Nga Sokol Balla/
Gazeta Dita publikoi një intervistë të kryeministrit nga plazhi. Shqetësimi më i madh i tij, duket se ishin zhurmat e helikopterëve dhe gazetarët që sipas tij po i frynin një zjarri të panevojshëm dhe të pamundur, sherrit me Ilir Metën. Intervista shoqerohej me një foto me kurriz, të tijin dhe të Zahos, djalit nga martesa e dytë. Një gjë e duhur. Më mirë që Zahon deri tani jashtë familjes e ka parë vetëm Papa Francesku. Por kjo zgjedhje për foton e mbuluar të djalit minor, m’u duk e vetmja gjë e saktë në intervistën e Ramës. Ai në bisedën e tij me Kryeredaktorin (me e-mail kuptohej), shprehte mërzinë përse në fakt gazetarët e kishin kuptuar, se sic thoshte ai vetë, raporti me LSI ishte si medalje me dy anë; e para konfirmimi i një milion shuplakave dhe e dyta, pakënaqësitë personale që vinkërkan prej kësaj.
Mesa duket, gazetarët paskan qënë korrektë në zbulimet e tyre. Dy partitë e mëdha janë në një krizë. Dhe kjo krizë shkaktohet pikërisht nga njëra anë e medaljes: se njerëzit e votojnë aleancën e majtë. Dhe se nga kjo votë, duket se një pjesë e LSI kërkon më shumë tortë pushteti, ndërsa një pjesë e PS, kërkon t’i japë më pak sesa ajo ka.
Në intervistë zoti Rama nuk sqaron nëse është në këtë pjesë të pakënaqur të partisë së tij me LSI, por në përgjigjet e dhëna me shkrim, duket të jetë i kujdesshëm që mos t’i kritikojë këta të pakënaqur rozë. Ndërkohë nga pala tjetër sinjalet janë më të qarta: daljet e Vasilit janë sigurisht lëvizje me telekomandë nga Lalzi, ndërkohë që në objektin e sulmeve indirekte ka rënë edhe Tahiri, ministria e të cilit është në mënyrë përmanente në ëndrrat e kreut të LSI. Edhe dalja e nënkryetarit të grupit parlamentar Përparim Spahiu, është e tillë, por ajo ka edhe një vlerë tjetër: pasi evidenton lëvizjen e parë të gabuar të ndërgjegjshme të qeverisjes së majtë, atë të taksimit edhe të shtresave që fitojnë më pak se 300 USD në muaj. Një lëvizje që tregon se bletët e financave dhe tatimeve janë kthyer në grerëza përtace, që jo vetëm nuk mbledhin pjalm, por as thumbojnë dot. Paralajmërimi për fushata të tjera është një tjetër paralajmërim për përplasje me LSI, e cila duket më shumë e shqetësuar për paaftësinë e qeverisë për të ringjallur ekonominë.
Por unë jam dakort me Kryeministrin se ndryshime në qeveri nuk do ketë. Meta duket i plogësht dhe i nevrikosur, fiks si fytyra e vrerosur e dikujt që nuk e pëlqen dieten, por i duhet ta mbajë se i bërtet gruaja apo doktori. Por arroganca e reagimit të Kryeministrit është e vetmja gjë e pakuptueshme në intervistën e tij.
Dakort. Sot pas tij janë të gjithë, nga Aqifi tek Angela. Por sic ai e thotë vetë kriza me LSI ekziston. Gazetarët nuk janë zakonisht partizanë të ndryshimeve në qeveri, përjashto raste ekstreme, nga ata që largqoftë spo i kujtojmë se duket i kanë harruar të gjithë. Gazetarët konstatojnë një klime të caktuar. Dhe këtë klimë e konfirmoi edhe vetë kryeministri në intervistën e tij me shkrim. Atëherë përse ky pezëm? Apo i ngatërron me zhurmën e helikopterëve. Këtu, nuk e ndihmojmë dot. Unë nuk e quaj dot shenjë të rritjes ekonomike helikopterin mbi Jalë, pasi do ishte shenjë e një arrogance neosovietike ala Vladimir Putin. Unë nuk i shaj dot gazetarët megjithëse ndonjë meriton së paku Purgatorin, por edhe sepse disa prej kësaj kategorie që deri dje hidhnin mut mbi ‘Edvinin”, sot po presin të mbjellin kërpudha mu në mes të bulevardit.
Unë ama, them në fund të vlerësimit të kësaj interviste të Kryeministrit, se ai ka gabuar me kë të luajë këtë verë.
Nëse ai dëshiron ta marrim seriozisht edhe kur jep intervista nga plazhet e Vunoit, atëherë ai duhet t’i përgjigjet seriozisht disa pyetjeve:
Deri në c’pikë do të ndryshohet Kushtetuta me rastin e reformës në Drejtësi?
A do të ndryshojë Kodi Zgjedhor drejt një sistemi me prim, me të cilin do ishte dakort edhe Partia Demokratike?
Dhe në këtë rast, a do ta ndryshonte ai Kushtetutën, edhe nëse partneri strategjik LSI do ishte kundër?
Le t’i përgjigjet këtyre pyetjeve, nëse dëshiron që ta marrim seriozisht kur jep intervista, me një dorë në tastierë, dhe tjetrën tek komardarja e Zahos.
Ndryshe le të bëjë një gjë, që duket kësaj radhe po e bën shkëlqyer. Vera për të, është koha perfekte për të luajtur me Zahon. Por jo me Metën.