Nga Jakin Marena
Vjen një moment kur në kushtet kur nuk ke nga të lëvizësh, je i detyruar të zbatosht postulatin e hershëm “O mete, për vete”. Kjo mund të ndodhë pas 3 marsit dhe me koalicionin e nënshkruar mes Berishës dhe Metës për zgjedhjet e pushtetit vendor të 14 majit. S’ka fuqi ligjore firma në dokumentin e koalicionit, ndërsa Metës i përshtatet dhe me emrin kjo lëvizje.
Pikërisht më 3 mars, Gjykata e Apelit pritet të vendosë se kujt i takon vula dhe logo e PD, për t’i dhënë fund pritjes së tmerrshme pa fund, se kush nga dy grupimet në këtë parti do dërgojë dokumentet për t’u regjistruar në KQZ me siglën zyrtare të PD për zgjedhjet e 14 majit.
Gjasat janë që Apeli të zhbëjë atë vendim të turpshëm të gjyqtarit Zhukri në shkallën e parë, i cili vendosi të njohë Kuvendin e Berishës, ndërkohë që Alibeaj e goditi këtë vendim në Apel. Nuk besojmë se Apeli do të ketë ndonjë justifikim që të shtyjë në pafundësi këtë vendim, duke parë se dhe kreu i KQZ ka paralajmëruar se mund të mbeten të dy copat e PD jashtë zgjedhjeve.
Themi se gjasat ekzistojnë, duke parë dhe acarimin e Berishës dhe gjuhën e përdorur në daljet e tij të shpeshta televizive, apo dhe në tubimet e fundit kundër partnerëve tanë ndërkombëtarë, SHBA e BE, ambasadorëve respektivë të cilët ka sulmuar me akuzat më të turpshme dhe hapur, të shoqëruar dhe me argumentin sipas tij, se duan t’i japin vulën dhe logon e PD kundërshtarëve brenda partisë dhe se duan po sipas tij të “emërojnë’ kryetarin e partisë më të madhe opozitare. Ramën e ka armik në dizpozicion, dhe dihen akuzat ndaj tij.
Por mundësia e një vendimi të Apelit në favor të Alibeajt duket dhe në ditën që Berisha ka lënë protestën e radhës kundër Ramës, një protestë që në të vërtetë është e adresuar kundër SHBA, duke përdorur tërë arsenalin e tij për çështjen e ngritur tash sa ditë, atë të zyrtarit të lartë të FBI, Charles McGonigal! Ku shqiptarët janë tërësisht indiferentë, pasi është çështje e hetimit dhe e organeve ligjzbatuese në SHBA. Dhe sondazhet tregojnë se është ekzagjeruar shumë.
Pra, këtë protestë Berisha e ka lënë pikërisht me 3 mars, ditën kur Apeli do t’i japë fund asaj që rëndom quhet tashmë në panelet televizive dhe politikën shqiptare, “beteja e vulës”. Pikërisht këtë ditë ka zgjedhur Berisha për të paguar disa mbështeës, më shumë të moshës së tretë që të vijnë në Tiranë, të marrin shpërblimin e radhës për vaktin e radhës dhe të dalin në bulevard, pa e ditur madje as se kush është kryeministër i vendit, Fatos Nano që ka ikur nga politika aktive gati 18 vite më parë apo Edi Rama. Protestuesit e Berishës, Nanon e dinë kryeministër të vendit, duke treguar qartë se jo vetëm për Berishën por dhe për mbështetësit e tij ora ka mbetur në vend.
Për hir të së vërtetës Berisha e di si dreqi se çfarë ka nekatosur me dokumentet e kongresit të “Rithemelimit”, si është thirrur ky Kuvend, paralel me atë të PD të drejtuar nga Lulzim Basha, sa vlerë ka vulosja e këtyre dokumenteve jo me vulën dhe logon zyrtare të PD, sa vlerë kanë këto dokumente të cilat nuk kanë kaluar në mënyrë institcionale përmes linjave zyrtare të PD, në mënyrë që të njihen si të rregullta nga ana e Gjykatës së Apelit.
