Nga Leart Kola
Botuar në DITA
Protestat në Shqipëri nuk dështuan sepse siç thonë disa nuk u organizuan mirë në aspektin logjistik (mikrofon i hapur, vendimmarrje kolegjiale, të njëjtët njerëz, PD-ja etj), përkundrazi në kaq vite sa e ndjek Politikën Shqiptare, ato protesta kishin pjesëmarrjen më të madhe se kurdoherë dhe ndryshe nga çfarë thuhet që morën pjesë vetëm militanteë; në fakt kishte një larmishmëri shumë më të madhe se çdo protestë tjetër e shoqërisë civile në të paktën këto 20 vitet e fundit.
Dështimi i protestës erdhi jo për atë se kush e tha, por për atë që tha. Për fat të keq, edhe kësaj here leadershipin e morën disa njerëz mëkati më i vogël i të cilëve është afilijimi me një parti politike; ajo çfarë është vërtetë dëshpëruese është idetë që u propozuan ato ditë, ide të vjetra, qendrime jashtë kontekstit, lista me kërkesa pa fund e krye, të cilat i stepen dhe larguan njerëzit.
Veshi i Shqiptarit sado i papërgatitur të jetë, arrin qoftë dhe instiktivisht të dallojë një ide të vjetër nga një ide e re, një qendrim sa për të kaluar rradhën nga një imagjinatë serioze për ndërtimin e të ardhmes.
Revolta e njerëzve që mbushën sheshin u transformua në një mjet pa qëllim, nga ata që e udhëhiqnin këtë protestë. Të cilët për fat të keq përfaqësojnë një forcë politike, por mbi të gjitha një ide të së djathtës që i ka ikur koha në botë që në vitet 90’ (në Shqipëri pak më vonë në 97’).
Në shesh sot kërkohen gjërat që këta të PD-së mbajnë mend që i sollën në pushtet në 2005 (prandaj dhe kane ricikluar Saliun) ulje taksash, tërheqje e shtetit dhe lënia në dorë të privatit të jetë rregullator i çmimeve. (Shefqet Kastrati duhet të jetë akoma i tronditur e me gjasa sot pyet veten pse mijëra vetë kërkonin që atij t’i uleshin taksat? Cila paska qenë e mira që ka bërë? Stepja vazhdon).
Për fat të keq, nëse në atë kohë edhe pse ide të vjetra, dikë do mund ta tërhiqnin, sot ato duken sikur vijnë nga njerëz që këto dy dekadat e fundit kanë qënë në koma ose diçka e ngjashme. Kriza e 2008-ës në botë ishte e gjitha një tregues se si pa ndërhyrjen e shtetit situata mund të bëhet katastrofale. Në Shqipëri, Partia Socialiste në 2013-ën fitoi me një program totalisht etatist (tjetër gjë që më pas u transformua në një qeverisje më të djathtë nga çfarë mund ta imagjinonin të djathtët) për të mos folur për pandeminë, ku roli i shtetit mori një trajtë vendimtare, qendrore dhe gati diktatoriale; vetë njerëzit e kërkuan këtë gjë për të mirën e përbashkët, si e vetmja formë për t’i mbijetuar një situate ekstreme.
Pra si mundet në këto kushte në këto kohë lufte të mendosh se mund të zhdukësh shtetin nga skena politike? Njerëzit që ishin aty e kuptuan prandaj nuk dolën më.
Qeveria me bordet rregullatore, me ndërhyrjet agresive në çmimet e produkteve të shportës dhe naftës, ndërhyrjet në politikat ekonomike të privatit efektivisht bëri më shumë se çfarë kërkonin protestuesit, jo sepse kjo qeveri është e majtë, por sepse duke qenë në krye të qeverisë informacionin e ke më të shpejtë dhe të shpeshtë; ata e dinë se çfarë po vjen, për atë ishin të detyruar të ndërhynin menjëherë.
Por a ndodhi kjo sepse papritur kjo qeveri u bë e majtë? Aspak! Kryeministri Rama është populist dhe si çdo populist ai mundohet gjithmonë t’i fshehë simptomat e problemit pa gjetur asnjëherë kurë për semundjen e tregut që tashmë ka marrë një rrugë pa kthim. Ai është përpara një zgjedhje: Edhe sa do vazhdojë të bëjë sikur mundet që të ruajë status quo të qeverisë së tij dhe biznesit duke ndryshuar vetëm fasadën?
