Grekët mburren se kanë shpikur demokracinë. Festimet në Syntagma dhe krenaria helene tregojne se OXI (OQI, apo jo në greqisht), i kanë dhënë një forcim moral, integritetit të lënduar prej gjashtë vjetësh, nga masa shtrënguese, akuza poshtëruese dhe llogari bankare në tharje të vazhdueshme. Grekët praktikisht votuan për një nonsens: ata refuzuan kolektivisht të paguajnë interesat e borxheve që kanë marrë vetë, ose më saktë refuzuan të mbledhin rripin të paktën që t’i paguajnë ato me këste. Eshtë njësoj sikur gjithë borxhlinjtë e një banke, të bëhen bashkë, të bien dakort të mos paguajnë kredinë dhe ta quajnë këtë festë të demokracisë. Për më tepër të shkojnë pastaj te banka, dhe t;i thonë asaj t’u falë borxhet. Një gjë që në fakt FMN apo institucione të tjera, nuk e kanë bërë as me vende të Botës së Tretë. Dhe duket nuk do ta bëjnë as me Greqinë.
Deklarata e mbrëmshme e Martin Shulc për një program ndihmash humanitare për grekët në ditët e vështira që do pasojnë, duhet të ishte një rrufe për të gjithë. Por grekët nuk e dëgjuan, pasi ishin rrugëve për të festuar rilindjen e demokracisë së tyre. I famshmi Varufakis, doli në shesh, por nuk harroi të hynte edhe në ekranet e huaja, duke deklaruar se qëndrimi i Trojkës ndaj Greqisë, mund të përkufizohej vetëm si terrorizëm. Sot për grekët ai është një hero, i ngjashëm me mbretin e Spartës, por beteja që pritet është shumë më e ashpër se ajo e Termopileve. Grekët sot votuan jo, për të gjetur simbolikisht në frigoriferët e tyre vetëm pak Varufakis, por shpejt do ta kuptojnë se fëmijët nuk ushqehen me propagandë. Të gjithë i urrejmë bankat, por a mund të jetojmë ne pa to? A mund të jetohet pa punuar? Një milion emigrantët tanë të thonë shpesh se në Greqi jetohet vetëm me punë. Ashtu si në fakt jeton edhe ai 40 perqindësh që i tha “Po” masave shtrenguese dhe që sot është i trembur e shqetësuar e nuk ka luksin të ketë kohë të dalë të festojë në Syntagma.
Cipras u votua nga grekët si alternativa e politikës së vjetër, por ai sot është zyrtarisht vazhduesi i saj më i mirë, pasi vjedhjet e kryeministrave dhe të qeverive para tij, ai me mjeshtëri i mbrojti pikërisht me atë që i hodhën ata në koshin e plehrave të historisë, me votën e grekëve të thjeshtë. Cipras sot ka afruar më shumë se kurrë Sirizën me Agimin e Artë, pasi të dyja partitë mendojnë se për çka shkon keq në Athinë, fajin e kanë të tjerët (ska rëndësi nëse janë shqiptarët apo gjermanët). Nuk thonë kot se ekstremet puqen.
Dhe kujtesa jonë është e shkurtër për të kujtuar se gati 80 vjet më parë, pikërisht nga pamundësia dhe urrejtja e gjermanëve për të paguar reparacionet e luftës së parë botërore, lindi Partia Nacional socialiste. Një parti socialdemokrate, që i bënte thirrje zemrave naive të gjermanëve, dhe që fajësonte për situatën ekonomike Reparacionet e luftës dhe të huajt (hebrenjtë).
Por askush nuk e kujton partinë e Hitlerit sot, si themeluese të socialdemokracisë moderne, por si folenë e errët ku lindi Nazismi. Nazismi lindi pikërisht tek vota e turmave të manipuluara.
Cipras është i vogël që të jetë kaq influencues në histori, por nëse shembullin e referendumit grek e ndjekin italianët, spanjollët, portugezët dhe irlandezët, Europa dhe me gjasë bota do futen në një krizë të rëndë. Tashmë nga sot, cdo kush ka të drejtë të shkojë në bankë, të marrë borxh dhe t’i tregojë asaj më vonë gishtin e mesit. Kjo nuk është fitore e demokracisë. Kjo është rilindje e Rajhut të katërt. Jo në Berlin, por në Athinë e Moskë. Kjo është lufta e vërtetë që askush nuk nuk e mendonte se do vinte nga ATM-të dhe nga një burrë i vogël, me këmishë të bardhë dhe pa kollare, që mendon se vendi i tij është qendra e botës dhe se Termopilet janë më të famshme se Vaterloja. Duke harruar se në fund të fundit, të dyja janë bërë të famshme si fitore, por në fakt kanë qënë thjesht disfata.
Shkruar për Javanews.al