Rritet besimi i shqiptarëve tek institucionet në vend.
Këtë vit, qytetarët shqiptarë kanë më shumë besim tek institucionet në vend, krahasuar me një vit më parë. Barometri në Euronews Albania i pyeti qytetarët lidhur me besimin që ata kanë ndaj institucioneve të ndryshme shqiptare apo të huaja që veprojnë brenda vendit dhe më pas i krahasoi rezultatet me ato të vitit 2021.
Rezultatet e anketës tregojnë se shqiptarët sot janë përgjithësisht me besimplotë ndaj institucioneve.
Besimi tek përfaqësuesit ndërkombëtarë është rritur ndjeshëm.
Sot më shumë se gjysma e shqiptarëve (52,6%) i besojnë Ambasadës Amerikane, të cilës në 2021-shin i besonin vetëm dy në pesë shqiptarë (40,3%). E njëjta rritje e ndjeshme në besueshmëri rezulton për delegacionin e bashkimit Europian (13.2 pikë përqindje) dhe komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi (13.2 pikë përqindje).
Edhe pse me rritje më pak të ndjeshme, edhe vlerësimi për institucionet shtetërore është përmirësuar. Sot, shqiptarët i besojnë pak më shumë qeverisë (3,8 pikë përqindje), policisë (2,8 pikë përqindje).
Edhe besimi tek institucionet e reja të drejtësisë është në rritje për shqiptarët. Mes institucioneve ligjvënëse dhe ekzekutive në vend, rënien më të madhe në besueshmëri, krahasuar me një vit më parë, e ka pësuar opozita shqiptare dhe presidenti.
Ndërsa mes institucioneve të drejtësisë, gjykatat sot besohen më pak nga shqiptarët krahasuar me vitin 2021.