Stalini thoshte që nuk ka një zgjedhje më të keqe se tjetra, kur duhet të zgjedhësh, ateherë të gjitha zgjedhjet janë të këqija. Ne sot kemi dy zgjedhje ose me saktë Edi Rama sot gjendet përpara dy zgjedhjeve (për mendimin tim ne kemi vetëm një zgjidhje).
Njëra prej rrugëve që mund të ndërrmarë Rama është kjo që po bën: Mirëmbajtja e të njëjtit sistem me arnime të ndryshme aty-këtu, të cilat vështirë se do mbajnë deri në fund.
Të kuptohemi qartë, sot qeveria ka mundësi të ndërhyjë tek çmimet sepse po përballet me spekulantë të cilët mallin e blerë më parë po mundohen ta shesin më shtrenjtë, por pas vetëm pak muajsh kjo do ndryshojë. Kriza e prodhuar nga lufta do t’i rrisë çmimet dhe askush nuk do mundet t’i ulë më, sepse lufta ka kompromentuar jo vetëm procesin e transportit por dhe atë të prodhimit. Dhe në kushtet kur qeveria nuk duket e shëndetshme për të ngritur pagat e pensionet, kriza do bëhet më problematike dhe me kosto sociale më të larta. Alternativa e arnimit të kapitalizmit është alternativë shumë e dobët.
Edi Rama është i djathtë, ai beson tek “talenti i individëve”, jo tek shoqëria, kjo është e qartë. Por edhe pse ai beson në këto gjëra, u detyrua të deklaronte që në këtë kohë lufte do duhet që kompanitë të pezullojnë fitimin e tyre. Po çfarë është një kompani që nuk nxjerr fitim? Është socializëm, shumë e thjeshtë.
A do mundet Rama të vazhdojë në këtë rrugë? Duket e pamundur jo vetëm sepse ai vetë është i neveritur nga socializmi, por dhe sepse në thelb shumica e njerëzve që marrin vendime në atë parti janë biznesmenë, të cilët për asnjë arsye nuk do ta vinin në pikëpyetje fitimin e tyre.
Alternativa tjetër që gjendet përpara Rames ose ndonjë populisti tjetër të djathtë që do e prodhonte koha, është ta fusi vendin në një gjendje konflikti me një vend tjetër, në të njejtën formë siç ndodh sot në Rusi apo Ukrainë. Në kushte konflikti kriza ekonomike mbetet në hije duke qenë se shoqëria vendoset në kushte ekzistenciale. Streha e fundit është gjithmonë nacionalizmi, këtë mund ta shohim fare mirë tek zgjedhjet në Serbi, apo dhe në retorikën e liderëve të tjerë në Ballkan.
Deri tani Rama mbetet akoma progresist po sa do zgjasë kjo? Ai është munduar nëpërmjet retorikes së ditëve të fundit të improvizojë një gjendje lufte me një armik që ka emër por prapë është i padukshëm, sepse është jashtë kontekstit tonë, por duket sikur nuk kjo nuk po funksionon. Pjesa me e madhe e njerezve nuk janë të bindur nga argumentat e tij.
Shpresoj shumë të mos degradojë në pikën ku kanë degraduar kolegët e tij perreth por dorën në zjarr nuk do ta vija. Populistët pa ideologji meqënëse nuk kanë së çfarë të tradhtojnë nuk ndalojne para asgjëje. Siç thotë edhe Dostojevski: Sikur koncepti i Zotit, të mos ekzistonte gjithçka do ishte e lejuar.
MENDIMI ËSHTË FORCA E TË PASHPRESËVE
Për të riaktivizuar shpresën, politikën dhe imagjinatën për një botë më të mirë, na duhen idetë përpara aksionit. Na duhet të jemi të sinqertë me njeri-tjetrin dhe me aktualitetin historik, nuk mund të fshihemi pas klisheve apo formulave të gatshme.
Tashmë gjithçka ka për të qenë ndryshe. “Shekulli amerikan” bashkë me konceptin perendimor të neoliberalizmit ekonomik ka përfunduar. Sot qendra të reja janë duke u krijuar jo vetëm në Azi por edhe në Amerikën Latine apo Europë. Kejnsi, babai i socialdemokracisë dhe ekonomisti më me influencë pas Luftës së Dytë Botërore thotë “në afatgjatë jemi të gjithë të vdekur”, pra çfarë po presim?
Të vazhdosh të besosh që në këtë kontekst ekonomik dhe politik gjërat papritur do bëhen mirë sepse do iki njeri apo do vij tjetri, apo ky do sensibilizohet e do fillojë të mendojë për të mirën e përbashkët është utopi. Është utopi, më shumë se çdo lloj utopie që mendja jonë mund të imagjinojë për një të ardhme më të mirë, pa këtë dhe pa këta.
