Sot nis viti i ri shkollor 2018-2019. 480 mijë nxënës ulen sot në bankat e shkollës për vitin e ri arsimor.
Sipas të dhënave zyrtare, 32 mijë nxënës ulen për herë të parë në bankat e shkollës, në klasën e parë.
Në sistemin fillor, këtë vit aplikohet për herë të parë shpërndarja e librave falas. Ndërkohë, një rregull i ri ëhstë ndalimi i celularëve për nxënësit.
Për ciklin universitar mësimi starton në muajin Tetor.
Me këtë rast ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Lindita Nikolla, përmes një videomesazhi në ERTV, thotë se reforma në arsim vijon në mënyrë sistemike dhe se kryefjalë është përmirësimi i cilësisë së shërbimit për të gjithë nxënësit.
“Vëmendja jonë për ju për të mësuar një kurikulë të re, të modernizuar nga kopshti deri në gjimnaze. Sot ju mësoni me tekste të reja me standarde ndërkombëtare me një program shumë herë më të lehtësuar, e jo duke mësuar faqe tekstesh të shumta e përmendësh. Mësuesi vijnë përmes meritës së tyre, falë portalit mësues për Shqipërinë, ashtu si dhe mësuesit që janë në sistem që trajnohen sipas nevojës”, shprehet ministrja.
Ajo shton se falë reformës në gjimnaze, sot gjimnazi është i unifikuar dhe i orientuar drejt karrierës.
“Këtë vit do të jenë 39 000 maturantë që do të mbyllin njëherë e për gjithnjë hendekun e krijuar mes gjimnazit-universitetit dhe tregut të punës. Ky vit shkollor sërish me klasa sportive që jeta juaj të jetë më e shëndetshme. Falë investime me standarde kemi 26 shkolla të reja për 10 000 nxënës. Shkollat janë kthyer në qendra komunitare. Pra jemi më pranë një shkolle që ju i drejtoheni me gëzim. Një shkolle që i përket shekullit të 21 që formon në dije dhe mendim ashtu si dhe shkollat e tjera perëndimore”, thotë më tej Nikolla.
Redaksia e JavaNews u uron nxënësve në të gjithë vendin suksese dhe një vit të mbarë./a.m.