Nga Carlo Bollino
SPAK, falë volumit gjigand të hetimeve të kryera, ka një popullaritet të padiskutueshëm prej kohësh. Megjithatë, muajt e fundit diçka duket se po ndryshon: arrestimi i politikanëve nga e djathta dhe e majta (në të vërtetë, veçanërisht nga e majta), aplikimi i standardeve që duken ndryshe, vonimi i disa hetimeve dhe përshpejtimi i të tjerave, janë disa nga arsyet pse dyshimet e para kanë filluar të grumbullohen edhe rreth këtij institucioni të konsideruar deri më tani të paprekshëm. Një sondazh i kryer nga Instituti Italian Piepoli tregon për herë të parë se 53% e banorëve të Tiranës të intervistuar dhe 51% e shqiptarëve të intervistuar në Itali, besojnë se SPAK nuk funksionon vërtet në mënyrë të pavarur. Për të shmangur spekulimet politike, duhet theksuar se anketa është kryer një javë para arrestimit të Erjon Veliajt dhe për këtë arsye ky gjykim nuk mund të ndikohej ende nga ajo që ndodhi me kryebashkiakun e kryeqytetit.
Kjo ndjenjë besimi në rënie është një shenjë e keqe jo vetëm për Spak-un, por për të gjithë shoqërinë shqiptare. Rreth Spak-ut është krijuar një mit i cili, për të qëndruar në nivelin e pritshmërive të mëdha që ka ngjallur, duhet të garantojë standarde maksimale të neutralitetit, ekuilibrit, barazi, transparencës dhe pavarësisë absolute. Kur themi pavarësi, megjithatë, duhet të nënkuptojmë pavarësinë nga sistemi politik dhe jo nga kontrolli gjyqësor. Me fjalë të tjera, SPAK, si çdo subjekt institucional, duhet t’i nënshtrohet kontrollit, natyrisht plotësisht të pavaraur. Edhe aktet e presidentit të republikës janë nën kontroll dhe në fakt, përveç Spak-ut, i nënshtrohen verifikimit të legjitimitetit nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa veprimet e vetë Kreut të Shtetit, që është figura më e lartë institucionale në vend, mund të gjykohen nga parlamenti. Po kush e kontrollon sot SPAK-un? Kush e kontrollon në të vërtetë kontrolluesin?
Ligji nr. 65 me të cilin u krijua SPAK në vitin 2016 (i përbërë nga Prokuroria e Posaçme, nga Byroja Kombetare e Hetimit dhe Gjikko, pra nga prokurororë, polici gjyqësore dhe gjyqtarët) përcakton se SPAK kontrollohet vetëm nga SPAK. Neni 14 i ligjit i titulluar “Përgjegjshmëria” përcakton se “Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, kur kanë dyshime të arsyeshme për kryerjen e një vepre penale, hetojnë dhe ndjekin penalisht prokurorë të Prokurorisë së Posaçme ose gjyqtarë të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Që do të thotë se një prokuror i SPAK-ut jo vetëm që ka kompetencën të hetojë kolegun e tij, por mund të hedhë në hetim edhe një gjyqtar të GJIKKO-s, i cili më pas do të duhet të gjykohet nga një koleg tjetër i GJIKKO-s. Duke qenë se në total janë vetëm 20 prokurorë dhe 29 gjyqtarë të SPAK-ut (mes shkalla e pare dhe apel), konflikti i interesit që ekziston në atë superstrukturë në të cilën një koleg duhet të hetojë dhe gjykojë një koleg tjetër, apo një vartës ose një epror të vet, është më se të dukshme. Kjo nuk ndodh në asnjë sistem gjyqësor të botës perëndimore.
Çështja bëhet edhe më delikate nëse marrim parasysh se gjyqtarët e GJIKKO-së janë subjekte të hetimeve nga e njëjta Prokurori e Posaçme, e cila në të njëjtën kohë u kërkon leje për veprimet e veta hetimore, duke filluar nga arrestimet: gjyqtarët, të cilët në çdo proces normal duhet të gjenden mbi prokurorinë dhe mbi mbrojtjen, me pozicione dhe role tërësisht të ndarë, në kuadër të organeve të SPAK gjenden në një pozicion “varësie”, që edhe pa dashur, mund të ndikojë tek ata në autonominë e vendimmarrjes. Një prokuror mund të bëjë edhe gabime, ndërsa një gjyqtar nuk duhet të gabojë kurrë. Kur në një sistem demokratik flitet për ”Pavarësi gjyqësore”, në vend të parë janë pikerisht gjyqtarët që vendosin, dhe vetëm në vend të dytë janë prokurorët, që propozojnë. Brenda SPAK-ut ndodh e kundërta.
