Punonjësit e ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë kanë zbuluar, përmes një sonde me kamerë nëntokësore, një lidhje të paligjshme pranë terminalit lindor të autobuseve, përmes së cilës dyshohet se janë vjedhur prej disa vitesh qindra metër kub ujë në ditë, që duhet të shkonte në rubinetët e qytetarëve.
Tubi përmes të cilit bëhej vjedhja e ujit nga rrjeti është vendosur në brendësi të tubacionit të ujërave të zeza. UKT ka vlerësuar se vjedhja në këtë zonë ka vazhduar të paktën për tre vjet, duke lënë pa ujë të pijshëm qindra familje.
“Lidhja është bërë gjatë procesit të shtrimit të rrugës, është e vjetër dhe duket se është realizuar gjatë natës. Përmes kamerës identifikohen lidhjet e paligjshme, të cilat përmes GPS-i i lokalizojmë. Është bërë përmes një elektromanikote. Është hera e parë që e përdorim në Tiranë. Jemi shumë të vonuar, por shumë e domosdoshme”, tha Flauers Shoshi, drejtor i Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë.
Sipas drejtorit të UKT, humbja e ujit në rrjet për shkak të kësaj lidhjeje të paligjshme në zonën e Luindrës ka qenë kolosale. Në vend që t’u shkonte banorëve, kjo sasi përdorej nga biznese e individë të ndryshëm.
“Kjo zonë që po zhvillohet gjithëkund kërkon sasi uji që mund të përdoret edhe për vaditje, por edhe për ndërtim, ndoshta edhe për konsum, që nuk regjistrohet. Çdo gjë e pamatshme shkakton problematika”, u shpreh Shoshi.
Kjo zonë ka pasur kufizimet më të mëdha të ujit në Tiranë, aq sa në verë u lanë pa ujë edhe rezidencat e disa përfaqësive diplomatike të huaja.
“Këtu humbja në periudhën e verës varionte 300-400 metër kub në ditë, aq sa është edhe kapaciteti i rezervuarit në këtë zonë. Në gjuhë teknike kishim dyfish humbje, duke ndikuar drejtpërdrejt në mosfurnizimin me ujë dhe në cilësinë e banorëve të zonës”, shtoi ai.
UKT dyshon se edhe në zona të tjera uji mungon si pasojë e ndërhyrjeve të paligjshme. Humbjet në rrjet si pasojë e lidhjeve të paligjshme dhe amortizimi i rrjetit, siç pranon edhe vetë drejtori i UKT, janë faktorët kryesorë që Tirana ka probleme me furnizimin me ujë. Sipas tij, me këtë pajisje, që përdoret për herë të parë nga UKT, do të kryhen identifikime të tjera për lidhjet e paligjshme në mbarë qytetin.











