Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka nisur hetimet ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për tenderin për pajisjet elektronike të votimit.
Në kërkesën drejtuar KQZ, SPAK kërkon dokumentacionin e plotë të praktikës së procedurës të prokurimit lidhur me pajisjet për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikim e tyre paszgjedhor.
“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për nevoja të hetimeve që po zhvillohen kërkon nga ana juaj dokumentacionin e plotë të praktikës së procedurës të prokurimit me nr.”REF-83073-12-23-2020″ me objekt “Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikim e tyre paszgjedhor” dhe të praktikës së procedurës të prokurimit me nr. “REF-89113-03-04-2021”, me objekt “Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për votimin dhe numërimin e votave” – thuhet në kërkesë.
Sipas gazetarit Osman Stafa, kërkesa e drejtuar ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mban emrin e kreu të SPAK, Altin Dumani dhe është firmosur më datë 16 gusht 2024.