Nga Sokol Balla
“Ndërkombëtarët nuk kanë një problem personal me Metën…Ata vlerësojnë mënyrën sesi ai drejton punimet e Kuvendit”. Kryeministri i vendit foli dhe komentoi me një gjuhë të drunjtë situatën e krijuar mes tij dhe kreut të LSI muajt e fundit. Dhe që koinçidon me zgjedhjet locale të qershorit. Shumë e kanë lidhur me këtë moment, ngricën e re tek e majta. Por deri tani, askush nuk i ka dhënë përgjigje ezauruese pyetjes “pse”?
Gjuha e drunjtë e kryeministrit, në fakt me një analizë të thjeshtë, jep një ide të problemit. Ndërkombëtarët – dhe ai e di shumë mirë, siç e di edhe vetë kreu i LSI – kanë një problem me Ilir Metën. Por ai nuk është një problem personal – pra nuk lidhet me asnjë thashethem apo aferë konkrete – dhe as me aktivititetin e tij të përditshëm politik, pra drejtimin e Kuvendit. Por cili qenka ky problem, as personal as i lidhur me punën e përditshme të Metës, e që mesa duket paska lindur pas zgjedhjeve lokale dhe duket se ka lidhje me një përplasje edhe mes tij dhe Ramës?
Këtë deri vonë nuk e ka ditur as Meta. I cili gjatë gjithë verës ka shtrydhur trurin për të kuptuar skemën e Edi Ramës kundër tij. Për të gjetur këtë përgjigje, ka provokuar kryeministrin në ekstrem, duke i kërkuar edhe ndryshime në qeveri, por duke marrë në shkëmbim një “JO” të thatë të tij. Ngjarje episodike të përdorura mjeshtërisht nga opozita, siç ishte dalja në publik e raportit të avokatëve të OSSHEE dhe disa dëshmive të ish drejtuesve të CEZ, që linin të kuptoje për afera korruptive direkt nga njerëz afër tij, dhe indirekt edhe nga ndikimi i tij, nuk ishin megjithatë mjaft për të kuptuar thelbin e problemit. Ashtu siç tregoi letra pa “vlerë” e OSBE, që si çudi, doli pak ditë më pas letrës së avokatëve të OSSHEE, të quash të korruptuar Metën, Ramën, Berishën, në këtë vend nuk është ndonjë çudi. Kështu që përballë perceptimit të korrupsionit, si endemic në vend, akuzat që dolën për Metën, nuk habitën njeri. Pra vështirë që të huajt, pra ndërkombëtarët, të kenë shkulur leshin, kur i kanë lexuar këto raporte. Prandaj Rama deklaroi “kinezërisht” në Top Story të enjten, se “ndërkombëtarët nuk kanë një problem personal me Metën”.
Por legjenda e ndërkombëtarëve kundër kreut të LSI, që tashmë ka prekur kufijtë e absurdit (“atij nuk i japin vizë amerikane” etj), kërkon një frenim. Dhe një shpjegim. Dhe për të marrë një përgjigje, nuk ka nevojë të shkosh deri në Rinas, të marrësh avionin për Uashington a Bruksel. Mjaft të nisesh për në Rinas…. Dhe të ndalosh në Vorë.
Në këtë qytet, i njohur deri dje për shkak se të duhen më pak se 30 sekonda për ta përshkruar me makinë nga lindja në perëndim, Ilir Meta investoi në qershor, të gjitha energjitë dhe burimet e tij dhe të partisë së tij. Askush nuk mundi t’i japë një shpjegim gjithë kësaj energjie të shpenzuar nga LSI në zgjedhjet lokale në Vorë, por është e sigurt, se njerëzit më të besuar personalisht të Ilir Metës, e gdhinë dhe e ngrysën atje fushatën elektorale. Vetë kreu i LSI, e kishte të përditshme ndalesën në Vorë. E megjithatë nëse e gjykojmë politikisht, edhe sikur Vora të kishte këtë valencë, nuk shpjegohet fakti pse politikisht kandidati i saj, një biznesmen, ishte mediokër. Pse ndaj Fiqiri Ismailit dhe bizneseve të tij nisën sulmet nga ministritë e LSI? Pse PD akuzoi se bandat më të rrezikshme ato ditë, operonin në Vorë?