Tani ështe koha për të marrë një vendim, nëse do vazhdojmë të jetojmë në një sistem që dominohet nga barbarizmi, ku kushdo mendon vetëm për fitimin e tij, për kokën e tij, për të mirën e tij dhe “pas meje, qameti”, apo do hedhim sytë nga shoqëria, nga e përbashkëta, nga solidariteti pra nga socializmi?
Këtu s’ka dilemë; çdo ide që nuk është sociale në këto kushte ekstreme atëherë është barbare, sepse vetëm kur njeriu ishte barbar, e kishte të lejuar të mendonte vetëm për mirëqenien e tij personale.
Barbarizëm është që në kushtet e një krize ekstreme shoqëria të mbajë mbi supe dhe surplusin e kompanive private. Shpejt kjo do jetë e pamundur si fakt matematikor sepse si proces etik dhe moral nuk ka qenë asnjëherë në rregull. Qeveria këtë po mundohet mos ta kuptojë, dhe ulet në tryeza “partneriteti” me kapitalin duke i shpjeguar pse ata duhet të heqin dorë nga fitimi për pak kohë sa te qetësohen njerëzit (!?)
A beson dikush që një kapitalist do të çohet një mëngjes e do të thotë stop s’mund ta bëj më këtë, s’mund të krijoj një surplus të tillë nga puna e punëtorëve dhe prona e përbashkët e shqiptarëve? Warren Buffet një nga kapitalistet më më etikë në botë thotë: “Po, kjo është një luftë klasash dhe klasa jonë e kapitalistëve po fiton”.
Nëse dikush beson se kjo lufte sociale do zgjidhet ku ata që kanë do heqin dorë nga privilegjet e tyre (sepse këtë po na ofrojnë) atëherë beson në një utopi më të madhe sesa utopia socialiste, ku prona e përbashkët i duhet të kthehet të përbashktës dhe ndërmarrjet private duhen bërë shoqërore. (Rama tashmë e ka thënë këtë kur deklaroi pezullimin e fitimit).
Duhet të mendojmë, dhe më pas të veprojmë, kur të kemi një ide të qartë se ku duam të shkojmë, sepse në rast të kundërt do jemi të gjithë fajtorë. Zizek thotë: “Jam fajtor dhe kur jam i pafajshem, sepse jam i pafajshëm në mënyrën e gabuar”.
Ne sot nuk na duhet kjo lloj pafajësie, ne na duhet të marrim frenat në dorë, por duke menduar, duke krijuar, sepse mendimi është e vetmja forcë që kanë të pashpresët. Duhet menduar, ideologjizuar situata, pastaj vepruar! Veprimet pa mendim janë parakusht për katastrofa. Siç thotë dhe Walter Benjamin: “Cilido fashizëm ka lindur nga një revolucion i dështuar”. Duke ndjekur fjalimet nëpër protesta e manifestime së fundmi në Shqipëri, të duket vetja sikur vertet po jeton në skajet e fashizmit.
Duhet pranuar që asnjëherë në histori shoqëria jone nuk ka qenë më shumë e ngarkuar më një ndjesi revolucionare se sa sot! Por paradoksalisht asnjëherë në histori nuk kemi qenë më impotent në mendim dhe ide se sa sot. Mantra sot është modernizëm, nuk mundet të riciklojme ide të shekullit të shkuar e t’i paketojme si formula të reja. E ardhmja duhet të jete absolutisht moderne, ne duhet të jemi absolutisht modernë.
Askush më mirë se Chesterton nuk e ka përshkruar këtë situatë prandaj dhe dua ta mbyll me fjalët e tij, me shpresën që do fillojmë të gjithë bashkë të punojmë, të mendojmë, të ndërtojmë dhe në fund të transformojmë.
Le të pyesim veten fillimisht se çfarë duam në të vërtetë, jo atë që vendimi i fundit ligjor na ka thënë të duam ose filozofitë logjike të kohëve të fundit vërtetuan se ne duhet të duam, ose profecitë e fundit shoqërore parashikuan se një ditë do të duam…. Nëse do të ketë socializëm, le të jetë social, pra sa më ndryshe nga i gjithë reparti i madh tregtar i sotëm. Rrobaqepësi juaj, me të vërtetë i mirë, nuk e pret pallton sipas pëlhurave të tij, ai kërkon më shumë rroba. Një burrë shteti vërtet praktik nuk i përshtatet kushteve ekzistuese ai e denoncon gjendjen si të papërshtatshme.