EKSKLUZIVE/ Tre ditë më parë asistova në një debat në një prej lokaleve të njohura në Tiranë. Dy punonjës të tatimeve trokitën pasdreke aty dhe i kërkuan kamarierëve certifikatën e pronësisë së lokalit. Kamarierët, telefonuan bashkëshortin e pronares, i cili gjendej me mua në një tjetër lokal.
Pas drekës së përbashkët shkuam të pinim një kafe. Ishte ora 16.30. Tatimorët kishin njoftuar se do të ktheheshin në orën 17. Por në fakt nuk ishin larguar, por rrinin në trotuar. Sa na panë, u futën menjëherë në lokal. Një shenjë se kërkonin të thonin se e dinin cili ishte “pronari”. Dhe se lokali në fakt nuk ishte rastësisht në fokusin e tyre.
Pasi shkëmbyen pak fjalë me burrin e pronares, pa i dhënë asnjë shpjegim të saktë se përse dy punonjës të tatimores kërkojnë një certifikatë pronësie, u larguan. Ata pa marre certifikaten, ne që mbetëm, pa marrë shpjegime.
Zakonisht certifikatë pronësie kërkojnë organe hetimore. Mund të kërkojë policia, prokuroria, apo Kontrolli i Lartë i pasurive. Tatimorët jo.
Të gjithë që kanë një biznes relativisht të rregullt, e dinë se pasaporta e një biznesi, është numri i tij i NIPT-it. Kur ti e merr këtë numër në QKR, ky është numri i identifikimit të biznesit.
Me këtë numër ti lëshon fatura, hyrese dhe dalëse. Me këtë NIPT ti paguan taksat lokale dhe të tjera. Nën këtë NIPT është dosja e biznesit, si dhe adresa ku ai zhvillohet: në një ambient ku ti je pronar – dhe këtu ti je i detyruar të vendosësh certifikatën e pronësisë së ndërtesës ku ndodhet hapësira e aktivitetit privat – ose kontrata e qerasë së këtij ambienti, nëse ti nuk je pronar.
Gjithçka është në këtë dosje, të cilën pronari i aktivitetit është i detyruar ta plotësojë. Ndryshe kur të shkojë të paguajë taksat ka problem, deri në pezullim të aktivitetit. Siç mësova pak orë më vonë, tatimorët kishin nxjerrë si argument se nuk e kishin ata në dorë, dosjen e plotë. Në fakt, ata, pushteti lokal dhe QKR duhet ta kenë. Ndryshe aktiviteti quhet që ka problem.
Sipas një komunikimi që pronari i lokalit pati në syrin tim me një nga drejtuesit e lartë të tatimeve, “Drejtoria Tatimore nuk e kishte një sistem të tillë të rregulluar elektronik”. Pra dosja e këtij biznesi rezultonte e paplotë. Dhe me gjasë nuk është e vetmja. Dhe kjo është skandaloze.
Dy vjet më parë, kur erdhën në pushtet, socialistët premtuan inventarin e shtetit, për të qartësuar rrëmujën dokumentore që kishte lënë Doktori Rrëmujaxhi. U morën edhe firma private të huaja që do ta bënin këtë. Ky inventar do të shtrihej, ose duhej të shtrihej deri në qelizat më të fundit të shtetit, siç ta do logjika. Vetëm një inventar i plotë, do të mundësonte reformën e plotë. Duhet të dish ku je, që të jesh i qartë ku do të shkosh.
Dy vjet më pas, mesa duket këto mbetën vetëm fjalë. Pas dy vjetësh nuk ka më asnjë gjë që të justifikojë rrëmujën në Tatim-Taksa. Eshtë e patolerueshme që këto zyra nuk paskan të plota dosjet e bizneseve edhe në qendër të Tiranës. Eshtë skandaloze, që nuk paskemi akoma një sistem online të plotë, të të dhënave të bizneseve aktive.
Ndaj është e kotë që flasim për reformë, apo për “scontrino”, siç deklamon Ahmetaj. Ndaj është qesharake që të shtrëngojmë dhëmbët ndaj bizneseve, kur nuk e dimë ende sa e si janë ato.
Ndaj është e patolerueshme t’i kërcënojmë këto biznese për pagim taksash, kur shteti keqpërdoron taksat me të cilat paguan taksidarët e vet, që nuk dinë ende hartën e plotë të bizneseve, as në qendër të kryeqytetit. Ndaj edhe badge-i që varin në qafë, bashkë me fjalorin publik kërcënues të kryeministrit, është abuzim me pushtetin. Dhe shëmtim i shtetit. I cili, para se të kërkojë të vërë rregull në treg – një gjë shumë e mirë – duhet së pari të rregullojë rrumpallën në zemrën e vet, që janë sistemi i tatim-taksave. Boll me femra që bëjnë si “dak”, por që “dun dajak”.
“Daku”, na duhet shtet, jo karriera jote!