Ndaj është i acaruar Berisha, sepse e di se çfarë ka dërguar në gjykatë për t’i firmosur me sy mbyllur nga gjykatësi Zhukri, por që me terë këtë vëmendje të publikut por të politikës dhe partnerëve tanë ndërkombëtar, gjyqtarët e Apelit, sado vullnet të mirë të kenë ndaj Berishës, sado frikë madje ta kenë atë, e kanë shumë të vështirë që të vendosin me sy mbyllur. Si Zhukri!
Ndonëse gjetën një mënyrë të mesme për të shmangur dhënien e një vendimi, duke e shtyrë deri në limitetet e absurdit, se kujt i takon vula dhe logo e PD, për të gjitha ato arsye që thamë më lartë, tashmë nuk kanë çfarë justifikimi të përdorin për ta shtyrë sërish. Edhe sëmundjet e gjytarëve nuk ‘pinë ujë’ më, pasi e kanë kaluar dy herë të “sëmurët” dhe është bërë tepër bajat një skenar i tillë.
Dhe nëse do të jepet vendimi në favor të Alibeaj, duke e njohur zyrtarisht si përfaqësues të PD dhe duke e regjistruar këtë parti me emrin e tij në KQZ, cili do të jetë qëndrimi i Berishës dhe fraksionit të tij në PD, të cilin e ka emëruar “Rithemelimi” për të regjistruar kandidatët për kryetarë bashkie si dhe kandidatët për këshillat bashkiake.
Eshtë thënë shpesh se do të gjendet zgjidhja, siç u gjet më 6 mars të vitit të kaluar, për zgjedhjet e pjesëshme vendore në 6 bashkitë e mbetura pa kryetar në vend. Pra për të hyrë si koalicion me Ilir Metën dhe Partinë e Lirisë, nuk ka rëndësi emri që mund t’i vihet koalicionit për ta regjistruar në KQZ. Pra, nën “çatinë” e Ilir Metës, që gjithsesi ta mat kokën me spango.
Berisha dhe Meta kanë nënshkruar dhe një marrëveshje koalicioni për këtë qëllim, për të dalë në zgjedhje me kandidatë të Berishës, përjashtuar 2-3 bashki të vogla që i janë lënë PL, ndërkohë që Meta do të luftojë për këshilltarë bashkiakë. Madje kanë bërë dhe protesta të përbashkëta, por këto nuk quhen, pasi janë bashkuar dy politikanë në hall.
Kjo ka sjellë probleme në bazë, si nga mbështetës të “Rithemelimit” ashtu dhe nga ata të Partisë së Lirisë. Ka shqetësime baza, që e refuzon një ‘aliazh’ të tillë politik mes këtyre dy grupimeve politike, që nuk i lidh asgjë me njëra tjetrën, përpos klientelizmit.
Mbështetësit e Berishës ankohen se Meta do të marrë vota të shumta nga “Rithemilimi” dhe do të jetë ajo që do dominojë këshillat bashkiakë në emër të opozitës. Për më tepër që janë të sigurtë se me dy kandidatë të opozitës më 14 maj, bashkitë që mund të fitojë koalicioni mes Berishës dhe Metës, mund të numërohen me gishtat e njërës dorë. Këto e thonë sondazhet, këtë e thotë dhe fryma e përcjellë në bazën e demokratëve të cilët janë të bindur se pa një kandidat të përbashkët, opozita s’mund të fitojë më 14 maj. Madje mund të humbasë Shkodrën.
Por dhe baza e Partisë së Lirisë, ajo që ka mbetur, bën llogaritë e veta. Duke qënë të bindur se me Berishën asnjëherë nuk vijnë në pushtet, nuk kanë munguar zërat, sipas të cilave koalicioni me një politikan si Berisha të shpallur ‘non grata’ nga SHBA e Britania, por dhe të trajtuar nga vendet e BE dhe të rajonit si person ‘non grata’, me një politikan si Berisha që nuk e ftojnë as në përvjetore dhe as në takime rutinë nëpër ambasada, që nuk i ka shkelur në derën e selisë buzë Lanës asnjë ambasador që kur iku Basha, pra baza e PL ka shfaqur shqetësim se mund të penalizohet dhe partia e tyre.
