• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, January 17, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Speciale / Çfarë po ndodh me godinën e ish-hotel Dajtit?!

by A R
06/04/2016 19:43
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

JavaNews është përpjekur të marrë zyrtarisht një prononcim nga Banka e Shqipërisë për të ardhmen e ngrehinës së “Dajtit”, por ajo s’ka ardhur qoftë edhe në formën e një përgjigje mohore. Ndërkohë projekti i hedhur poshtë pak muaj më parë, duket se nuk po rivitalizohet dot sërish, kurse Banka po përgatitet të marrë me qira mjedise të tjera…Arkitektët ende të ndarë për fatin e saj, shumica zgjedhin heshtjen, kurse më të moderuarit japin variante të ndërmjetme…

Nga Ben Andoni

“Që nga momenti kur kemi hedhur poshtë projektin për rikonstruksionin por që dilte nga volumi i godinës, nuk kam qenë shumë i përfshirë në të”, shprehet arkitekti Armando Vokshi, një nga oponentët e planit për rikonstruksionin e Dajtit.

Një vit më parë, pikërisht më 1 prill 2015, Gent Sejko kreu i ri i Bankës së Shqipërisë, i rihapi procedurat për rikonstruksionin e godinës së ish-hotel Dajtit. Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës solli që prokurimi do realizohej me një kontratë tre vjeçare. Varësisht, projekti i rikonstruksionit të ish-hotelit “Dajti” u miratua edhe në Këshillin Kombëtar të Territorit, që mban vendimin e datës 21 korrik 2015. Anipse, u bë e qartë se godina e shpallur si monument kulture i kategorisë së dytë do t’i kishte ndërhyrjet referuar përcaktimeve të vendosura nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, ku duhet të liheshin të paprekur mjediset e jashtme, siç kishin qenë në projektin bazik. Qysh atëherë ka vetëm heshtje…

IMG_0521

Marco Petreschi

…Pak kohë më parë, Banka e Shqipërisë e kishte menduar mirë emrin, që do t’i besonte rikonstruksionin e hotelit simbol, që kishte nën varësi. Arkitekti italian që drejtonte punën e rikonstruksionit të godinës qendrore të Bankës së Shqipërisë e ka prezantuar veten si një njeri që e respektonte punën e Gherardo Bosios, arkitektit të Dajtit ndaj u mendua si zgjidhja më e mirë, ndërkohë që po punonte edhe në të njëjtën çati me Bankën Qendrore. Kontrata me Petreschin ishte me prokurim të drejtpërdrejtë dhe u lidh më 23 nëntor 2011. Kohë më vonë, prokuroria në dosjen e saj për shpërdorimet e bankës, do të theksonte se Banka e Shqipërisë shmangu tenderin e hapur, i cili do i kushtonte 700 mijë euro. Në një shkrim investigativ, realizuar nga BIRN theksohet se:”Prokurimet e drejtpërdrejta kanë qenë një procedurë rutinë, e ndjekur rëndom nga Banka e Shqipërisë përgjatë drejtimit të Fullanit. Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2014, tenderat e hapur zinin vetëm 18 për qind të numrit të përgjithshëm të prokurimeve. Para se të lidhte kontratë me arkitektin italian, Banka e Shqipërisë kishte realizuar 17 prokurime “blerjesh të vogla” me vlerë 3 897 650 lekë, të fituara nga kompania “Altea Geostudio 200” në periudhën 3 shkurt-3 gusht 2011. Studioja kishte marrë përsipër të bënte studime gjeoteknike dhe analiza laboratorike mbi gjendjen e godinës!!!”

Atëkohë Kontrolli i Lartë i Shtetit do të vlerësojë se studimet paraqesin mangësi dhe kërkuan kosto shtesë për projektet e mëpasme, të aplikuara nga Banka e Shqipërisë. Madje në dosjen e Prokurorisë kundër ish-guvernatorit Fullani do të theksohet se paratë janë shpërdoruar përmes procedurave të dubluara.

IMG_0527

Kujt ia hodhën fajin në kohën e Fullanit?

Probleme të tjera dolën me të ashtuquajturat strukturat e dobëta të godinës së Dajtit. Në muajt korrik dhe shtator të vitit 2012, teksa punohej me projektimet, po punohej njëkohësisht për përzgjedhjen e kompanisë, që do të kryente prishjet në godinë. Edhe këtu ka shumë tollovi, sepse tenderi zhvillohet dy herë, kurse kontrata me kompaninë ABG, që e kishte fituar tenderin për ta prishur, arrin të zbatohet vetëm në masën 60 për qind. Arsyeja e parashtruar ishte se mungesa e një plani urbanistik për Tiranën do të thoshte të mos prekej territori i ish-hotel Dajtit.

Po ndërsa firma bëri ndërprerjen e punimeve prej strukturave të dobëta të godinës, të cilat duheshin forcuar para se të bëheshin prishjet, “Palët nënshkruan një dokument, ku kanë rënë dakord për mbylljen e kontratës. Diferenca e punëve të pakryera është 9.7 milionë lekë,” thuhet në dosjen e Prokurorisë, cituar nga BIRN.

