Nga Armando Meta / JavaNews
A mungojnë rregullat e lojës në një botë intensive të vërshimit të informacionit nga të gjitha ngjyrat që nga politika, kronika e deri te skutat më intime të personazheve të njohur e të panjohur? A lëviz kjo media on line brenda formalitetit dhe informalitetit? A ka cënuar ajo besueshmërinë e raportimit klasik të lajmit? Këto dhe një sërë pikëpyetjesh të tjera lindin, lidhur me funksionimin sot të mediave on line në Shqipëri, numri i të cilave përllogaritet përafërsisht në 635 portale, ku vetëm rreth 72 prej tyre drejtohen nga gazetarë me përvojë në fushën e gazetarisë.
Mediat online janë sot një faktor që s’mund të anashkalohen, po të kemi parasysh se afërsisht 62% e popullsisë prej 2.7 milionë banorësh së Shqipërisë kanë akses në internet. Në këtë mënyrë portalet e lajmeve përbëjnë tashmë një një peshë me ndikim në tregun e medias. Mediat online janë një nga tre burimet kryesore të informacionit për afro gjysmën e shqiptarëve që jetojnë brenda dhe jashtë Atdheut.
Ato janë shtuar ndjeshëm gjatë këtyre 5 viteve të fundit. Por çdo e mirë ka dhe të ‘keqen e saj’ pasi në këtë treg të uritur për lajme për të mbushur faqet e e internetit është zhvilluar paralelisht edhe një lloj i veçantë gazetarie që quhet ‘gazetaria copy-paste’. Kjo ka bërë që të shquhet “gazetaria e titujve gracka’, mungesë profesionalizmi etj.
Por cilat janë mediat me shkallën më të lartë të besueshmërisë? Kjo është një nga pyetjet më të vështira për përgjigje pasi në Shqipëri ka mungesë të të dhënave apo studimeve serioze për matjen e besueshme të audiencës për median online.
Mediat online ashtu si edhe mediat tradicionale, vazhdojnë të mbizotërohen nga informacioni me karakter politik, si dhe nga lajmet e kronikës. Pra pak a shumë mbizotëron gazetaria e komentit si dhe gazetaria që ushqehet me informacion nga konferencat e shtypit, deklaratat apo eventet e forcave politike si dhe nga njoftimet për shtyp të policisë, gjykatave apo prokurorisë.
Kjo lloj gazetarie praktikisht kërkon më pak shpenzime se sa gazetaria në terren apo ajo investigative. Faktor i rëndësishëm mbetet sidomos politika editoriale e orientuar dhe shpeshherë e varur nga forcat politike në vend. Një ndikim ka edhe një lloj politizimi i tejskajshëm i vetë shoqërisë shqiptare dhe preferenca e një numri të madh të audiencës për të ndjekur apo për t’u përfshirë në debatin politik.
Formaliteti dhe informaliteti i mediave on line
Gazetarë dhe drejtues mediash on line nënvizojnë për javaneës.al se shpesh dinamika e e ecurisë së mediave ku ata punojnë ose drejtojnë përcaktohet nga audienca gjë që në një farë mënyre dikton lajmin e parë dhe politikën editoriale, por edhe fusha të tjera që lexuesit kanë më shumë interes si Gossip apo Horoskopi.
Audiencat nuk kërkojnë vetëm të informohen, por edhe të argëtohen gjë që bën dhe një lloj diktimi në politikat redaksionale të mediave on line.
Gazetari Arben Muka: Protagonizmi i autoriteteve për formalizimin e medias online sjellje represive
Lidhur me rëndësinë e mediave on -line shprehet për javaneës.al edhe gazetari Arben Muka, i cili është edhe pedagog në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimin në UT. Sipas tij, media online është një aset i pazevendësueshëm për informimin, edukimin dhe argëtimin e publikut. “Është një trend i pakthyeshëm që po merr hapësira kohë pas kohe, falë zhvillimeve të vrullshme teknologjike dhe zgjerimit të aksesit të popullatës në internet. Ky segment i medias ka ndikuar dhe ndikon në sjelljen e pjesës tjetër të tregut mediatik, ka hequr monopolin e redaksive klasike në qarkullimin e informacionit”, nënvizon Muka.
