Spartak Braho iu është rikthyer edhe njëherë akuzave të Agron Tufës, se donin ta vrisnin, ndërsa flet në një intervistë për Dita.
– Zoti Braho, besoj se jeni ndër njerëzit që e keni ndjerë më shumë largimin e Agron Tufës dhe kërkesën e tij për azil politik, me sa duket në Zvicër. Pas kaq ditësh të largimit të tij, si do ta komentonit atë akt?
– Në të vërtetë nuk më bëri asnjë përshtypje ikja e tij. Ishte largimi i një falsifikatori të historisë, një plagjiator i rëndomtë, ndaj dhe ikja e tij nuk kishte se si të më shqetësonte. Tani kemi një mashtrues më pak, tha Fatos Tarifa. Ndërsa Dr. Sabit Brokaj e quajti një bëzhdilë me të cilin nuk ia vlen të merresh. Por…
– Çfarë por…, Spartak? Ai ka përdorur si pretekst se ju, ish-komunistët donit ta vrisnit. Kjo është një akuzë e rëndë. Në të vërtetë, a keni pasur ndonjë plan për të vrarë Agron Tufën?
– Po, ka patur. Pavarësisht se ju shpesh keni botuar në gazetën tuaj edhe idetë e Tufës, unë them me përgjegjësi se një plan i tillë ka ekzistuar. Nuk po bëj aspak humor me një çështje kaq serioze.
E merrni me mend apo jo: Kanë dashur ta ekzekutojnë Agronin! Kjo është lebetitëse për Shqipërinë e shekullit të 21-të!
Janë bërë edhe mbledhje për këtë punë. Fatmirësisht, mua më përjashtuan nga atentati, pasi më thanë se boll ke vrarë në kohën e komunizmit. Detyrën ia ngarkuan Arben Dukës. Mund t’ia kishin ngarkuar edhe Sabitit, Fatosit apo Shaqirit.
Edhe ti, Xhevdet, pavarësisht se je nga Mallakstra, në mbledhjen e celulës vendosëm të të përjashtonim nga aksioni, pasi ti nuk di të zbrazësh kobure. Dhe, mbi të gjitha ke ndihmuar shfaqjen e Agron Tufës në letrat shqipe. I ke botuar poezitë e para qysh në vitin 1989, kur ai ishte ushtar në Shkodër. Nuk të takonte ty të vrisje një talent.
Nejse, e pranoi Beni të bënte atentatin, se i ra dhe shorti. E pranoi heroikisht si Avni Rustemi. Por atentati nuk u krye, pasi Agroni iku para se të vihej në zbatim plani. Por mendoj se edhe Ben Duka nuk do bënte dot gjë, ka harruar si zbrazet koburja, pasi e ka mendjen te vjershat.
Sidoqoftë, plani ka ekzistuar. Hetimet e mëtejshme, pasi të kthehet Tufa, do ta vërtetojnë katërcipërisht atë… Beni pranon dhe vetë në një poezi të që botoi para dy ditësh në gazetën tuaj, kur thotë: “Dhe fjalën vijova unë:/ “Meqë jam një Kolonel,/ do ta zgjidh vetë këtë punë, /edhe llafi nuk na del!”
“Jemi në vijim të luftës,/ kam dy ditë që e mendoj, /që Çelon në vend të Tufës, / vetë ta ekzekutoj! Këtu mbyllëm diskutimet,/ më tutje fjalën ç’ta zgjasim, / unike qenë mendimet, /që Çelo Hoxhën të vrasim!
– Mendoni se ikja e Tufës ishte e qëllimshme menjëherë pas kremtimit të 75-vjetorit të çlirimit, për të treguar se komunistët vazhdojnë të jenë të rrezikshëm në këtë vend, se ata vazhdojnë të vrasin. Dikush e quajti ikjen e Tufës si tërmeti i dytë për Shqipërinë?
– Kjo arratisje mund të jetë edhe e qëllimshme, por propaganda që i bëhet është e dalë boje dhe nuk pi ujë, nuk e beson askush. Përkundrazi neofashistët u ringjallën, morën zemër si asnjëherë dhe deshën të bëjnë ligjin në këtë vend pas vitit 1990.
Por, një gjë do t’u them neofashistëve: Mos mendoni se me festimin e 75 vjetorit të çlirimit të atdheut nuk do të merremi më me luftën antifashiste dhe sërën e neoballistëve dhe neofashistëve. Do të merremi vendosmërisht deri në 100-vjetorin e çlirimit e më tutje, sa herë që neofashistet të ngrenë veshët.
