SPECIALE/ Ja cilat ishin 8 objektet më të lakmuara gjatë sekuestrimit të pasurive të luajtshme të ish-pronarëve
A ishin forcat partizane gjatë Luftës së II Botërore vetëm “njerëz mali”? Apo mes tyre kishte jo pak njerëz që ia dinin shumë mirë kuptimin jetës dhe stilit të jetuarit. Në fakt po të shohësh një seri dokumentesh që kanë të bëjnë me sekuestrimin e një sërë pasurish të luajtshme gjatë viteve të para pas çlirimit, arrin lehtësisht në përfundimin se ata e dinin shumë mirë se çfarë bënin dhe se e njihnin shumë mirë stilin e jetesës së “klasave të përmbysura”. Flori, piktura, çanta lëkure të lara në flori, servise, mobilje, bizhuteri, kupa të llojeve të ndryshme, monedha të vjetra, ora etj., përbëjnë ajkën e objekteve më të lakmuara për tu sekuestruar.
Pasuritë e luajtshme që regjimi komunist u sekuestroi ish- pronarëve pas çlirimit të vendit nga pushtimi nazi- fashist, vijojnë të jenë një temë e nxehtë, madje në shumë raste kjo fabul ka marrë trajtën e legjendave urbane, ku flitet për tonelata me flori apo për bizhuteri që “mund të blinte Ballkanin”!! Pavarësisht kësaj, pas 70 vitesh shumë ish pronarë, shprehen se është bërë thuajse e pamundur rikuperimi i shumë pasurive të luajtshme, të cilat u sekuestruan nga qeveria komuniste. Sipas tyre, ka mungesë të theksuar dokumentacioni, madje shumë nga këto pasuri janë marrë pa asnjë proces-verbal.
Myrshit Vorpsi, kryetar i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, shprehet për JAVANEWS se inventarizimi i pasurive të luajtshme të sekuestruara ka qenë thuajse i pamundur, pasi shumë ish- pronar janë dëbuar nga pronat e tyre si shtëpi, dyqane, toka etj., vetëm me rrobat e trupit. “Çdo familje tregtare ka qenë mjaft e kamur jo vetëm në flori, por edhe në piktura, mobilje, bizhuteri, veshje, etj. Të gjitha këto pasuri janë marrë pa procesverbal. Edhe në ato pak dokumenta që janë vihen re mungesa të theksuara të dokumentacionit. Kjo ka bërë që shumë ish pronarë thuajse ta kenë të pamundur që të rimarrin këto pasuri të tundshme”, shprehet Vorpsi. Por cilat kanë qenë objektet më të lakmuara gjatë këtyre sekuestrimeve sa I përket pasurive të luajtshme?
Floriri, sipas Vorpsit është në krye të listës, duke vijuar më pas me bizhuterit në flori he argjend, serviset e ndryshme të lara në florid he argjend, piktura dhe vepra arti, një pjesë e të cilave sipas tij gjenden në Galerinë Kombëtare të Arteve, monedha të vjetra me vlera numizmatike. “Nuk mund të them se këto pasuri të luajtshme u sekuestruan për të përfituar privatisht personat që ishin në krye të këtyre operacioneve. Shumë prej tyre përfunduan në pronësi të shtetit. Por seç është bërë më pas me to është mjaft e vështirë ti japësh një përgjigje të saktë. Ajo që është e saktë është se pronarët dhe trashëgimtarët e tyre I humbën përfundimisht dhe nuk mendoj se ka më ndonjë mundësi që të rikuprohen”, shprehet Vorpsi.
1- Floriri ka qenë në krye të listës së sekuestrimeve. Nuk ka një shifër të saktë të sasisë së sekuestruar. Ish pronarët pretendojnë se u janë marrë nga qeveria 1863kg ndërsa të dhënat e Bankës flasin për 252 kg e 837 gr.
2- Më pas vinin bizhuterit dhe stolit të cilat kanë qenë të lara në flori apo që zbukuroheshin me diamante. Nuk ka një shifër të saktë për sasinë e sekuestruar por ajo që dihet është se ato janë mbyllur me dyll të kuq dhe janë vulosur.
3- Serviset e lara në flori, argjend dhe të punuara në bakër, kanë qenë të tretat në listën e mallrave të sekuestruara. Shumë prej këtyre serviseve janë përdorur gjatë viteve të para të çlirimit në pritje të ndryshme që organizonte qeveria komuniste për nder të delegacioneve qeveritare që vinin nga lindja. Një pjesë e tyre janë bërë dhurata për krerë delegacionesh që vizitonin vendin tonë.
4- Pikturat dhe veprat e artit renditen të katërtat në inventarin e preferencave për mallrat e sekuestruara. Duke parë disa dokumentacione bie në sy fakti se ato shënoheshin vetëm pikturë e madhe ose e vogël, apo skultur vajze apo djali, dhe jo emri i autorit të veprës. Shumë prej këtyre pikturave ish pronarët pretendojnë se janë në arkivin e GKA ku mungon autori i veprës dhe është shënuar “Anonim”
5- Çantat e lëkurës të lara në ar kanë qenë edhe ato pjesë e inventarit të objekteve të sekuestruara. Këto canta mësohet se një pjesë janë bërë dhuratë ndërsa të tjerat i janë nënshtruar një procesi për të ndarë floririn nga lëkura.
6- Monedhat e vjetra të cilat përfaqësonin dhe vlera numizmatike fillimisht janë sekuestruar pa ua ditur rëndësinë. Madje shumë monedha të vjetra u përzien me monedhat e floririt. Vetëm më pas ishte Banka e Shtetit ajo që filloi të bënte kategorizimin e monedhave duke i klasifikuar sipas rëndësis që ato kishin.
7- Objektet e punuara në ar dhe argjend ishin të top-listën e objekteve më të kërkuara. Por në shumicën e rasteve ato përveç shkëlqimit nuk paraqisnin ndonjë vlerë të veçantë pasi përqindja e floririt të përdorur në këto objekte ishte shumë e varfër.
8- Karficat, orat dhe qostekët sidomos ato të lara në flori hynin dhe ato në kategorinë e mallrave të lakmuara për tu sekuestruar. Shumë dyqane që shisnin ora u sekuestruan. Mjaft ora të florinjta stë gjetura në shtëpitë e tregtarëve që u sekuestruan, u përdorën gjerësisht për dhurata.
(javanews.al / a.m)