Lidhur me diskutimin që zhvillohet sot mbi formalizimin e medias online, Muka shprehet se është i shëndetshëm, por nënvizon se “ajo që e shoh me bezdi është se në pararojë të kësaj “lëvizjeje” janë autoritetet”.
“Qeveria, parlamenti, institucionet publike, çdokush ka të drejtën të reagojë ndaj produktit negativ të medias online, që dizinformon në formën e shpifjes a fake neës-it. Por procesi nuk mund të ketë vetëm rregullimin ligjor. Unë e shoh përballjen me pjesën e dëmshme të mediave online me një përpjekje proporcionale mes rregullimit dhe vetrregullimit. Kjo e dyta lidhet me inciativat e komunitetit të gazetarëve dhe redaktorëve për dokumente rregullash etike që duhen respektuar. Kuadri ynë ligjor ka nene e pika që e dënojnë dhe sanksionojnë shpifjen. Kështu që qeveria apo çdo institucion tjetër mbetet që të bëjë vetëm një “ripaketim” ligjor, jo më shumë. Protagonizmi i autoriteteve për formalizimin e medias online, nëse nuk është pjesë e një “gjurulldie” për zhvendosje vëmendjeje, tingëllon si sjellje represive, nga e cila mund të priten dhe deformime të lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias. Shqipëria është ndër vendet që jo shumë larg e ka vuajtur mungesën e një dimensioni të tillë demokratik për rreth gjysmë shekulli”, nënvizon Muka për javanews.al
Mira Kazhani, Tiranapost: Bëhet gazetari edhe pa shpifje, kot tremben!
Gazetarja Mira Kazhani, njëkohësisht edhe drejtuese e medias online Tiranapost, komenton se sot për javanews.al “nëse nuk je online quaje se nuk ekziston”.
“Kam parë shumë njerëz të famshëm që përbetoheshin se nuk do e pranonin këtë kurth, por është e pamundur. Eshtë si të jetoje me qiri para 100 vitesh e të mos pranoje elektrifikimin. Kjo është njëra anë”, vlerëson ajo.
Nga ana tjetër, sipas saj, është rrëmuja, kaosi moral dhe gjuha e urrejtjes, bullizmi, shpifja, fake neës apo ‘copy and paste’ që dolën papritur dhe e gjetën gjithë botën të papregatitur.
“Po i shohim pasojat përditë, por pa gjetur zgjidhjen. Zgjidhja nuk është një fjalë goje, qoftë edhe e njeriut më të madh në vend. Duhen rregulla? Absolutisht. Ndëshkim, sipas ligjit dhe në linjë me respektin e lirisë së shprehjes dhe të dinjitetit njerëzor. Liria jote përfundon ku fillon e imja. Më vjen keq që ne gazetarët po flasim sot për shpifjen kaq shumë vetëm pse foli Edi Rama. Kjo nuk është histori për inat apo për avokati të Edi Ramës. Kryeministri mund të ketë arsyet e veta, qoftë edhe për të mbrotjur skuadrën e tij. Por si gazetare kam besimin se media online bashkë me atë tradicionalen kanë kohë që kanë humbur terren dhe sidomos respektin e njerëzve. Po humbim çdo ditë vetinë e informimit me profesionalizëm, sepse sharja është bërë gazetaria online në shumicën e rasteve. Kush shan shitet si i pavarur, kush mbron dikë, apo diçka është i shitur, kush flet me fakte ( shumë pak) është jashtë loje”, thekson Kazhani.
Gazetarja vlerëson se është një histori që nuk bëhet dot as nga Kryeministri, as nga gazetarët, as nga gjyqtarët, plotësisht. Ajo e sheh rregullimin si një proces shumë të gjatë e që do kërkojë vite të tëra.
