Shqipëria duhet të presë për të marrë një përgjigje nga Këshilli i Bashkimit Evropian mbi Raportin e Ndërmjetëm, që do ta kalonte në fazën tjetër procesin e negociatave. Këshilli i BE thotë se për të arritur në një marrëveshje, vendeve anëtare do t’i duhen edhe disa raunde të tjera bisedimesh.
Për juristin Kreshnik Spahiu, vendimmarrja për zgjerim në BE nuk është në dorë të kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë shqiptare.
Në një lidhje live për emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, Spahiu tha se qeveritë europiane janë të drejtpërdrejta dhe nëse do të kishin një shkak politik, ligjor apo diplomatik për mos-anëtarësimin e Shqipërisë në Union, do ta deklaronin.
“Në radhë të parë, vendimmarrja për zgjerim nuk është në dorë të Ramës dhe Shqipërisë. Të vetmen gjë që ka në dorë Shqipëria është që të plotësojë çdo kërkesë. Vendimmarrja është e shteteve të tjera që janë anëtare të BE-së. E dyta do të thoja se të gjitha komentet që bëhen në media, në tërësi janë spekulative. Në Shqipëri ndahen tifoza politikë, ata që përfaqësojnë opozitën dhe median e mbushin me spekulime.
Një gjë duhet të jemi të qartë, që qeveritë europiane janë të drejtëpërdrejta. Nëse kanë një shkak politik, ligjor, diplomatik, e thonë drejtpërdrejtë, nuk e thonë me nënkontekste indirekt. Qeveria ka një lloj nguti për të marrë përsipër edhe afate. Një gjë duhet të jemi realistë, që Shqipëria është e mbushur plotë me gropa në mos-plotësimin e standardeve”, tha mes të tjerash Spahiu.
Më tej Spahiu deklaroi se nëse nacionalistët e djathtë marrin pushtetin në shtetet kryesore të Europës, si Francë dhe Gjermani, atëherë procesi i integrimit të Shqipërisë në BE do të ndalej.
Kjo pasi sipas Spahiut, partitë e ekstremit të djathtë kanë në programin e tyre politik ndalimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian.
“Ajo çfarë ne duhet të kemi ngut, është që ne rrezikojmë nga ndryshimi i qeverive europiane, që të hyjmë në BE. Që do të thotë një largim i Macron dhe ardhja e nacionalistëve në Francë, një largim i Merz dhe CDU-së dhe ardhja e nacionalistëve në Gjermani, pra ardhja e gjithë euroskeptikëve, nacionalistëve, të djathtës ekstreme në Europë, do ta largonte përfundimisht Shqipërinë nga BE dhe do të printe çdo lloj shprese, jo për shkak të standardeve, por për shkak se ata e kanë platformën e tyre. Pra duhet të nxitojmë që të kapim trenin europian të partive që janë pro-zgjerimit”, tha mes të tjerash Spahiu.











