Nga Patrick Pester
Ndikimet e ndryshimit të klimës janë tashmë të pranishme thuajse kudo, me temperatura tepër të larta, me uragane më të fortë, me përmbytje më të mëdha, dhe një sezon më të gjatë të zjarreve, që shkaktojnë shumë më tepër dëme se më parë.
Shkencëtarët paralajmërojnë se shpërfillja e ndryshimeve klimatike, do të sjellë “vuajtje të pallogaritshme” për njerëzimin. Por nëse gjërat do të përkeqësohen shumë, a ka gjasa që ndryshimi i klimës të sjellë zhdukjen e njerëzve nga Toka?
Shkencëtarët parashikojnë një sërë skenarësh shkatërrues, në rast se nuk mbahet nën kontroll dukuria e ndryshimi i klimës. Por nëse marrim parasysh ndikimet e drejtpërdrejta, atëherë ka disa lajme të mira: fenomeni nuk ka të ngjarë të shkaktojë shfarosjen e njerëzimit.
“Nuk ka dëshmi të skenarëve sipas të cilëve ndryshimeve klimatike do t’i zhduknin qeniet njerëzore nga Toka”-thotë Majkëll Man, profesor i njohur i shkencës atmosferike në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë në SHBA, dhe autor i librit “Lufta e Re Klimatike:Beteja për të rimarrë nën kontroll planetin tonë”.
Gjithsesi, sipas tij është e mundur që ndryshimi i klimës të kërcënojë jetën e qindra miliona njerëzve, si për shembull përmes mungesës serioze të ushqimit dhe ujit, gjë që ka potencialin të shkaktojë një kolaps shoqëror dhe të krijojë terrenin për një konflikt me përmasa globale.
Njerëzit po rrisin sasinë e gazrave serë si dioksidi i karbonit dhe metani që emetojnë në atmosferë përmes djegies së karburanteve fosile dhe aktiviteteve të tjera. Këto gaze kapin
dhe ruajnë nxehtësinë e marrë nga Dielli, duke çuar në rritjen e temperaturave globale dhe ndryshimin e klimës në një kohë shumë më të shpejtë sesa do të ndodhte ndryshe, duke e vendosur njerëzimin në një kurs të rrezikshëm.
Një efekt serë i dalë jashtë kontrollit, është ndoshta mënyra e vetme që ndikimet e ndryshimeve klimatike të shkaktojnë drejtpërdrejt zhdukjen e njerëzve, thotë Luk Kemp, studiues në Qendrën për Studimin e Rrezikut Ekzistencial në Universitetin e Kembrixhit në Britaninë e Madhe.
Ky efekt ndodh kur një planet bllokohet në një prirje të pandalshme drejt ngrohjes, dhe thith më shumë nxehtësi sesa humbet, derisa oqeanet e planetit të avullojnë dhe nuk mund të jenë më të përshtatshme për jetën njeriut.
Fatmirësisht, një efekti serë i dalë jashtë kontrollit nuk është një skenar i besueshëm i ndryshimit të klimës në Tokë. Që të ndodhë një efekti tillë, planetit i duhen nivele të dioksidit të karbonit në masën 2 mijë pjesë për 1 milion (Toka ka pak më shumë se 400 pjesë për 1 milion) ose një çlirim të madh të gazit metan.
Për momentin nuk ka asnjë provë se kjo do të ndodhë në të ardhmen, shprehet Brajan Kan, shkencëtar në Laboratorin e NASA –s. Venusi ka një efekt serë në nivele shumë të larta. Por ai është shumë më afër Diellit, dhe ka një atmosferë shumë më të trashë dhe të pasur me dioksid karboni, element kimik që kap më shumë nxehtësi sesa ajo e Tokës.
Shkenca nuk i mbështet skenarët e një ngrohjeje të jashtëzakonshme të Tokës. “Nuk ka asnjë arsye për ta ekzagjeruar me kërcënimet nga ndryshimet klimatike. E vërteta është mjaftueshëm e hidhur për të ndërmarrë veprime emergjente.
Një rritje e temperaturës globale me 3 gradë Celsius ose më shumë, mund të çojë në një kolaps të infrastrukturës sonë sociale. Dhe mund të ketë trazira dhe konflikte të mëdha, të cilat nga ana tjetër mund të çojnë në një të ardhme që i ngjan disa filmave distopianë të Hollivudit”,-thekson Man.
Një nga mënyrat se si ndryshimi i klimës, mund të shkaktojë një kolaps shoqëror është përmes krijimit të pasigurisë ushqimore. Ngrohja e planetit ka sjellë që tani një sërë ndikimesh negative në prodhimin e ushqimit. Këto mund të shtojnë numrin e të vdekurve dhe të shkaktojnë humbje ekonomike dhe paqëndrueshmëri socio-politike.