Unë nuk di nëse bandat në fjalë operonin në të vërtetë në Vorë ato ditë. Di me aq sa informacion kam, se pikërisht këto ditë, mes kreut të Ekzekutivit dhe kreut të Kuvendit, janë shkëmbyer replika të ashpra, lidhur me situatën e tensionuar në Vorë. Kuptohet përse, edhe pa qenë atje kur kanë folur. Standardi i zgjedhjeve përballë rrezikimit të tij, prej një investimi të pakuptueshëm njerëzish e kapitalesh nga LSI në Vorë.
Rrezikim që realisht erdhi. Erdhi ditën e zgjedhjeve, kur treshja e ambasadorëve Lu-Vlahutin-Raunig ndaloi pikërisht në Vorë. Erdhi ditën e numërimit, kur për pak vota të bllokuara nga LSI, rezultati u vonua, dhe rruga nacionale u bllokua. Si rastësisht nga përkrahës të LSI.
Ky incident, më i rëndi i këtyre zgjedhjeve, ishte dhe ndër të rrallët. Atëherë përse ndërkombëtarët e paskan këtu, thelbin e problemit me Metën?
Korrupsioni ka qënë për dekada, prioritet i ndërkombëtarëve. Të cilët më në fund kuptuan, se në këtë vend dhe më këto gjykata, të flasësh për antikorrupsion, është si t’u përmendësh sirianëve se paqja do të vijë nga ISIS. Ndaj ata janë fokusuar tashmë tek thelbi I vërtetë i problemit: reforma në drejtësi. Dekriminalizimi, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe disa çështje të tjera, duket se janë bërë pjesë e një debate të fortë PS LSI. Dhe për ndërkombëtarët, kjo përplasje e brendshme për reformën në drejtësi, paratë e shumta të hedhura në Vorë, janë prova indirekte se në Shqipëri, ka parti politike, që përfitojnë para në mënyrë të paligjshme dhe pastaj i “investojnë” për të marrë, fituar apo blerë vota. Të gjitha këto kanë qënë në kufinjtë e legjendave, pavarësisht se të gjithë ne, e dimë se të gjitha partitë, e të gjithë kandidatët, e bëjnë. Por këtë qershor ndodhi Vora. Dhe befas për Metën ndodhi ajo që i ndodhi mbretit tekanjoz me rrobat e tij imagjinare.
Ky është problemi që ndërkombëtarët kanë me Metën. Këtu duket se lidhet edhe problemi që PS ka me LSI për reformën në drejtësi. Por nëse Rama po përdor me mjeshtëri këte situatë, për t’ja dhjetëfishuar psikologjikisht izolimin politik e ndërkombëtar kreut të Kuvendit, në thelb, ky është një problem që Ilir Meta, ka me Ilir Metën.
Dhe këtu Ilir Metës nuk ka më askush t’i flasë dhe as kush t’i shkruajë. E aq më pak t’i ofrojë një rrugëdalje. Sepse me entuziasmin e shfrenuar dhe investimin frenetik në Vorë, ai u provoi ndërkombëtarëve thelbin e problemit që ata kanë me Shqipërinë. Dhe izolimi që ata po i ngrenë psikologjikisht Metës, me ndihmën e Edi Ramës është ndëshkimi për atë që ndodhi në qytezën e vogël në periferinë perëndimore të Tiranës, vetëm pak kilometra larg zyrave ku hartohen raportet e tyre për Shqipërinë. Meta dhe të tijtë (bile këtë them dhe unë) thonë se çfarë ndodhi në Vorë ndodh kudo. Ndoshta. Por çfarë ndodhi në Vorë, nuk mbeti më në Vorë.
Dhe këtë tani s’ka gjë që e ndryshon.









