëligjshme”, i mbijetoi tregut të zi, u fut kontrabandë në Shtetet e Bashkuara nga vende të ndryshme si Kolumbia, Afganistani dhe shpesh duke rikrijuar veten me përzierje të reja dhe më vdekjeprurëse. Ajo ka bërë bujë për efektin e saj të gëzuar në fillim, por që nuk sjell gjë tjetër veçse dhimbje e lot, për familjen, miqtë e të gjithë shoqërinë.