Nga Artan Fuga/
Sa lehtë që persona publikë nga Shqipëria dhe Kosova shprehin solidaritet me refugjatët që enden rrugëve të Europës për një jetë më të mirë dhe ikur luftrave dhe masakrave!
E kuptoj dhimbjen dhe keqardhjen tonë.
Edhe unë do të bëja cmos të ndihmoja brenda fuqive të mia këdo që ka vështirësi, vuan dhe ndodhet në rrezik.
Eshtë detyrë njerzore dhe humanitare.
Por, kujdes, në rastin e refugjatëve nuk është një term që buron nga morali i mëshirës, por një akt politik që drejtohet nga ligjësi të tjera dhe brenda një kooperimi dhe politike të koordinuar me fuqitë europiane.
Pse nuk është thjesht një akt mëshire dhe solidariteti?
Ja po e shpjegoi thjesht dhe shpejt.
Ti vendos të jesh solidar nisur nga parimet e mëshirës dhe humanizmit. Pranon 2 mijë veta, ta zemë. Por, ja erdhën dhe 20 mijë të tjerë të shtyrë nga shpresa se edhe ata do të pranohen si të parët. Cfarë do të bësh me këta të tjerët ? E ke menduar?
Apo ata 2 mijë do t’i pranosh, do jesh solidar me ta dhe të tjerëve do t’u tregosh shkopin e policit dhe do t’i shtysh tutje në male andej nga Greqia a Serbia?
Apo do t’i strehosh për dekada e dekada në zonat e territoret e boshatisura nga shqiptarët që kanë ikur rugëve të botës në mërgim e ikin me bataliona çdo ditë ?
Cfarë hipokrizie do të ishte!
Pra kërkon veç koordinimit me BE dhe një sërë masash të tjera sigurie kombëtare…
Pra, është një strategji politike që kërkon shumë kujdes, kurse morali i mëshirës dhe i solidaritetit vlen në sjelljen individuale në jetën e përditshme, por jo si rregulator i sjelljes politike të shtetit në rast krizash globale.
Patjetër solidarë, por edhe politikisht të saktë.









