Deputeti i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, deklaroi në studion e “Debat” nga Alba Alishani, se opozita duhet të dalë në protestë para Kryeministrisë, “me qëllim që SPAK-u të stimulohet” dhe t’i drejtohet edhe atij që e quajti “njeriu i paprekshëm”.
“Testin opozita e ka kaluar, ajo ushtron presion dhe SPAK-u është i detyruar të hapë çështje penale. Sot, të gjitha çështjet penale që ka SPAK-u janë për shkak të presionit të opozitës: inceneratori, sterilizimi dhe të tjera. Meqënëse kjo funksionon, niveli i protestës duhet të rritet, të dalë edhe para Kryeministrisë, me qëllim që SPAK-u të stimulohet dhe të kapërcejë pengesat për të dalë aty ku të gjithë duam: të godasë korrupsionin dhe aferat”, tha Boçi.
Sipas deputetit demokrat, “përderisa SPAK-u nuk lëviz vetë dhe ka shenja që lëviz sipas protestës, pse jo, protesta të zhvendoset edhe para Kryeministrisë, me qëllim që SPAK-u të drejtohet edhe te “njeriu i paprekshëm”. Sepse ai vendos dhe përcakton gjithçka që ndodh. Të goditet pra ai person që rregullon të gjithë këmbët e oktapodit sepse ka menaxhim të tipit mafioz”.
/a.r