“P.sh, duke e trajtuar gjuhën dhe komunikimin në tekstet e shkollave, që të paktën shoqëria e re ta ketë në gjak edukatën se çfarë thuhet e çfarë nuk thuhet. është tek morali më shumë sesa tek drejtësia. Më vjen keq kur dëgjoj kolegë që janë të shqetësuar për ndëshkimin e shpifjes. Të krijon përshtypjen se po u hoqe shpifjen, i’u ke hequr bukën e gojës. Bëhet gazetari edhe pa të, kot tremben!”, nënvizon gazetarja Mira Kazhani.
Edison Kurani, NOA: Përçmimi “Rama” është përqendruar te portalet
Ndërsa gazetari Edison Kurani, drejtues i portalit NOA shprehet për javaneës.al se në Shqipëri, portalet informative erdhën relativisht vonë, pasi më herët plot faqe shqiptare, kryesisht për lojëra dhe njohje, ishin hapur nga të rinj të talentuar nga të cilët rrallëkush jetonte në vendlindje. Sipas tij, një dekadë më pas kemi “lumë” portalesh, ku disa prej tyre, ruajnë thuajse në mënyrë stoike, audiencën e krijuar dhe rritur në vite.
“Dëgjon përditë, njerëz që përmendin lajme, të cilat ndonëse në thelb nuk demonstrojnë asnjë problematikë që ndikon në jetën e qytetarëve, janë bërë aq virale, sa “mbysin” lajmet e tjera që trajtojnë çështje me rëndësi jetike për të gjithë, si ekonomia, ndryshimet fiskale, korrupsioni në polici apo kaosi që nuk po i ndahet sistemit të drejtësisë. Pikërisht në këtë vorbull, futet edhe Kryeministri, duke e pështjelluar më shumë opinionin publik. Përçmimi i vazhdueshëm që përdor ndaj mediave, është unik në Europë dhe deri diku, kopje e asaj që po bën me mediat në SHBA, njeriu që sikurse Rama ka uruar, “mos e dhënë Zoti të bëhet President”, Donald Trump”, nënvizon Kurani.
Sipas tij, përçmimi “Rama” është përqendruar tani te portalet, ku nga njëra anë ato vishen me epitete dhe terma nga më fyeset dhe nga ana tjetër, përdoret gjuhë shantazhi për fatin e tyre.
“Por pse është shqetësuese fushata “Rama” ndaj portaleve? Për vetë faktin se është në krye të qeverisë, Rama ka akses të gjerë në media dhe për rrjedhojë, ndikim te njerëzit. Kjo bën që “në mos rrjedhë të pikojë”. E keqja e madhe e kësaj historie, është shumë e thjeshtë: Nëse ka portale që mund ta meritojnë “vulën” e vënë nga kryeministri, kjo nuk do të thotë që ta vuajnë të gjitha. Kostoja është e papranueshme dhe e padrejtë. Nëse kjo situatë nuk merr fund, pasojat do t’i vuajnë vetë shqiptarët: Ata nuk do të informohen dot në mënyrë profesionale nga pjesa kryesore e portaleve që shfrytëzojnë përvojën dhe pasionin mbi çdo gjë tjetër, duke i ofruar qytetarëve atë që e kanë të garantuar me Kushtetutë, të drejtën për informim”, nënvizon Kurani.
Aleksandër Çipa: Tentativat e pushtetit për të ndërhyrë në media janë shqetësuese
Ndërsa gazetari Aleksandër Çipa, i cili është kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, vlerëson për javaneës.al se mediat online në Shqipëri janë tashmë komponenti i parë në raportet informuese dhe opinionbërëse tek masa e gjerë e opinionit publik. Sipas tij, faktorizimi i tyre është një proces në ngritje.
“Arsyet janë të shumta. Por edhe rreziqet po shumëfishohen njeheresh. Etja dhe prirja për ta pasur dhe përdorur këtë infrastrukturë veç gazetarëve edhe kategori të tjera ekstramediatike, ka shumëfishuar rrezikun e ndotjes së ekologjise kulturore dhe ka ridimensionuar rreziqet e përdhosjes dhe shpifjes. Në Shqiperi ka rreth 800 online të cilat është e veshtire për t’i kategorizuar sipas zhargonit profesinal apo emërtimeve deontologjike. Në këte version janë perfshirë të gjitha mediat tradicionale dhe mbi 200 gazetarë në mos janë administratorë të tyre, janë kontribues për mbajtjen e tyre me lëndë raportuese dhe materiale të zhanreve të ndryshme gazetareske”, thekson Çipa.