Prokurorët e SPAK-ut përdorin për hetimet e tyre agjentë të Byrose Kombetare të Hetimit (BKH), të cilët janë oficerë të policisë gjyqësore të zgjedhur nga radhët e policisë. Këto nuk varen mw nga policia e shtetit por direkt nga SPAK. Neni 42 i ligjit krijoi figurën e ”Oficerit përgjegjës për mbikëqyrje”, pra një oficer i Byrosë Kombëtare të Hetimit te emeruar cdo 6 muaj me short nga drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, në prani të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe Kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ky oficer përgjegjës ”kryen vëzhgimin periodik të telekomunikimeve të kryetarëve, gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtuesit, prokurorëve dhe punonjësve të Prokurorisë së Posaçme, Drejtorit, Zëvendësdrejtorit dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, oficerëve të shërbimeve të Policisë Gjyqësore, si dhe punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Oficeri përgjegjës nuk ka përgjegjësi të tjera hetimore apo administrative”.
Sipas nenit 51 ”Oficeri përgjegjës në Byronë Kombëtare të Hetimit krijon një plan për shqyrtimin çdo muaj të komunikimeve telefonike, mesazheve apo postës elektronike të kryetarëve, gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtuesit, prokurorëve dhe punonjësve të Prokurorisë së Posaçme, dhe të drejtorit, zëvendësdrejtorit, hetuesve, oficerëve të shërbimeve të Policisë Gjyqësore dhe punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ky plan nuk u bëhet i ditur kryetarëve të gjykatave, gjyqtarëve, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, prokurorëve të posaçëm, Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit apo kujtdo tjetër. Plani ndryshohet çdo tre muaj. (…) Oficeri përgjegjës, nëse ka dyshim të arsyeshëm se një telefonatë, mesazh apo komunikim me postë elektronike është provë e korrupsionit, nxjerrjes së informacionit, komunikimit me organizata kriminale, ndikimit politik apo çfarëdo veprimi tjetër që mund të jetë në shkelje të Kodit Penal, ai ia raporton atë një prokurori të posaçëm të Prokurorisë së Posaçme, i cili nuk është i përfshirë në shkelje”.
Falë këtyre superfuqive që kanë pranuar të gjithë anëtarët e SPAK-ut, një oficer i BKH-së që ndryshon çdo gjashtë muaj ka të drejtë të përgjojë telefonata, email dhe çdo lloj komunikimi, madje edhe aktivitet private të kryer nga prokurorët, gjyqtarët dhe kolegët e SPAK-ut, përfshirë eprorët e tij, dhe për këtë qëllim mund të bashkepunojë edhe me Shish-in. Për rrjedhojë, gjatë mandatit të tij gjashtëmujor, ai merr një sasi të madhe informacionesh personale për prokurorët, gjyqtarët dhe kolegët, përfshirë edhe shefin e tij duke përcaktuar kështu, edhe pa dashur, mundësi për kushtëzime, madje edhe për shantazh. Ligji harroi të specifikonte në ato gjashtë muaj mandat se kush e kontrollon Ofieri-n e BKH-së.
Pra një prokuror i Spak dhe një oficer i BKH-së, të dy të zgjedhur me shorti dhe me detyra që zgjasin nga një deri në gjashtë muaj, kanë fuqinë dhe detyrën për të monitoruar korrektësinë e prokurorëve, gjyqtarëve dhe oficerëve të tjerë të policisë gjyqësore. Askush nuk e vë në dyshim korrektësinë e tyre, por meqenëse zyrtarët e BKH-së janë vetëm 60 vetë, të gjithë në bashkëjetesë të ngushtë brenda së njëjtës ndërtesë dhe ndoshta shpesh fqinjë për drekë e kafe, ekziston një konflikt interesi dhe miqësie e mundshme. Si mundet një oficer i BKH-së, si dhe një prokuror apo një gjyqtar, të jenë të pavarur në gjykimin e tyre kur duhet të hetojnë dhe të gjykojnë kolegun, i cili ndoshta është bërë edhe mik ndërkohë? Këtij aspekti njerëzor i shtohet edhe një lloj tjetër konflikti: si rezultat i rrotullimit natyror të përcaktuar nga shorti, herët a vonë të gjithë do të duhet të jenë kontrollues ose të kontrolluar. Rreziku është që edhe për këtë arsye, në fund të fundit askush nuk kontrollon askënd.