Sepse në gjykimin e tyre, teksa Meta, me gjithë akuzat që ka në kurriz, të paktën takohet nga disa ndërkombëtarë, shihet si faktor politik, ftohet nëpër evente nga ambasadat, dhe nuk është i shpallur mbi të gjitha person ‘non grata’ si Berisha, është më i pranueshëm për partnerët tanë, pa të cilët asnjë parti politike jo vetëm që s’vjen në pushtet por as mund ta ëndërrojë një gjë të tillë.
Ndaj ka filluar presioni ndaj udhëheqjes në qendër të Partisë së Lirisë, që të shfrytëzojnë çdo mundësi për të qënë vetëm, apo me disa ish aleatë të Berishës në zgjedhjet e 14 majit. Pa Berishën. Korridoreve të LSI thuhet se e kanë kërkuar me këmbëngulje refuzimin e daljes në koalicion me Berishën, pavarësisht se mund të jetë nën siglën e Partisë së Lirisë, pasi kostoja politike në terma afatmesëm dhe afatgjatë është shumë më e madhe se sa përfitimi politik, me disa këshilltarë më tepër që mund të marrë dhe me votat e “Rithemelimit”.
Ndaj themi se me të njejtën interes që po e sheh Berisha vendimin e Apelit më 3 mars për vulën dhe logon e PD, po e shohin dhe tek Partia e Lirisë. Dhe nëse një vendim i mundshëm i Apelit është në favor të Alibeajt, presioni i bazës ndaj Metës është që në zgjedhjet e 14 majit të hyjnë pa Berishën në aleancë. Qoftë dhe duke zgjedhur disa kandidatë të momentit të fundit për kryetarë bashkie, të cilët siç ndodh rëndom tek partitë e vogla më shumë lufton për vota partie, pra këshilltarë se sa për vota për t’u zgjedhur kryetar bashkie, që e ka të pamundur me këtë copëzim të PD dhe daljen me kandidatët e vet secili grupim në partinë më të madhe opozitare.
Eshtë e lehtë për t’u marrë me mend se çfarë ndodh me “Rithemelimin” e Berishës nëse Meta e refuzon daljen bashkë në zgjedhje, teksa ky grupim politik brenda PD nuk mund të regjistrohet në zgjedhje si parti më vete, por dhe në momentin kur PD zyrtare e Alibeajt do hyjë në zgjedhje me siglën dhe logon zyrtare të kësaj partie. Duke regjistruar kandidatët e vet, por dhe anëtarët e komisioneve zgjedhore.
Dhe Meta nuk do ta ketë për herë të parë “tradhëtinë” ndaj Berishës. E ka bërë dhe herë të tjera, madje kanë shkëmbyer dhe akuzat më të rënda mes tyre, që nga vrasjet me pagesë e deri tek vjedhja e floririt në Krrabë.
Pra gjasat janë që të ndodhë në këtë moment udhëkryqi për Berishën. Dhe nëse ndodh që Meta t’i bindet bazës së partisë dhe të refuzojë hyrjen në zgjedhje në aleancë me Berishën, qoftë dhe me siglën e Partisë së Lirisë, atëherë grupimi i Berishës shpërndahet totalisht. Mbetet vetëm një celulë anti-amerikane, që do të zvogëlohet çdo ditë e më shumë, ku një pjesë do të rikthehen te PD, pjesa tjetër mund të kalojë dhe tek partitë opozitare, pa përjashtuar dhe PL. Pasi ‘armiku’ brenda partisë është më i egër se sa ai jashtë formacionit politik.
Megjithëatë Meta ka deklaruar opozitarizëm të fortë kundër Ramës, përkrah Berishës të paktën deri në vendimin e Apelit. Por politikanët shqiptarë, tjetër gjë mendojnë, tjetër gjë thonë dhe tjetër gjë bëjnë. Të presim. 3 marsi erdhi.