Analisti Lorenc Vangjeli deklaroi në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH1 se në përzgjedhjen e drejtorit të ri të Polisë së Shtetit, kishte edhe prani ndërkombëtare, kryesisht amerikanë dhe gjermanë.
Sipas Vangjelit, ndërkombëtarët kishin bërë edhe një listë të personave që nuk donin të zgjidheshin.
“Duke ditur edhe qëndrimin e partnerëve ndërkombëtarë të cilët si asnjëherë tjetër patën një prani ditën kur ndodhte ky proces. Kam parasysh amerikanët, gjermanët kanë qenë atje.
Gjithashtu, nuk është se promovonin apo ofronin një emër të parapëlqyer prej tyre. Por me shumë gjasa rrëfyen se cilët do të ishin ata që nuk do të donin ata me të cilët do të punonin.
Kishin bërë një “short list” në kuptimin negativ të fjalës. Besohet se kanë qenë disa emra që ata kanë shprehur rezervat e tyre”, u shpreh Vangjeli.
Ai vuri në dukje se kandidatura e z. Hita ishte e papërfolur për lidhje me krimin. Vangjeli nënvizoi se Hita rezulton i papërfshirë në lidhje me elementë kriminalë në vitet 2015, 2016 kur “Shqipëria rrezikonte kanabizimin”.
“Tjetra ka të bëjë me besimin që kësaj radhe komisioni përzgjedhës do të ishte në lartësinë e detyrës. Për të gjitha këto arsye së bashku kandidatura e z. Hita, i papërfolur. Nuk ka pasur episode të cilat ai mund të jetë i përfolur për lidhje të mundshme me krimin.
Ka pasur një raport nga SHISH në vitet e vrazhda 2015-2016, ku Shqipëria u përball me rrezikun e kanabizimit z. Hita ishte nga paktët oficerë të policisë që nuk figuronte në asnjë rrethanë me këtë figurë të krimit.
Ndërkohë që për shumë të tjerë ka pasur indicie dhe prova direkte për përfshirjen e tyre në këtë gjë”, deklaroi më tej Vangjeli.