Kemp merret me studimin e rënies se civilizimeve të mëparshme dhe me rrezikun e ndryshimit të klimës. Zhdukjet dhe katastrofat, përfshijnë pothuajse gjithmonë faktorë të shumtë, thotë ai, por mendon se nëse njerëzit do të zhduken, ndryshimet klimatike ka të ngjarë të jenë fajtori kryesor.
“Nëse do të them, se cili mendoj se është kontribuuesi më i madh në potencialin e zhdukjes njerëzore që shkon drejt së ardhmes? Pa dyshim ndryshimi i klimës”- thotë Kemp. Të gjitha ngjarjet kryesore të zhdukjeve masive në historinë e Tokës, kanë përfshirë një lloj ndryshimi klimatik.
Këto ngjarje përfshijnë ftohjen e madhe gjatë zhdukjes Ordovikiane–Siluriane rreth 440 milionë vjet më parë, që zhduku 85 për qind të specieve, dhe ngrohjen e madhe gjatë zhdukjes Triasike–Jurasike rreth 200 milionë vjet më parë që vrau 80 për qind të specieve. Dhe kohët e fundit, ndryshimi i klimës ka ndikuar në fatin e të afërmve të hershëm njerëzorë.
Ndërsa Homo Sapiens nuk janë zhdukur, Kemp thotë se nuk kanë pasur të njëjtin fat Neandertalët apo lloje të tjera homonidësh. Shkencëtarët nuk e dinë me saktësi pse u zhdukën Neandertalët rreth 40.000 vjet më parë. Por luhatjet klimatike duket se e kanë ndarë popullsinë e tyre në grupe më të vogla e të fragmentuara, dhe ndryshimet e mëdha të temperaturës ndikuan mbi bimët dhe kafshët ku ata mbështeteshin për t’u ushqyer.
Humbja e ushqimit, e nxitur nga ndryshimet klimatike, mund të ketë çuar gjithashtu në një rënie të normave të pjellorisë tek Neandertalët, duke kontribuar në zhdukjen e tyre.
Ndryshimi i klimës ka luajtur po ashtu një rol në rënien e qytetërimeve të kaluara njerëzore. Për shembull, një thatësirë 300-vjeçare, kontribuoi në rënien e Greqisë së lashtë rreth 3.200 vjet më parë. Por zhdukja e Neandertalëve dhe shembja e qytetërimeve nuk janë të barabarta me zhdukjen e krejt njerëzimit. Tek e fundit, njerëzit i mbijetuan luhatjeve të klimës në të kaluarën, dhe aktualisht jetojnë në të gjithë cepat e botës pavarësisht ngritjes dhe rënies së qytetërimeve të shumta.
Është vërtetuar se Homo Sapiens janë shumë të adaptueshëm dhe të aftë për t’u përballur me shumë lloje klimash, qofshin ato të nxehta, të ftohta, të thata apo të lagështa. Ne mund të përdorim burime nga shumë bimë dhe kafshë të ndryshme, së bashku me informacionin, që na ndihmon të mbijetojmë në një botë në ndryshim.
Ne jetojmë aktualisht në një civilizim global shumë të ndërlidhur, por ka arsye të besojmë se speciet tona mund t’i mbijetojnë rënies së tij. Një studim i botuar më 21 korrik në revistën “Sustainability”, identifikoi vendet që kanë më shumë gjasa t’i mbijetojnë një kolapsi global social.
Pesë vende ishullore, përfshirë Zelandën e Re dhe Irlandën, u zgjodhën në këtë listë pasi mund të mbështeten tek bujqësia, falë temperaturave të tyre relativisht të ftohta, ndryshueshmërisë së ulët të motit, dhe faktorëve të tjerë që i bëjnë ata më elastikë ndaj ndryshimeve klimatike.
Ndërkohë një studim i vitit 2019 i botuar në revistën “Science Advances”, zbuloi se një konflikt bërthamor midis Indisë dhe Pakistanit, me një pjesë të vogël të armëve bërthamore të botës, mund të vriste 50-125 milionë njerëz vetëm në ato dy vende.
Ndërkohë lufta bërthamore gjithashtu do të ndryshonte klimën, duke sjellë rënien e temperaturës pasi qytetet e djegura do ta mbushnin atmosferën me tym, duke kërcënuar prodhimin e ushqimit në të gjithë botën dhe shkaktuar potencialisht uri në masë. /Live Science” – Bota.al
/m.j