Prandaj dhe thashë se Tufa dhe shokët e tij i kanë bërë llogaritë gabim. Kurse ai që mendon se ikja e Tufës shkaktoi tërmet, mendoj se është një i lajthitur, një nga ata të zgërlaqurit që dikur i ngrinin himne Partisë së Punës dhe komunizmit.
Është një nga ata që vinin Shishen e Qumështit në radhë dhe këndonin pafundësisht për Enverin. Të tillë njerëz janë të denatyruar dhe të pabesueshëm edhe pas njëmijë vjetësh. Ai dhe ata të sojit të tij janë tërësisht të pabesueshëm.
Ky antikomunizëm si i Tufës dhe i të tjerëve si ai, si për shembull Shishja e Qumështit, nuk më duket natyral dhe as i goditur. Duket si një lojë që disa e bëjnë për modë dhe snobizëm.
Duket si antikomunizmi i Sali Berishës që siç e tregoi koha asnjëherë nuk ka qenë i tillë. Komunist ka qene komunist mbetet ai, sado që të përdridhet e të ngjiret ai. Madje një komunist i konvertuar në antikomunist dhe si i tillë është më i zi se të gjithë. Sigurims, operativ e bashkëpunëtor ka qene e po ashtu mbetet. Ashtu ka mbetur ai dhe çeta e tij. Tamam ajo figurë që perifrazon Haveli i madh.
Prandaj nuk të bindin në këtë historinë e “arratisjes” as Muç Nano, as Visar Zhiti dhe as Bardhyl Londo, me tërmetin e tij qesharak dhe aspak letraresk.
– Sidoqoftë, ai iku si drejtor i një instituti të rëndësishëm dhe ka folur si i persekutuar politik, ndaj dhe ka kërkuar azil politik. Kjo duhet të sqarohet, apo jo?
– Agron Tufa nuk ka qenë asnjë ditë i persekutuar politikisht, madje ka qenë i privilegjuar dhe i përkëdhelur nga qeveritë shqiptare. Me që më pyete po të përgjigjem, duke iu drejtuar Tufës: Bëre gabim që ike, Agron, ndonëse e përgatite me kujdes dhe e paralajmërove ikjen tënde.
Na e bëre me hile dhe me të pabesë, ndonëse hyre në gjynah me 265 udhëheqësit, dëshmorët dhe heronjtë e luftës antifashiste nacionalçlirimtare, që, bashkë me mikun tënd Çelo Hoxhën, një historian i çmendur (tashmë i komanduar në ish postin që mbaje ti) i quajte dhe vazhdon t’i quash “kriminelë”.
Sidoqoftë, ti e bëre proçkën. Ia mbathe! Unë të bëj apel të kthehesh se nuk të kanoset asnjë rrezik. Mos pandeh se do të guxojë ndokush të ndyjë duart me ty. Unë them të kthehesh se nuk besoj se do të japë azil politik ndokush, pasi të marrin vesh palaçollëqet e tua.
Nga ana tjetër, mos kujto se do të bëhesh më i mirë e do ta ndreqësh biografinë andej. Jo. Ato pisllëqe që ke bërë do të të ndjekin pas gjithë jetën, ashtu siç i ndoqi historia kriminelët e luftës ish-ballistët e tu të dashur…
– Zoti Braho, ju po i bëni apel Tufës të kthehet dhe shpreheni kundër azilit politik për të. Pse e bëni këtë zoti Braho?
– Të thashë pra. E para e punës Agron Tufa nuk ka pse të kërkojë azil politik se nuk ka qenë asnjëherë i persekutuar politik, madje mund të them se ka qenë i përkëdheluri i qeverive pas vitit 1990.
Ai shkoi për studime në Moskë, jepte leksione në universitet, iu besua detyra e drejtorit të Institutit për Studimin e krimeve dhe Pasojave të Komunizmit nga qeveria e Berishës dhe vazhdoi të financohej nga qeveria e Ramës. Merrte një rrogë të majme si drejtor dhe pasi bëri gjithë ato mbrapshti në institut sidomos vitin e fundit që ishte dhe viti jubilar i 75-vjetorit të çlirimit të atdheut, kërkon të na hedhë hi syve neve dhe gjithë botës duke na u hequr si i persekutuar.
I shkreti Agron! Pse e bëre këtë? Sepse ti nuk je as me origjinë balliste. Bile një pjesë e familjes tënde kanë qenë të luftës partizane. Ku dreqin u mbushe me aq vrer për luftën çlirimtare, dëshmorët dhe heronjtë e saj, njësoj si Sali Berisha e Uran Butka.