Dhe më 25 shkurt 2013, ish-guvernatori Ardian Fullani do detyrohet të ngrejë një grup pune për të analizuar vlerësimet teknike dhe problemet e shpeshta që lidhen me qëndrueshmërinë e godinës.

Nga dokumentet e kohës del se ekspertët arritën në përfundim që “problemet nuk qe e mundur të vlerësoheshin më parë”. Ato u përkufizuan si “forcë madhore”; një ngjarje që nuk mund të parashikohej ose është jashtë kontrollit të arsyeshëm të palëve. KLSh e gjeti sërish fajtorin, përkundrejt pretendimeve se ka pasur “forcë madhore”, për Kontrollin e Lartë të Shtetit bëhej fjalë thjesht për mosndërhyrje në kohë në detyrat e projektimit, ato që vetë arkitekti Italian, Marco Petreschi i kishte marrë mbi vete në angazhimin për kontratën e projektimit me vlerë 700 mijë euro.

…

Larg të tjerave, prokuroria e Tiranës ishte më e qartë: projektet për ish-hotel Dajtin erdhën pasi Banka e Shqipërisë nuk kishte bërë që më parë një check-out të asetit që do të blinte. Dhe, ish-guvernatori do të mbajë mbi shpinë edhe akuzën e blerjes së një hoteli, që do e kthente si një ambient thjesht për zyra pune.

Në kohën tonë

Tashmë që Godina e re e Bankës së Shqipërisë është funksionale, duket se sërish kemi probleme dhe falë tyre ka dalë se godina e “Dajtit” ende s’i ka ardhur koha për përdorim! Dhe, vetëm pak ditë më parë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës e Shqipërisë, shpalli se kërkon të marrë me qira për nevoja të institucionit ambiente shtesë, me shumën prej 106 milion Lekësh. Kontrata e qirasë është preçizuar për një periudhe trevjeçare, teksa si përmendëm më sipër ka nxjerrë në dukje edhe fatin e ish-hotel “Dajtit” në bulevardin kryesor, e cila nga koha kur u ble prej qeverisë Berisha e deri më sot, përbën një nga plagët e gjalla të kryeqytetit. Në të gjithë këtë paradoks, duke gjykuar edhe nga kontrata 3-vjeçare e qirasë, arrin të kuptosh se kjo gërmadhë do të jetë deri në vitin 2018 apo nuk do jetë gati për stafin e bankës.

Javaneës ka qenë e pafatë të marrë një përgjigje lidhur me problemin, ashtu si para saj kanë tentuar pasukses edhe disa media të tjera të vendit…

Si mund të kalohej ky paradoks?

Godina e ish-Hotel “Dajtit” është pjesë e ansamblit të mbrojtur të Tiranës, që do të thotë se ka një status të veçantë mbrojtje dhe përgjegjësie institucionale të funksionimit të saj. Shoqata e Arkitektëve e ka vlerësuar projektin e restaurimit, por ka qenë kundër ndryshimit të destinacionit, fakt për të cilin s’ka qenë dakord edhe Këshilli Kombëtar i Restaurimit, referon Maksi Mitrojorgji anëtar i shoqatës së arkitektëve. Për të personalisht “Dajti” duhet të ruajë funksionin, kurse problemi duket ligjor, pasi Banka kur e ka blerë, si pjesë e marrëveshjes ka qenë dhe tjetërsimi, një fakt që Mitrojorgji personalisht, ka kërkuar mirëkuptimin nga Banka për mosndryshim destinacioni. Nga ana tjetër, arkitekti i njohur, ka vlerësuar projektin e rikonstruksionit të mjediseve shoqërore, ku veçon përpjekjen që interieri të kthehet sërish në modelin parak të kohës së vet. Ai i përmbahet në arsyetimin e tij faktit se godina ka qenë hotel, madje një nga më të mirët e kohës së vet dhe kur u ndërtua ka qenë një vepër arkitekture shumë bashkëkohore dhe shprehëse e një stili të caktuar arkitektonik, ku gërshetohej racionalizmi  modern me presionin e stilit zyrtar fashist. Një përballje kjo shumë d.m.th. në arritjen e ekuilibrit kompozicional të veprës.

Hotel “Dajti” është një vend me histori politike për vendin tonë, si vend-mbledhje e shumë veprimtarive të regjimeve pushtuese dhe shfrytëzimit turistik nga ana e nomenklaturës së regjimit komunist. Por një zgjidhje e mirë do ishte, për arkitektin e njohur, cituar nga JAVAneës “që ngrehina të shndërrohej në një shoqëri hoteljere SH.A.( bankë-qeveri)për  ruajtjen e funksionit dhe bilancit  tregtar-ekonomik nëpërmjet pritjeve dhe  aktiviteteve shtetërore e politike kombëtare apo ndërkombëtare, që sot pilotohen tek privatet, do mundësonte funksionimin e tij dhe shlyerjen e atij transaksioni abuziv prej rreth 30 milion Eurosh”.

