Lajm i mirë nga Ballshi. Më në fund te Bylisi mund të qëndrojnë të qetë, pasi 25 pjesëtarë të ekipit, duke filluar me lojtarët, stafin teknik, drejtuesit, punëtorët e fushës dhe punonjësit e hotelit, kanë dalë negativ në testin për koronavirusin. Përgjigja zyrtare ka ardhur në orët e para të mëngjesit dhe sot Bylisi do të zbresë në fushë ndaj Tiranës në orën 17:00, duke lënë pas një siklet të madh.
Në të njëjtën kohë qetësohet edhe ekipi bardheblu, që kishte udhëtuar drejt Ballshit me frikë. Të parët që kanë marrë përgjigjen kanë qenë shokët e dhomës së lojtarit të vetëm që doli pozitiv, Eridon Qardaku.
“Panorama Sport” mëson se bëhet fjalë për lojtarë si Stivian Janku dhe Majkëll Peçi, që rezultuan negativ. Më pas 23 pjesëtarë të tjerë të ekipit gjithashtu janë njoftuar se kanë rezultuar negativ.
Testin e ka bërë edhe bashkëshortja e trajnerit Dovedan, që gjithashtu ka dalë negative.
Ndërkohë, bie në sy fakti se lojtarët e huaj si Munoz dhe Visente, nuk i janë nënshtruar kontrollit. E njëjta gjë edhe me mbrojtësin Ditmar Bicaj, të cilët mesa duket i kanë thënë lamtumirë Bylisit.
g.kosovari