Nuk shkon më mirë as me hetimet disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të SPAK, të cilat janë deleguar te Inspektori i Lartë i Drejtësisë, i cili nga ana tjetër është edhe ai subjekt i hetimeve dhe proceseve penale nga SPAK.
Duke qenë se jemi në një demokraci, brenda Shtetit nuk mund të ketë zona pushteti të imunizuara nga kontrolli, ndaj duhet shtruar seriozisht pyetja nëse sot strukturat e SPAK-ut, përtej meritave të tyre të padiskutueshme, nuk duhet t’i nënshtrohen, si gjithë të tjerët, një kontrolli të vërtetë të pavarur gjyqësor. Kjo ndodh edhe në drejtësinë e zakonshme në Shqipëri dhe në pjesën tjetër të Evropës, madje edhe në Shtetet e Bashkuara, ku gjyqtarët dhe prokurorët e një rreth mund të hetohen dhe gjykohen vetëm nga gjyqtarë dhe prokurorë të një rrethi tjetër. Kjo të paktën shmang situatën e sikletshme që duhet të hetohet kolegu i zyrës apo tavolinës. Megjithatë, duke qenë se ka vetëm një SPAK në Shqipëri, atëherë për të zbatuar të njëjtin kriter bëhet thelbësor krijimi i një SPAK i dytë, i barabartë në autoritet, por vëtëm me juridiksion territorial të ndryshëm dhe fizikisht i vendosur në një rreth tjetër (për shembull në Vlorë ose Shkodër) i cili, përveç hetimit të krimeve të kryera nga zyrtarë në rrethin e vet territorial, ka edhe kompetencën të hetojë dhe gjykojë gjyqtarët dhe prokurorët e SPAK 1 që mbetet në Tiranë. Dhe natyrisht anasjelltas. Ose, akoma më e thjeshtë, vendoset që anëtarët e SPAK-ut të gjykohen nga anëtarët e Prokurorisë së Përgjithshme dhe gjykatat e zakonshme (ndoshta duke caktuar një grup të dedikuar me figura super të garantura nga pikëpamja e integritet), pasi edhe këto aktualisht mund të hetohen dhe gjykohen nga SPAK. Pikërisht siç ndodh për shembull në Itali ku superprokurorët e Drejtorisë Kombëtare Antimafia (DNA) nuk hetohen nga kolegët e tyre të së njëjtës DNA, por nga prokurorët e prokurorisë së zakonshme, pra nga një organ tjetër gjyqësor, pikërisht për të shmangur çdo konflikt interesi.
Ruajtja e transparencës së punës së SPAK-ut është në interesin e të gjithëve, por veçanërisht të SPAK-ut, sepse vetëm një strukturë gjyqësore plotësisht e besueshme, e cila i nënshtrohet kontrollit të pavarur gjyqësor dhe disiplinore, mund të veprojë lirshëm dhe përtej çdo dyshim ndaj pushteteve të tjera institucionale. Vetëm një SPAK realisht i lirë nga çdo konflikt interesi mund të injorojë presionin dhe shantazhin politik, ngado që vjen. Me pak fjalë, për të mbrojtur besueshmërinë e SPAK-ut, duhet edhe një SPAK tjetër.
Kjo e spak mbi spak më duket si përralla e repkës gjigande. Ku pas plakut shkoj plaka, djali nusja e me radhë . Ka zgjidhje dhe kjo. Por kur PS të marrë pas 11 majit 85 deputetë.
Pa komentuar asgjë, por vetëm atë që ishte një lapsus i SPAKUT, një lapsus që nxin jetën, avenirin, jetën dhe çdo gjë të një personi, të një familje, të një shoqërie, që kur nuk është i vërtetë mund të krijojë një opinion të pa dëshiruar dhe këtë nuk e ka bërë SPAKU por një individ, punonjës i aftë apo i paftë në SPAK, një specialist i përgjegjshëm apo i pa përgjegjshëm për detyrën që kryen…………………………………….Për mendimin tim, KY NUK ËSHTË LAPSUS DOSIDO………………………….Atëhere si duhet vepruar në raste të tilla ? Po qytetari i thjeshtë, ku mund ta zgjidhi një lapsus të tillë, të bërë nga pakujdesia, nga pa përgjegjshmëria e punonjsit të institucionit apo të bërë me qëllim nga punonjsi ?