Sipas tij, grupe te interesit në ekonomi, biznes, ndërtim, administratë publike, sistem i drejtesisë apo perfaqësues nga profesione të ndryshme janë porositës të shume portaleve dhe financojnë shërbesa gazetarësh në portale ose online te shumta.
“Ky zhvillim ka shtuar një kapitull edhe më problematik në pamjen dhe brendinë e informalitetit që karakterizon krejt skenën mediatike të vendit. Në keto kushte nevoitet nje reforme e dyfishtë, edhe formalizuese edhe vetërregulluese. Tentativa e nderhyrjes se pushtetit politik apo institucioneve politike përmes amendimeve ligjore apo paketa si ajo e antishpifjes, mbart disa rreziqe dhe agresion drejtëperdrejte ose indirekt mbi lirinë e shprehjes dhe sidomos ate te raportimit ne mediat e vendit. Për këte arsye reagimet paraprake janë të shumta dhe ndjeshmëria e organizatave dhe komunitetit te gazetareve është më e madhe se kurrë. Plotesisht per regjistrim dhe identifikim te administratoreve, por nevoitet konsulence profesionale per kategorizimin e gjithe spektrit te rrjeteve dhe online-ve ne teresi. Regjistrimi ne QKB, nuk mund te kete detyrime financiare pasi shumica e tyre aktualisht jane iniciativa individuale jo biznesi. Identifikimi eshte norme bazike etike ne marredhenien dhe jeten mediatike e publik. Legalizimi i onlineve ne vend mos paste kurre fatin apo reminishenca me legalizimet pronesore te postkomunizmit. “, nënvizon Çipa.
Gazetari Aleksandër Furrxhi: Mediat duhen formalizuar, qeveria të mos jetë selektive
Lidhur me këtë debat shprehet për javanews.al edhe gazetari Aleksandër Furrxhi, njëkohësisht edhe drejtues i emisionit “Kapital” në Vizion+. Ai kujton se rreth 20 vite më parë gjatë një takimi pune në Londer dikush po fliste për të ardhmen e medias dhe “uraganin” e pritshëm te media online.
“Ne atë kohë mund të dukej si fantashkencë. Sot është padyshim realitet dhe një faktor pa të cilin as që mund të imagjinohet më e sotmja dhe e ardhmja e medias. Media online ka bërë një revolucion fatlum për shpejtësinë e informacionit si dhe për aksesin e menjëhershem që kushdo e ka fare të lehtë. Por, si çdo revolucion, ka dhe rrëmujë e rrëmete. Cilesia e informacionit është viktima e parë. Publiku e sheh sot veten si ai që ecën në majë të gishtave në një fushë të minuar ku po nuk i hape sytë mirë e pëson. Nuk vdes, por qorrollisesh mes të pavërtetave. Kush është në rregull me ligjin dhe normat e tregut sigurisht që nuk e prish gjumin për aksionin e shpallur nga qeveria. Ah, nëse ky aksion do te rezultonte politikisht selektiv, atëhere do të kishim të bënim me repression, me censurë”, nënvizon Furrxhi.
Sipas tij, sa për ashpërsimin e luftës kundër shpifjes, nuk i mbetet Shqipërisë të zbulojë ndonjë shteg të pashkelur. “Nga 28 vendet anetare te BE, 20 prej tyre e fusin fyerjen dhe shpifjen te krimet penale dhe e ndëshkojne deri me heqje lirie. Të tjerat ndalen deri te gjoba. Gjithesesi nuk mendoj se ndëshkimi i ashpër ëeshtë ilaçi i vetëm kundër shpifjes”, thekson gazetari Aleksandër Furrxhi .