…

Deri në vitin 1995, Hotel “Dajti” vazhdonte të ishte lidere në fushën e hotelerisë kombëtare dhe madje edhe rezultonte me bilance pozitive. Projekti fillestar i hotel “Dajtit” u realizua në fund të viteve ‘30 nga arkitekti italian, Gherardo Bosio, që vdiq 38 vjeç ende pa u mbaruar ndërtimi i vet.  Një përpjekje e fundit për ta bërë efektiv per nevojat social-kulturore të kryeqytetit ishte edicioni i katërt i Bienales së Tiranës më 2004. Pas kësaj, gjithçka mori fund. Më vitin 2009, i kishin mbetur vetëm llambadarët, që vareshin nga panelet e lartë, si të vetmit dëshmitarë të kohës së pakthim të luksit. Ato ishin ndër aksesorët e realizuara nga Ponti dhe vetë Bosio, që konsideroheshin si nga më të gjeturit në Ballkan e që e bënin Dajtin njërin prej hoteleve më luksozë të kohës.

Përpjekja e parë reale për ta gjallëruar funksionalisht u bë më 28 Maj të vitit 2005, kur u zhvillua tenderi i hapur për shitjen e Hotel “Dajti”. Ai dështoi edhe pse me ofertë të ulët, pasi pati një bojkot të biznesmenëve shqiptarë e të huaj. Procesi i privatizimit te hotel “Dajti” dështoi edhe dy herë të tjera më pas. Agjencia Kombëtare e Privatizimeve bëri të ditur, se vlera fillestare e hotel “Dajti” në momentin e shitjes, ishte 1 miliard e 800 milionë Lekë. “Zgjidhja” përfundimtare iu dha një nga periudhat më të këqija të qeverisë Berisha, më 17 maj të 2010, kur u ble nga Banka e Shqipërisë për 30 milionë euro. Justifikimi ishte “nevoja urgjente për mjedise bankare”, por që kuptohej realisht se ishte një shiringë -ndihmë për Berishën. Për ironi të fatit, vetëm dy vjet më parë, në vitin 2008, ai vetë e kishte caktuar për ta bërë residencë të Ministrisë të Jashtme. Sot, më 2016, ajo është një ngrehinë pa destinacion dhe krejt e rrënuar vetëm 200 metra larg qendrës së Tiranës në pritje të kthehet në mjedis aksesiv për Bankën e Shqipërisë.

Next Post

Ja ç'bëjnë Japonezët... krijojnë seksin virtual (VIDEO)

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Gjykimi për Banjskën, refuzohen dëshmitarët shtesë, caktohet afati përmbyllës

Gjykimi për Banjskën, refuzohen dëshmitarët shtesë, caktohet afati përmbyllës

January 16, 2026
Policia bën bilancin e nëntorit: 115 operacione, 602 të arrestuar dhe miliona euro pasuri të sekuestruara

‘Po më ndjek një makinë’! Qytetari ‘alarmon’ Policinë në Vlorë, çfarë rezultoi pas verifikimeve

January 16, 2026
“Je fiks si ai”/ A do e takojë Miri babanë e Selinës? Banorja i përgjigjet: Ndoshta edhe e ke mërzitur

“Je fiks si ai”/ A do e takojë Miri babanë e Selinës? Banorja i përgjigjet: Ndoshta edhe e ke mërzitur

January 16, 2026
Shqetësimet për sigurinë | Komandanti arktik i Danimarkës: Fokusi është tek Rusia, jo tek SHBA-të

Shqetësimet për sigurinë | Komandanti arktik i Danimarkës: Fokusi është tek Rusia, jo tek SHBA-të

January 16, 2026
Zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, Mediu: Opozitës i duhet kandidat gjithëpërfshirës, jo një punëtor partie

Mediu: Rama nuk i do më as ministrat dhe as kryebashkiakët. Synon që…

January 16, 2026
SPAK-u, gjykatat dhe keqkuptimi i madh mbi drejtësinë

Vetëm Thoma Gëllçi bëri Televizion Publik konkurues

January 16, 2026
Imazhet satelitore zbulojnë: Izraeli po zhvendos “Linjën e Verdhë” më thellë brenda Gazës

Imazhet satelitore zbulojnë: Izraeli po zhvendos “Linjën e Verdhë” më thellë brenda Gazës

January 16, 2026
“Ndihem i zhgënjyer nga qyteti im”, Shehi: Mendoja se do të kishin pak më shumë respekt për mua

“Rama me Kinën, si Enveri me sovjetikët”, Shehi: Ja simbolika e mbledhjes te Pallati i Brigadave

January 16, 2026
Autobusi i ekipit të futbollit përplaset me kamionin, trajneri në gjendje të rëndë, vdes ndihmësi…

Autobusi i ekipit të futbollit përplaset me kamionin, trajneri në gjendje të rëndë, vdes ndihmësi…

January 16, 2026
Liderja e opozitës së Venezuelës pas takimit me Trump: Do të kthehem në vendin tim sa më shpejt!

Liderja e opozitës së Venezuelës pas takimit me Trump: Do të kthehem në vendin tim sa më shpejt!

January 16, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In