Ti studiove kaq vjet në ish-Bashkimin Sovjetik e nuk mësove se si i nderojnë ata luftën patriotike, heronjtë dhe viktimat e asaj lufte. Po këtë nderim bëjnë edhe amerikanët anglezët e kudo në Europë. A e pe Zj. Merkel që nderoj viktimat e nazifashizmit në Aushvic para një jave?
Kurse Ti Agron dhe disa kokrra si ti kërkoni të ktheni mbrapsht rrotën e historisë që është një mision i pamundur.
– Tufa ju kishte hedhur në gjyq, bashkë me gazetën DITA dhe disa të tjerë si Sabit Brokaj, Shaqir Vukaj, Fatos Tarifa, Arben Duka… Mos ky zemërimi yt ndaj Tufës ka të bëjë me këtë fakt?
– Jo. Aspak. Përkundrazi ne mezi po prisnim ballafaqimin me të në sallën e gjyqit. Mirëpo ai ia mbathi pikërisht një ditë para gjyqit. Kjo është paburrëri. Pra gjyqi na ngeli i pa mbaruar.
Nuk është burrërore Agron t’i shmangesh gjyqit ku na akuzoje për shpifje, paçka se nuk zgjodhe një avokat të mirë por një mashtrues me shumë emra që të kujton Kadri Cakranin e Mallakastrës të vitit 1944. Ku të çon mushka me të? Nejse puna dhe shijet e tua janë personale.
– Gjithsesi, ju i bëni apel që të kthehet. Që të përballeni në gjyq?
– Edhe për këtë. Por mbi të gjitha që ai të mos merret më tej me ato punë të mbrapshta. Unë i them atij: Lëre o derëzi historinë e luftës nacionalçlirimtare. E ka marrë Balli Kombëtar atë mision përsipër dhe, pavarësisht se deri më sot ka dështuar, vazhdon me kokëfortësi në atë rrugë pa krye.
Ç’të duhesh ty Agron të përziheshe me krundet e historisë? Por përgjegjësia jote bëhet më e rëndë pasi i ngatërrove keq dhe qëllimisht dëshmorët dhe heronjtë e luftës me krimet e regjimit komunist pas luftës.
Nejse, e hoqe këtë valle sipas muzikës dhe uverturave të Ballit kombëtar dhe pasardhësve të tyre që u ka kaluar koha dhe i ka flakur historia e popullit shqiptar tej.
Edhe nga ana ekonomike ti Agron nuk ishe keq se merrje goxha rrogë dhe shpërblime. Paçka se asnjëherë nuk e sqarove se titujt shkencorë, siç thoshte prof. Aristotel Spiro i kishe plagjiaturë dhe të kopjuara.
Po se mos je ti i pari. Deri tani nga këta lloj vjedhësish asnjërit nuk i ka hyrë njeri gjemb në këmbë. Kot u trembe dhe ti. Kot u trembe edhe se do të vrisnin. Nuk të vret njeri ne Shqipëri për këto punë. Edhe ata që ti i akuzon si falanga komuniste, sigurimsa etj., nuk do të vrisnin.
Na duhesh këtu, i dashur. Të vazhdosh të drejtosh institutin si drejtor, se Rama të ka qejf dhe nuk të shkarkon dhe parlamenti mban sehir. Të zhvillosh prirjen tende si poet she shkrimtar pse jo edhe prirjet politike si opozitar.
Por të gjitha këto duke mos e shkelur ligjin. Se siç e di ti, po e shkele ligjin është ai që të gjen kudo që të vesh apo fshihesh edhe në vrimë të miut. Apo jo? E ambasadat e huaja në Tiranë dhe ambasadorët tanë nëpër botë i dinë mirë këto punët tona këtu dhe nuk do të lejojnë që ti të abuzosh me ta dhe të përfitosh një trajtim që nuk e meriton.
– A ke ndonjë apel të fundit Spartak, për këtë çështje?
– Nuk kam apel për ambasadat. Ato i dinë mirë punët e tyre. Me që më kërkuat një mendim apo një apel, siç thatë, po e jap për Tufën: Agron Tufa! Lëri mënjanë ata që të bëjnë qejfin kot dhe me demagogji se ligji i shkelur është njëlloj kudo në kapitalizëm. Ti i pari e ke baltosur.
Deri sa nuk ua ke mbushur mendjen edhe ambasadave të të ndihmonin, prokurorisë e qeverisë, lëre këtë pune dhe kthehu sa më parë. Ne do të na kesh në krah sinqerisht, për aq kohe sa nuk ke faj. Aq më tepër femijët e tu.
Na duhesh Agron, edhe për faktin se je gatuar ndryshe dhe ne duhet të merremi me ty. Me Çelon që ke lënë pas nuk na e mbush dot mendjen…