Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, pritet të rikthehet në qeli rreth shtatë muaj pas lirimit, pas përllogaritjeve të fundit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) mbi kohën e mbetur të dënimit.
Mësohet se pas vendimit të Gjykatës së Apelit që e dënoi me 2 vite burg, të reduktuara në 1 vit e 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar, SPAK ka kryer përllogaritjen e periudhës së paraburgimit. Nga kjo llogaritje rezulton se Goro duhet të vuajë ende 6 muaj e 10 ditë burg.
Prokurori Elvin Gokaj ka firmosur të hënën urdhrin e ekzekutimit të vendimit, por deri në këto momente, ai nuk është zbatuar nga policia.
Ndërkohë, reagimi i mbrojtjes ka qenë i menjëhershëm. Avokatët e ish-kryebashkiakut kanë depozituar një kërkesë për revokimin e urdhrit të ekzekutimit, duke argumentuar se dënimi është shlyer përmes kohës së kaluar në paraburgim.
Çështja mbetet në zhvillim, ndërsa pritet një vendimmarrje mbi kërkesën e mbrojtjes dhe ekzekutimin e mundshëm të urdhrit.
Jorgo Goro u akuzua për shpërdorim detyre në bashkëpunim me ish-drejtorin e tokës dhe menaxhimit të pronës në Bashkinë Himarë, Vasillaq Strakosha, i cili është gjithashtu i pandehur në këtë çështje.
Dosja është ngritur pas kallëzimit të Fredi Belerit, i cili pretendon se në vitin 2016, Goro ka tjetërsuar një sipërfaqe prej 4,263 m² tokë, duke ia kaluar atë Arqile Bollanos, i komanduar si pasues në krye të Bashkisë Himarë.











